Kushtetuta i “ndan” partitë nga shteti

Nga Vladimir Lulaj/Ekspertët e Nivelit të Lartë e kanë konsideruar Ministrinë e Drejtësisë si institucion me ndikim politik; pra, sipas tyre, duhet shmangur si ‘e panevojshme’ fryma politike në këtë ministri…

       ***

Por ky mesash kritik është me brendi të gabuar; sepse, principalisht, nomenklatura e kufizuar politike brenda Ministrisë së Drejtësisë s’mund të dalë jashtë strategjisë kushtetuese; përkundrazi, supozohet se administrata do të jetë e departizuar dhe e pavarur nga presioni i  interesave të pushtetit të përkohshëm politik.

Konceptualisht, pushteti i deleguar politik brenda kësaj ministrie dhe më gjerë, duhet pranuar dhe trajtuar si mjeshtëri e domosdoshme sociale, që realizon praktikën e unifikuar për zbatimin e detyrave strategjike nëpërmjet drejtimit të koordinuar të sferave të pushteteve të pavarur shtetërorë; sepse vetë nocioni ‘politikë’ në tërësi kupton artin social veçori për udhëheqjen kompakte të shtetit ligjor, por kurrsesi pushtimin e Tij nga subjektet e përkohshëm partiakë.

Pushteti shtetëror ekzekutiv në vetvete nuk mund të njehsohet dhe barabitet me nomenklaturën e kufizuar të ‘specialistëve politikë’; sepse kjo prurje prezumohet me ndërgjegje dhe formim të lartë profesional, që punon e drejton ministritë përkatëse vetëm në përputhje me interesat strategjike imediate dhe perspektive të Shtetit tonë Ligjor.

       ***

Në shpjegimet që jep Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë flitet ‘për varësi të dyfishtë funksionale të Prokurorisë nga Gjykata dhe Ekzekutivi’. Por ky mëtim konstatohet konceptualisht i gabuar; për shkak se Prokuroria, ose organi i ndjekjes penale, në marrëdhënie me Gjykatën është thjesht një nga palët ndërgjyqëse në procesin e gjykimit, ose, përgjithësisht, pala akuzuese, që procedurialisht ka për detyrë të provojë veprimtarinë e vet ligjore; se akuzën penale kundrejt palës së pandehur e ka ngritur të bazuar në ligj, prova e fakte të vërtetueshme përpara Gjykatës.

Gjithashtu na duket me vend të përmendim faktin se GENL nuk ka mundur të zbulojë brendinë ‘evazive’ të nenit 148/1 të Kushtetutës, ku përcaktohet: “1. Prokuroria ushtron ndjekjen penalen, si dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit..” Sipas këtij formulimi ‘ambigue’, duke mbajtur parasysh se nocioni ‘shtet’ përfshin në vetvete tre pushtete të pavarur shtetërorë, konkretisht legjislativin, ekzekutivin dhe atë gjyqësor, krijohet përshtypja e rreme sikur përballë subjektit të pandehur nuk është vetëm Prokuroria, ose organi që ushtron ndjekjen penale, por tërë ‘shteti’ , ose minimumi diada e unifikuar “Gjykatë – Prokurori”; gjë që, de jure dhe de facto, nuk është aspak e vërtetë; sepse proceduralisht Gjykata asnjëherë nuk e kundron prokurorin e çështjes si përfaqësues të ‘shtetit’, por thjesht si përfaqësues të akuzës, që ka ‘barrën’ për të provuar se vepra penale ekziston dhe është kryer nga subjekti i pandehur.

Në pikën 3 të nenit 148 të Kushtetutës është sanksionuar dispozita sqaruese: “Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve”; ndaj rrudhtazi mëtojmë se patjetër duhet hequr togfjalëshi kundërthënës “..në emër të shtetit.”, sepse kësisoj deformohet dhe konfondohet përmbajtja funksionale e nocionit kushtetues ‘Shtet’…

       ***

Duke mos qenë në gjendje të kuptojnë se ndryshimi i ‘beftë’i Kushtetutës nga ana e diadës ‘destruktive’ PD – PS më 21 prill të vitit 2008 krijoi premisat për futjen e personave të inkriminuar në Kuvendin Popullor të Shqipërisë; ose për shkak se janë treguar ‘yesmen’ kundrejt pushtetit të përkohshëm politik ekzistues; vihet re se GENL, ndonëse ka mëtuar se: “Ndërhyrjet në vitet 2007, 2008 dhe 2012 nuk kanë qenë efikase”,  nuk ka kërkuar ‘restituito in integrum’, ose rikthimin pa kushte te Kushtetuta e vitit 1998; çfarë nënkupton deklarimin absolutisht të pavlefshëm të ndryshimeve ‘antikushtetuese’ të kryera në tre vitet e sipërmendura dhe rikthimin te Sovrani Popull të sovranitetit të ‘grabitur’ nga pushtetet e përkohshëm politikë destruktive.

       ***

GENL, ndonëse ka venë në dukje mangësitë e poshtëshënuara:

“1. Kushtetuta e 1998 nuk ka arritur të izolojë sa dhe si duhet institucionet e pavarura nga ndikimi i shumicave politike.

  1. Kushtetuta nuk ka arritur të sigurojë një mbikëqyrje të vërtetë dhe të efektshme të parlamentit mbi qeverinë.
  2. Kushtetuta e vitit 1998 ka qenë e pa aftë për të krijuar një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm dhe efikas.”;

Nuk ka paraqitur asnjë propozim konceptual konkret, të dobishëm dhe efektiv për të  “mbrojtur shtetin” nga destruktiviteti 17- vjeçar i pushteteve të përkohshëm politikë.

Në kushtet kur liderët e triadës politike PD – PS – LSI kanë zgjedhur të aplikojnë modelin elektoral të Monarkisë Kushtetuese Spanjolle, ose sistemin rajonal proporcional të pa shoqëruar me ratifikimin proporcional kombëtar; de facto nga viti elektoral 2009 deri në zgjedhjet e pritshme të qershorit 2017, Republika Parlamentare e Shqipërisë vuan seriozisht nga sindroma kronike e ‘shtetit partiak’. Në Kuvendin Popullor ka 140 deputetë partiakë të organizuar në pesë grupe parlamentarë partiakë, por asnjë grup parlamentar të organizuar dhe deklaruar bazë  qarku; në një kohë kur, sipas procedurave të miratuara me ligj organik, ndarja e hapësirës territoriale funksionon mbi bazën e 12 qarqeve.

Kryetari i Partisë Demokratike, që ndodhet në opozitë, z. Lulzim Basha, ndonëse është diplomuar si jurist, deklaron se ‘reforma në drejtësi’ nuk mund të kalojë pa konsensusin e PD. Kjo tregon se deputetët e organizuar nën siglën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe kryetari i tyre kanë ‘harruar’ se kushtetuta e Shqipërisë nuk ka ndonjë dispozitë që i detyron të ‘braktisin’ Sovranin Popull dhe të përfaqësojnë në Kuvendin Popullor vetëm PD-në destruktive berishiane.

Sigurisht, nuk mjafton të citojmë nenin 70/1 të Kushtetutës: ku përcaktohet: “1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.”; sepse përgatitja konceptuale dhe ndërgjegjja e kufizuar politike e liderëve aktualë partiakë nuk është e lartësuar deri te niveli kategorik i ndërgjegjes së shtetit të munguar ligjor; ndaj e vetmja rrugëzgjidhje është përcaktimi i një neni në Kushtetutë, ku të sanksionohet pa asnjë ekuivok se: ‘Partitë politike janë të ndara nga Shteti. Një nomenklaturë e kufizuar politike rekrutohet nga shteti bazuar në verdiktin elektoral të Sovranit Popull. Veprimtaritë e pushteteve të përkohshëm politikë dhe ato të nomenklaturës së kufizuar politike i nënshtrohen strategjisë shtetërore, kontrollohen nga pushteti legjislativ dhe korrigjohen me ndërhyrje dhe vendime shtetërore.”.

       ***

Shprehur rrudhtazi, mendojmë se Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, lidhur me projekt draftin “Për ndryshimet Kushtetuese”, ka disa mangësi, prej të cilave, si më kryesore, mund të përmendim:

Projekt drafti nuk mundëson ndarjen e partive politike nga Shteti. Nuk flitet për organizimin e deputetëve  bazë qarqesh, por mbrohet koncepti se deputet duhet të jenë thjesht përfaqësues të partive politike parlamentare dhe jo përfaqsues të Sovranit Popull. Shmanget haptazi rikthimi te kushtetuta e vitit 1998, sepse nuk parashikohet deklarimi ‘antikushtetues’ i ndryshimeve partiake të vitit 2007, 2012.  Nuk janë anuluar ndryshimet antikushtetuese të kryera ‘urgjentisht’ më 21 prill të vitit 2008 dhe s’janë ‘rehabilituar’ 11 nenet konstruktive të ndryshuara. GENL nuk ka mundur ta konceptojë dhe jo më ta realizojë idenë për të “çliruar” Parlamentin nga “zgjedha” dhe destruktiviteti 25-vjeçar i partive politike ekzistuese, që janë mësuar ta ‘komandojnë dhe sundojnë, por jo ta respektojnë shtetin.

       ***

Nuk kanë vlera juridike për t’u bërë pjesë e ndryshimeve kushtetuese nenet 1, 3, 5, 6, 8, 10,16, 18, 19, 20, 21, 33, 57, 58; por formulimet e paraqitura  në nenet 2, 4, 7, 9, 11, 12, 13, 14, 15, 17, 26, 30, 45, 46 të projekt draftit të lartpërmendur duken të pranueshme.

Konceptualisht nenet 22, 23, 24, 27, 28, 29, 32 të projekt-draftit “Për ndryshimet Kushtetuese” janë të gabuara; sepse GENL e trajton Gjykatën Kushtetuese njëlloj sikur të ishte gjykatë e nivelit të katërt të sistemit të zakonshëm të gjykimit;  hidhet ideja  se mund të ketë dy gjykata të larta me juridiksion të pavarur njëra nga tjetra në nivelin e tretë të gjykimit, pra nuk qëndron formulimi për “Gjykatën e Lartë Administrative”; krijon evazivitet dhe dobëson brendinë e nenit 137 të Kushtetutës ekzistuese; përbën ‘hollësi’ që mund të zërë vend në ligjin e ri organik të Gjykatës së Lartë, por jo në tekstin kushtetues.

Nenet 25, 34, 35, 36, s’thonë asgjë të re, janë krejt ‘boshe, ose të pa rëndësishme;  kurse nenet 49, 50 kanë nevojë për diskutim, përmirësim dhe saktësim, sepse paraqiten evasive dhe konfoduese.

Konkretisht, neni 49 i projekt draftit parashikon si ‘shtesë kushtetuese’ nenin 147/f, ku flitet për ‘Tribunalin Disiplinor të Drejtësisë’. Evaziviteti qëndron te problemet juridike të poshtëshënuara: a) Pse duhet të jetë kryetar i Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese?. b) Ligji organik për Gjykatën Kushtetuese nuk i jep juridiksion dhe as tagër administrative kryetarit të kësaj gjykate për t’u dhënë masa disiplinore gjyqtarëve të sistemit të zakonshëm të gjykimit. c) Krijohet përshtypja se Gjykata Kushtetuese, ose Kryetari i Saj, janë ‘ingranazhe juridike’ të nivelit të katërt të sistemit të zakonshëm të gjykimit. ç) Si ka mundësi që ankimet kundër vendimeve të ‘Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë’, që do ketë si kryesues Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, do të ankimohen te Gjykata Kushtetuese me të njëjtin kryetar; a nuk përbën ky fakt konflikt interesi?. d) Procedurialisht, a kanë të drejtë vartësit, ose anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të hetojnë, gjykojnë dhe kundërshtojnë vendimet e firmosura nga eprori i tyre, ose Kryetari i Gjykatës Kushtetuese?. dh) Procedurialisht, a është i pranueshëm një kryetar ‘ambigue’, ose i dyfishtë?; siç supozohet të jetë kryetari i Gjykatës kushtetuese dhe njëkohësisht Kryetar i Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë…?

Neni 50 i projekt draftit, që ka lidhje me pikën 1 të nenit 148 të Kushtetutës, duhet riformuluar duke hequr togfjalëshin “…në emër të shtetit”. Sugjeroj që brendia të ketë përmbajtjen vijuese: “Prokuroria është organ i pavarur ligjor që ka juridiksion dhe tagër të ushtrojë ndjekjen penale. Ky institucion juridik kombëtar funksionon mbi bazën e decentralizmit organik, përfaqëson akuzën në gjyq, si dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara me ligj organik.”.

SHKARKO APP