Kuvendi: BSH, e kemi bërë kërkesën për kandidatët e Këshillit
Nuk është aspak e vërtetë që Kuvendi i paska penguar emërimet në Bankën e Shqipërisë, duke shkelur afatet ligjore. Dhe kjo, pasi administrata e tij figuron që ta ketë drejtuar me kohë kërkesën ndaj grupeve parlamentare për të zhvilluar seancën e posaçme dëgjimore ndaj anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikqyrës së bankës qendrore. Fakt ky që konfirmohet për “KJ” nga burime brenda tij dhe që hedh poshtë në këtë mënyrë akuzën e drejtuar dje publikisht nga kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili e kritikoi administratën e Kuvendit se sipas tij, po zvarrit procesin e emërimeve në Bankën e Shqipërisë, duke shkelur afatet ligjore. “Administrata e Kuvendit ka tejkaluar çdo afat ligjor në përzgjedhjen paraprake të emrave, të bërit të njohur për ta të datës së dëgjesës publike në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. I kërkoj Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit që të marrë përgjegjësitë dhe të organizojë sa më parë seancën dëgjimore me të 15 kandidatët e paraqitur, apo që kanë aplikuar pranë Kuvendit”, u shpreh konkretisht Braçe.Duke hequr mënjanë edhe vetë komisionin parlamentar që ai drejton mbi këtë procedurë. Sepse sipas tij, kjo pjesë e procedurës ndiqet apo organizohet nga administrata civile e Kuvendit. “Ende nuk është pjesë e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, i cili vihet në lëvizje vetëm pasi 28 deputetë mbështesin me firmat e tyre 2 apo më shumë kandidatë të mundshëm për t’u dëgjuar në këtë komision”, theksoi më tej deputeti Braçe. Porse burimet pranë administratës se Kuvendit pohojnë se ajo që prej datës 20 nëntor u ka dërguar shkresë grupeve parlamentare për caktimin e seancës dëgjimore me kandidatët për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret ligjore. Duke sqaruar gjithashtu se data dhe ora e marrjes në pyetje të kandidatëve caktohet nga grupet parlamentare. Konkretisht, shkresa mban datën 20.11.2014 dhe i drejtohet përkatësisht grupit të PS-së, PD-së, LSI-së, PR-së dhe PDIU-së, por edhe deputetëve të pavarur Vangjel Dule dhe Nard Ndoka, lidhur me këtë çështje. Duke e përjashtuar në këtë mënyrë Kuvendin nga akuzat që iu drejtuan atij dje nga ana e deputetit Braçe lidhur me Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
SITUATA
Prej disa muajsh, Banka e Shqipërisë administrohet në kushte të jashtëzakonshme. Këshilli Mbikëqyrës është në limitet e kuorumit ligjor, ndërsa në krye të Bankës qëndron një guvernator i komanduar.