Kuvendi i PD-së hapet me video me AI: Unë jam Skënderbeu, jo ai i Elisës…
Punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike nisën me një video të krijuar me inteligjencë artificiale.
Në fillim të videos shfaqet heroi kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili “shprehet se ka kushtuar vetëm 100 euro”, në krahasim me avatarin “Diella”, për të cilin pretendohet se ka kushtuar 4 milionë euro.
“Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj. As Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës. Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europeisti i parë i këtyre trojeve.
Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti i AI-së i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar 4 milionë euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro. Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë; që nga pushtimi osman, askush nuk i ka kushtuar më shumë këtij vendi të bekuar”, thuhet në video.
Në fund të mesazhit, avatari uron mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
“Le të jetë kjo besëlidhje jo vetëm e ripërtëritjes, por edhe e anti-vjedhjes”, përfundon mesazhi i krijuar me inteligjencë artificiale.
KOHA JONË SONDAZH

