Kuvendi miraton anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës
Veç miratimit të rezolutës për kthimin e PD-së në Kuvend, parlamenti miratoi dje dhe tre anëatrët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, të propozuar nga maxhoranca, morën respektivisht nga 74 dhe 82 vota pro. Ndërsa emri më i votuar ishte Gent Sejko i propozuar nga vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës. Përveç votimit si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, Genti Sejko, është dekretuar nga Presidenti i Republikës si kandidat për Guvernator të Bankës. Maxhoranca fillimisht është shprehur skeptike mbi kandidaturën e Sejkos për postin e guvernatorit. Disa eksponentë të saj, madje kanë deklaruar publikisht në media qëndrim kundër, por rezultati i votimit të së mërkurës hap të tjerë skenar për dekretin. A ka ndryshuar qëndrim maxhoranca për kandidaturën e Sejkos si guvernator i ri i Bankës së Shqipërisë? Kjo pritet të mësohet muajin e ardhshëm, kur dekreti i presidentit do të votohet në Kuvend. Ndërkaq veç tre anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës parlamenti miratoi këtë të mërkurë edhe kandidaturën e Enkelejda Shehit në postin e drejtoreshës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Mimoza Kacit si zëvendësen e saj.