Lamallari: Kriminaliteti te të rinjtë, angazhim për një sistem drejtësie që parandalon
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, mori pjesë në prezantimin e fushatës “S’ka Shkurt”, një nismë e mbështetur nga OSBE, që synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e përfshirjes në paligjshmëri dhe krim.
Fjalën e tij, ministri e nisi me një referencë ndaj një urtësie të vjetër shqiptare: “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”, duke e lidhur drejtpërdrejt me mesazhin e fushatës.
“Sot, në epokën e rrjeteve sociale dhe të iluzionit të suksesit të menjëhershëm, kjo shprehje tingëllon më aktuale se kurrë. Në një farë mënyre, ‘S’ka Shkurt’ është përkthimi modern i kësaj urtësie të vjetër shqiptare; çdo rrugë e shpejtë drejt ‘suksesit’ që anashkalon ligjin dhe mundin, në fund të çon më larg nga ëndrrat e tua,” u shpreh Lamallari.
Ministri e cilësoi parandalimin e kriminalitetit tek të rinjtë si prioritet të politikave publike të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tij, investimi më i madh që mund të bëhet është mbrojtja e të rinjve nga rrugët e gabuara dhe ofrimi i alternativave reale për zhvillim.
“Angazhimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një sistem drejtësie që ndërhyn herët, që parandalon përfshirjen në krim dhe që ofron mundësi të dyta për ata që zgjedhin të kthehen në rrugën e duhur,” theksoi ministri.
Më tej Lamallari nënvizoi se krimi sot nuk rekruton më vetëm në rrugë, por edhe në hapësirën digjitale, përmes imazheve të luksit dhe narrativave të rreme të suksesit. Pikërisht në këtë hapësirë digjitale, tha ministri, përgjigjja jonë duhet të jetë me një kundërnarrativë të fortë.
KOHA JONË SONDAZH

