Lamallari: Nevojë për instrumente të reja të Këshillit të Evropës kundër migracionit të paligjshëm
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari mori pjesë në takimin informal të ministrave të Drejtësisë të Këshillit të Evropës, të zhvilluar në Strasburg. Lamallari tha se në këtë takim “riafirmoi edhe një herë qëndrimin e qartë të Shqipërisë se migracioni në vetvete nuk është problem, por keqpërdorimi i tij nga aktorë dashakeqës dhe përbën sfidën e vërtetë që ne duhet ta adresojmë së bashku”.
“Theksova mbështetjen tonë për nismën danezo-italiane të konkretizuar në Deklaratën e Përbashkët dhe planin me katër pika të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, i cili synon të forcojë bashkëpunimin, duke ruajtur njëkohësisht rendin juridik evropian dhe veçanërisht integritetin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Lamallari.
Ministri nënvizoi se kemi nevojë për instrumente të reja të Këshillit të Evropës kundër migracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare. “Kontinenti ynë ka treguar historikisht se siguria dhe të drejtat e njeriut nuk janë kundërshti, por duhet të ecin së bashku”, tha ai. Lamallari theksoi se “kjo është balanca që duhet ruajtur, dhe Shqipëria mbetet e përkushtuar ta mbrojë. Ne qëndrojmë krah partnerëve tanë, për një Evropë të bashkuar, të sigurt dhe të udhëhequr nga sundimi i ligjit”.
KOHA JONË SONDAZH

