Lamallari viziton policët e plagosur në Spitalin e Traumës: Autorët janë identifikuar dhe do të përballen me drejtësinë
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar në Spitalin e Traumës tre efektivët e Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur gjatë përplasjeve me protestuesit jashtë ambienteve të Kuvendit.
Pas vizitës, Lamallari bëri të ditur se dy prej punonjësve të policisë kanë pësuar dëmtime në kokë si pasojë e goditjeve me gurë, por theksoi se gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
“Janë dëmtuar në kokë. Dua t’i siguroj familjarët se gjendja e tyre është stabël”, deklaroi ministri.
Lamallari paralajmëroi se personat përgjegjës për sulmin ndaj efektivëve janë identifikuar dhe do të përballen me drejtësinë.
“Kam një mesazh për ata vandalë që guxuan të hedhin gurë ndaj efektivëve të policisë. Janë identifikuar, do të shoqërohen dhe do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji. Kjo nuk ka të bëjë fare me protestën, ky është një akt kriminal”, u shpreh ai.
Ministri i Brendshëm theksoi se institucionet ligjzbatuese do të vijojnë punën për identifikimin dhe ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës gjatë protestës.
KOHA JONË SONDAZH

