Lambert Jorganxhi: Jam i rrethuar me muzikë në çdo moment të jetës sime
Albina Gjergji
Që një këngë të rezultojë e suksesshme, nuk mjafton vetëm zëri, as interpretimi live i këngëtarit dhe as koreografia. Pa një muzikë e tekst të bukur ajo do qëndronte e heshtur si një piano e paprekur në cepin e dhomës. E kur bëhet fjalë për përfaqësime të mëdha, siç është ajo e Festivalit në RTSH përgatitja duhet të jetë edhe më e mirëmenduar, në mënyrë që pritshmëria artistike të jetë pozitive. Kështu mendon edhe kompozitori i njohur Lambert Jorganxhi, të cilin teksa e pyesim mbi komponentët më të rëndësishëm të një kënge na rrëfen se përveç elementëve të lart përmendur, rol shumë të rëndëishëm luan muzika, pa të cilën edhe teksti më i bukur nuk do e përçonte sic duhej emocionin.
Edhe pak ditë na ndajnë nga Festivali i RTSH-së, ku ju do të jeni pjesë me krijime muzikore. Mund të na flisni pak përfshirjen tuaj në këtë kompeticion muzikor?
Këtë vit në Festivalin e 53 të RTSH marr pjesë me 2 produksione, konkretisht me Emi Bogdon dhe Klajdi Musabelliun dhe me autor teksti Jorgo Papingji dhe Roni Florian Zyka. Ka disa vjet ku festivali është live me një orkestër profesionistësh dhe muzikantë shumë të talentuar dhe besoj se është privilegj për ne kompozitorët dhe këngëtarët që çdo gjë është live. Aq më tepër për këngëtarët që kanë vlerën e tyre në skenë, sepse këndojnë live dhe ku marrin pjesë këngëtarët e vërtetë.
Klajdi Musabelliu dhe Emi Bogdo tashmë janë emra të afirmuar në skenën tonë muzikore. Kjo është hera e parë që bashkëpunoni me ta?
Me Klajdin dhe Emin jemi miq të vjetër dhe unë i vlerësoj si këngëtarë të muzikes live. Me Klajdin është bashkëpunimi i dytë. Për herë të parë kemi marrë pjesë në Festivalin e 49-të me këngën “Veten ti”! Kurse me Emin është bashkëpunim i parë, por besoj se jemi pak a shumë në një frymë muzikore dhe jemi në rrugë të mbarë.
Bëhet fjalë për balada, apo këngë ritmike?
Kënga e Emit është baladë dhe flet për tradhtinë e një femre, ku teksti luan një rol kryesor. Gjithashtu edhe orkestracioni, por zëri i fuqishem i Emit e ka goditur këtë këngë. Kurse Klajdi ka një këngë, le të themi baladë pop rock, e cila flet për një dashuri të madhe. Zëri karakteristik i Klajdit i jep veçantinë kësaj kënge.
Si lindi bashkëpunimi mes jush, kishit kohë qe mendonit?
Kur u ula të kompozoj këngën e Emit u nisa për të bërë një baladë dhe mendova se duhej një zë i fuqishëm dhe e ftova në bashkëpunim, pastaj kënga mori formën e saj deri në perfundim të saj. Kurse me Klajdin kishim meduar të merrnim pjesë në Festival, sepse donte të rikthehej me një produksion të ri.
Sa të rëndësishme janë tekstet në një këngë Lambert dhe a mendoni që peshën kryesore e mban pikërisht ky aspekt në një vijë melodike?
Mendoj se në një këngë është shumë i rëndësishëm teksti që përmban, sepse kuptimi i këngës është ai dhe besoj se fjala i jep kuptim muzikës në çdo këngë. Por ndodh edhe anasjelltas, pra plotësojnë njëra-tjetrën me muzikën.
Opinioni i përgjithshëm mbi tekstet muzikore shqiptare?
Tregu shqiptar mendoj se kohët e fundit po kanalizohet në fryma muzikore. Për një pjesë të teksteve nuk i marr vesh çfarë kuptimi ka kënga me fjalë boshe, por besoj se ka shume autorë të rinj, të cilët japin mesazhe të bukura mbi këngë, siç ishte dhe miku ynë Dr. Flori, i cili la një mesazh të madh mbi muziken shqiptare.
Lambert Jorgaxhi, tashmë duket se është bërë markë, nisur edhe nga mbiemri artistik që gëzoni nga familja juaj. Mund të na flisni pak për frymën artistike që ju është ushqyer që në fëmijëri, pra cila është lidhja juaj me muzikën dhe nëse do të bënit një krahasim me çfarë do ta krahasonit dashurinë që ndjeni për këtë pasion e profesion?
Jam i nderuar që jam pasardhës i familjes Jorganxhi. Që në fëmijëri jam ndikuar nga muzika. Kam nisur të merrem me muzikë që në moshën 5-vjeçare, ku im atë filloi të nuhaste në mua veshin muzikor dhe që në atë moshë fillova të mësoj piano dhe u regjistrova në shkollën e muzikës. Më pas vazhdova Liceun për kitarë dhe Akademinë e Arteve për Kompozicion. Mund të them se muzika ka qenë gjithçka në jetën time. Jam i rrethuar me muzikë në çdo moment të jetës sime dhe them se nuk do kisha mundur të bëja gjë pa muzikë.
Sa vite u bënë që merreni me muzikë dhe a ka pasur ndonjë moment që keni thënë “STOP! U LODHA”?
Kam rreth 12 vjet që i jam përkushtuar punës si kompozitor dhe kam marrë pjesë në Festivale të muzikës live e me videoklipe. Mendoj se është shumë herët për të thënë STOP, sepse mbas çdo gjëje njeriu me punë dhe vullnet të madh mund të arrijë shumë gjëra. Vetëm pasioni dhe besimi në vetvete e mban çdo gjë.
Keni menduar ndonjëherë të këndoni, përveçse të krijoni muzikë?
Eh, dikur në Lice kam kënduar, por jam i mendimit se njeriu duhet të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Kështu që unë i jam përkushtuarpunës si krijues, sepse ky është pasioni im më i madh dhe që di të bëj më së miri.
A ka miq të mirë një muzikant, apo rivaliteti mbizotëron më shumë në këtë profesion?
Në profesionin tonë ka rivalitet dhe xhelozi të madhe, por të gjithë muzikantët dhe artistët unë i quaj miq, derisa kemi një qëllim të vetëm për të ngritur muzikën shqiptare. Tek çdo artist besoj se e tregon vetë puna. Nuk ka nevojë për fjalë. Them se miq të mirë janë ata që të ndihmojnë me zemër.
Sa pjesëmarrje numëroni në Festivalin e RTSH-së?
Në Festivalin e RTSH-së është i gjashti vit që marr pjesë. Pjesëmarrjet e mia kanë qenë me Kellyn, Klajdi Musabelliun, Denis Hasën, Rezarta Smajën dhe Marjeta Billon. Të gjithë talentë.
Çfarë prisni nga ky eveniment?
Në këtë eveniment në radhë të parë i uroj shumë suksese miqve të mi artistë dhe vlerësim i madh do ishte që këngët të mbeteshin në publik dhe këndoheshin vite më vonë. Do Zoti shkon mbarë.
Jeni zhgënjyer nga ndonjë kompeticion muzikor dhe cili ka qenë reagimi juaj në rast se ka ndodhur?
Besoj se në çdo kompeticion kam marrë pjesë me produksione të arrira. Si çdo gjë edhe muzika këtu është bërë klan. Ndonëse jam revoltuar ndonjëherë, por kam kthyer faqen dhe kam bërë një këngë më të bukur.
Kritiku juaj më i mirë?
Kritiku më i mirë janë miqtë e mi, të cilët bëjnë diferencën. Shpeshherë është edhe halla, Zhuljana Jorganxhi, e cila më ka inspiruar në muzikë ku kam pasur dhe këngët e para me të. Tekstet e saj kanë luajtur një rol të veçante në muzikën time.