Lamtumira e fundit e Fatos Nanos, një lamtumirë edhe përmes fjalës!
Në Pallatin e Kongreseve po bëhen homazhet në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Të shumtë janë ata që kanë ardhur t’i japin lamtumirën e fundit Fatos Nanos, i cili u nda nga jeta më 31 tetor 2025, në moshën 73-vjeçare pas 24 ditësh beteje me një sëmundje të rëndë. Fjalët ngushëlluese për familjarët, më shumë se me prani dhe me shënimet në librin e ngushëllimeve, eksponentë të rëndësishëm të politikës dhe jo vetëm, janë shprehur edhe për mediat.
Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi: “Sot është dita që të nderojmë dhe përkujtojmë Fatos Nanon, Fatos Nanon si të parin themelues të PS, si i parë reformues i PS, si i parë demokratizues i PS, si i parë transformues i PS. Fatos nano si lider i PS në 14 vjet ku nuk ka për të ndodhur më që në harkun e 14 viteve 4 vjet ti kalosh në izolim dhe 8 vjet ta mbash forcën politike në pushtet, në dekadën e parë të transformimit të kësaj force politike. Do të mbahet mend si i pari që në zgjedhjet e para dhe të fundit që humbi dha dorëheqjen duke lënë të lirë forcën politike dhe gjeneratën e re për të marrë drejtimin e saj. Do të mbahet mend si i pari që tezën që tha se kur erdhi në pushtet “se do të sakrifikoj pushtet për të ndërtuar pushtet”, nuk e kishte predikim, por e bëri realitet. E bëri realitet kur ishte në pushtet, që i hapi rrugën dy djemve të rinj të PS për tu bërë kryeministër dhe se Fatos Nano do të ngelet një qytetar ekselent, intelektual i klasit të parë, politikan race dhe do mbahet mend si i pari politikan që në demokraci është persekutuar 4 vjet. I paharruar kujtimi i vëllait tim.”
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj: “Ishte mendjahapur, ishte liberal dhe u fokusua tek paqja sociale. Gjithë qeverisja e tij ishte e fokusuar në këtë drejtim, që të gjendeshin hapësira për të harruar 97 dhe për të ndërtuar paqe duke lënë hapësira përfaqësimi edhe për opozitën. Është model i vecantë, të shpresojmë që do respektohet dhe të shërbejë si inspirim”
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka: “Ai vdiq kur i vdiq ajo që kishte më të mirën në trupin e tij, trurin. Ai tha që cdo njeri ka anët e forta të veta, dikush është atlet dikush ka trupin. Fatos Nano kishte trurin. Kur i vdiq truri, vdiq Nano”
Deputeti i PS, Erion Braçe: “Fatos Nano i dha mundësi të gjithëve, edhe atyre që ishin në rrënojat e Partisë së Punës dhe gjithë të tjerëve që dolën më pas. Pa i mohuar kërkujt mundësinë për tu rritur, për tu zhvilluar dhe për të bërë karrierë brenda PS. I dha lirinë e mundshme që të bëheshin njerëz më të mirë dhe të bënin një parti më të mirë sesa ajo që trashëgoi”
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu: “Fatos Nanon do ta kujtoj si njeriun e mendimit dhe tolerancës. Një kundërshtar me të cilin kur debatoje duhet të mendoheshe thellë dhe me kontribute në të gjithë jetën politike. Asnjë nuk është perfekt, por Fatos Nano kishte tolerancë si pak politikanë shqiptare e kanë”
Ish-truproja i Fatos Nanos, Viktor Agolli: “Një njeri që kurrë nuk u hakmor, edhe pse ndaj tij u hakmor politika. Jetën politike nuk ja shkatërroi vetëm Sali Berisha, por edhe bashkëpunëtorët e vet, Servet Pëllumbi, Ilir Meta, Namik Dokle, Luan Hajdaraga e shumë të tjerë. Fatos Nano do mbahet mend për njerëzit e thjeshtë për atë që bëri. E mori në 97 të shkatërruar. Njeriu që ndoqi parimet e veta për një Shqipëri të demokratizuar dhe tolerante. Është ai Fatos Nano që i njohu dorëheqjen dhe nuk e kthye më kurrë në politikë. I mori njerëzit nga rruga dhe i bëri ministra. Kishte miq nga Bill Clinton dhe shumë të tjerë. Ishte burrë shteti”
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi: “Në emër të Presidentit të PL, Ilir Meta, në emër të PL dhe në emrin tonë personal, i shprehim sot ngushëllimet më të sinqerta për familjen, bashkëpunëtorët dhe simpatizantët e zotit Nano. Një figurë kyçe e tranzicionit politik shqiptar, që pati meritën e transformimit të Partinë së Punës në një parti Socialdemokrate evropiane. Por mbi të gjithë dy qëndrimet e tij të lëshojmë pushtet për të ndërtuar shtet dhe se organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është më i rëndësishëm sesa rezultati janë dy qëndrime që duhet ta udhëheqin të majtën shqiptare”
Ish deputeti i PS, Petro Koçi: “Ngriti nga gërmadhat Partinë e Punës në një parti demokratike evropiane dhe pastaj i njëjti mision për të ngritur Shqipërinë nga gërmadhat e 1997 në një shtet normal. Ishte dhe mbeti një politikan i një qytetarie me një intelekt të pakonkurrueshëm që përballoi me një shpirt fisnik politikën e egër të burgosjes së Sali Berishës. Fatos Nano ishte patriot i madh, jo vetëm ringriti shtetin ëe rënë në 1997, por i dha shpirt çlirimtar dhe armë UCK. Edhe takimi i përfolur me Milloshevicin, duhet përcaktuar si një paradhomë e Rambujesë. Ishte shembulli i kurajës shtetërore dhe diplomacisë kurajoze. Ishte takim në një valë të padiskutueshme me partnerët tanë gjeostrategjik.”
KOHA JONË SONDAZH

