Lamtumira për Fatos Nanon, bashkon Kurtin dhe Ramën
Për mediat kosovare, ashtu si dhe për ato shqiptare, ecja krah për krah dhe biseda mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologut të tij kosovar, Albin Kurti, gjatë përcjelljes së arkivolit me trupin e pajetë të Kryetarit historik të Partisë Socialiste, nuk ka kaluar pa u vënë re. Arkivoli, që u zhvendos nga shtrati i topit në makinën funerale, shënoi një moment të veçantë në ceremoninë e nderimeve shtetërore.
Ish-kryeministri dhe lideri historik i së majtës shqiptare, Fatos Nano, u përcoll sot për në banesën e fundit, në një ngjarje që mbledhi krerët më të lartë të shtetit shqiptar, përfaqësues të opozitës, delegacione nga Kosova dhe shqiptarë nga mbarë rajoni.
Një nga momentet më të komentuar të ceremonisë ishte takimi mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dy liderë që nuk njihen për marrëdhënie të ngrohta politike. Ata u panë duke shkëmbyer disa fjalë ndërsa ecën së bashku drejt Kryeministrisë, ku arkivoli i Nanos bëri kalimin simbolik përpara institucionit që ai drejtoi për dekada me radhë. Ky imazh u lexua si një simbol i respektit mbi dallimet politike, një përkujtim se nderimi për një figurë të shquar mund të bashkojë edhe kundërshtarët politikë.
Pas ceremonisë shtetërore në Pallatin e Kongreseve, arkivoli i Fatos Nanos u përcoll për në Varrezat e Sharrës, ku u zhvilluan homazhet e fundit për një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90.
Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Ai vendosi një kurorë të freskët me lule pranë arkivolit dhe bëri homazhe, duke nderuar kontributin e madh të Nanos në jetën politike dhe shoqërore të Shqipërisë.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

