Lamtumirë Fadil Kujovska, krijues i madh karakteresh

Kujovska ka lënë pas një karrierë të pasur dhe gjurmë në kinematografinë shqiptare. Ai ka realizuar dhjetëra role në skenë dhe në  kinematografi. Fadil Kujovksa kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974 filloi punë në Televizionin Shqiptar. Më pas më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore, apo rangjet administrative.

Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit “Miq të paftuar”, nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut, “Ushtari i mirë Shvejk”. Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej siç duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit. Aktori i mirënjohur Kujovska ka interpretuar shume role karakteresh si, Hoxhë Qitapit në dramën “Besa e Madhe” të M. Markajt. Një vit më pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën “Furrnalta” të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës dhe sensin humoristik. Më pas në “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, në rolin e Sër Tobit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij. Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë “Pas vdekjes” të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudo-intelektualit dhe pseudo-patriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetërsuese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse. Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën “Monsetrati” të Roblesë, atë të prefektit Vehip në komedinë “Karnavalet e Korçës” të S. Çomores etj.. I pa harruar do mbetet Cuku te filmi komedi, “Dy here mat”, një dyshe fantastike me aktorin tjetër brilant, Aleko Prodani.

Fadil Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar  në filma artistikë dhe në disa filma televizivë. Në kujtesën e spektatorëve do të mbeten shumë personazhe tipike të realizuara prej tij. Një nga miqtë më të afërt të Artistit të Popullit, Kadri Roshi do t’i mungojë tashmë familjes dhe skenës shqiptare. Lamtumirë Cuk!

 

Filmat e Fadil Kujovskës

Filumena Marturano – (2009) teatër

Trapi i vjetër – (2005)

Parullat – (2001) Pashku

Borxhliu – (1998)

Kolonel Bunker -(1998)

Pak freskët sonte – (1994) kinezi

Nata e dymbëdhjetë, teatër-komedi

Historiani dhe kameleonët – (1989)

Shkëlqimi i përkohshëm – (1988)

Tela për violinë – (1987)

Dy herë mat – (1986) Cuku

Kush vdes në këmbë-(1984)

Duaje emrin tënd-(1984) llogaritari

Dasma e shtyrë – (1984)

Dita e parë e emërimit – (1981) Shoferi

Agimet e stinës së madhe – (1981) Mëhill Bani, tekniku i urës.

 

SHKARKO APP