Legalizimet, vetëdeklarimet shtyhen deri në 31 janar 2015
Afati i vetëdeklarimeve të ndërtimeve pa leje zgjatet deri më 31 janar 2015, pra ai nuk do të mbyllet pas 5 ditësh, siç ishte caktuar më parë. Ky është vendimi më i fundit i ALUIZNI-t, i cili u bë me dije dje publikisht nga drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Artan Lame. Sipas tij, arsyeja kryesore për të cilën afati zgjatet edhe një muaj janë emigrantët, të cilët po kthehen në atdhe dhe duhet që t’iu jepet koha e duhur për të realizuar procedurat e për të mos i lënë në radha pikërisht ditët e festave. Teksa afati i përcaktuar më parë për vetëdeklarimet ishte 10 shtator 2014-31 dhjetor 2014. “Pasi u diskutua me Kryeministrin, u vendos që afati i vetdeklarimeve të ndërtimeve pa leje, të shtyhet nga 31 dhjetori 2014 për në 31 janar 2015,- tha Lame. E bëjmë këtë shtyrje për disa arsye: 1. Për t’i dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve të përfshihen në procesin e legalizmimeve. 2. Ditët e fundit janë kthyer në atdhe në mënyrë masive mijëra emigrantë, një pjesë e të cilëve kanë problem me legalizimin. Nëpërmjet shtyrjes së këtij afati deri në 31 janar, u japim mundësi atyre që qetësisht të bëhen pjesë edhe ata të kësaj reforme. Dua të informoj emigrantët dhe familjarët e tyre këtu, se ALUIZNI është duke hartuar një program për mundësimin e kryerjes së procedurave të vetëdeklarimit dhe të disa procedurave të tjera të legalizimit, direkt përmes konsullatave shqiptare në vendet kryesore të qëndrimit të tyre. 3. Shtyrja e afatit do të ulte presionin mbi sportelet tona, duke krijuar më tepër mundësi për një shërbim më cilësor qytetarët. Dhe 4, do të dëshironim që këto ditë të fund-vitit, më mirë ti kalonin me përgatitjen e festave, sesa në radhët e ALUIZNI-t”, sqaroi Lame. Duke shtuar se të 14 drejtoritë rajonale dhe të 11 sportelet shtesë të hapura nëpër qytete, do të jenë në dispozicion të qytetarëve për kryerjen e procedurave të vetdeklarimt, deri në 31 janar 2015. “Përfitoj nga rasti të sqaroj qytetarët që ata që kanë vetdeklaruar një herë gjatë këtyre viteve, nuk duhet të vetëdeklarojnë rishtaz, sepse është i vlefshëm dokumentacioni që kanë depozituar një herë. Gjithashtu do t’i ftoja qytetarët që në këto ditë fundviti dhe në ditët e para të Vitit të Ri, t’u lënë mundësi më tepër emigrantëve të cilëve u duhet të kthehen në vendet e tyre të punës. Bashkarisht e kemi nisur këtë reformë dhe bashkarisht do ta përfundojmë me sukses”, tha gjithashtu ai.
Për të shtuar sakaq se kjo mundësi e re për qytetarët, u hap në datë 10.09.2014 dhe duhet të mbyllej në datën 31 dhjetor 2014, pra pas 5 ditësh. Ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe katër-mujore, i janë përgjigjur ftesës së ALUIZNI-t deri tani në rang republike 72.000 qytetarë të tjerë, të cilët i shtohen shifrës prej 270 mijëve vetëdeklarimeve të deritanishme, të bëra që nga viti 2005 deri në vitin 2013. Shifër kjo, të cilën ai e ka cilësuar si surprizë të vërtetë vetëdeklarimesh të reja, duke e argumentuar këtë me kaosin urban, por edhe bindjen e qytetarëve se kësaj radhe shteti e ka marrë seriozisht hallin e tyre, gjë që ka bërë që sipas tij, ata të vijnë në mënyrë masive për t’u përfshirë në këtë reformë.