Lëmshi Gordian i politikës shqiptare
Nga Albana Bano/Pas 25 vjetësh demokraci dhe pluralizëm politik, jemi dëshmitarë të progresit domethënës që ka bërë vendi në pothuajse të gjithë sektorët e jetës. Tashmë Shqipëria është një demokraci në konsolidim, anëtar i NATO-s dhe shtet kandidat për në Bashkimin Europian.
Këto janë arritje thelbësore për një vend të vogël që doli më shumë se i shkatërruar nga regjimi i egër dhe izolimi absurd që iu imponua qytetarëve fisnikë dhe liridashës shqiptarë.
Megjithatë, konstatimi i mësipërm do të ishte i vlefshëm dhe i kënaqshëm nëse arritjet e deritanishme do t`i krahasonim vetëm me nivelin në të cilin gjendej vendi para 25 vitesh. Por rasti i Shqipërisë është shumë më kompleks se kaq. Ne nuk jemi thjesht një vend që rrjedh nga një e shkuar (cilado qoftë ajo); ne jemi një shtet në zemër të Europës Juglindore, i rrethuar nga fqinj europianë, kultura, zhvillimi dhe demokracia e ndonjë prej të cilëve janë nga më të avancuarat në botën perëndimore.
Më tej, ne jemi sot një vend i hapur, me një komunitet prej më shumë se 1,5 milionë emigrantësh në vendet e BE-së, Amerikë, Kanada, që jetojnë, punojnë e zhvillohen brenda demokracive gjenuine, shteteve të së drejtës, lirisë e prosperitetit që sjell kapitalizmi dhe ekonomia e tregut. Gjithashtu, qytetarët tanë që prej 2010-s lëvizin lirshëm nëpër hapësirën Shengen duke u njohur nga afër me kulturën, traditat, vlerat dhe parimet mbi të cilat janë ngritur me sukses shtetet demokratike dhe pasuria e tyre ekonomike. Së fundi, nuk mund ta nxjerrim Shqipërinë nga konteksti i marrëdhënieve ndërkombëtare, ku tashmë jemi konfirmuar si aleatë të palëkundur të SHBA dhe BE. Falë këtyre aleancave solide, vendi ka përftuar dhe vazhdon të përftojë asistencë substanciale me ndikim të madh pozitiv në progresin dhe përafrimin me standardet e BE-së.
E pra, po të marrim parasysh këtë tablo të gjerë të përmbajtjes dhe hapësirës ku ka operuar Shqipëria që prej vitit 1990, si dhe faktin se shtetarëve dhe qytetarëve tanë nuk u ka munguar eksperienca direkte me demokracitë tradicionale, do të thoshim se nuk kemi ecur përpara aq sa duhet pavarësisht se potencialet për t`u zhvilluar kanë qenë vërtetë të konsiderueshme.
Tregues të këtij zhvillimi të vonuar janë: kaosi politik, institucional e shoqëror në të cilin gjendet vendi edhe sot e kësaj dite; varfëria ekonomike, korrupsioni, krimi i organizuar; obsesioni për revolucione të dhunshme dhe agresiviteti verbal; politika në shërbim të interesave të ngushta klanore, të zhveshura nga idetë, pa një kuadër vlerash, parimesh, apo kredo të caktuar politike me të cilat të identifikohen.
Çfarë e ka penguar zhvillimin tonë? Fillimisht e ka frenuar kaosi dhe çoroditja që pasoi rënien e komunizmit. Bashkë me regjimin nuk ra vetëm diktatura, por u shthurën të gjitha strukturat e shtetit. Kjo ndodhi më së shumti si pasojë e dëshirës së liderëve të vjetër politikë për ta lënë vendin në anarki dhe më tej u përforcua nga ngutja e politikanëve të rinj për të shfarosur çdo gjë të mbetur nga e shkuara, me motivin karakteristik shqiptar se, “do ndërtojmë një shtet të lirë, të lumtur e të begatë, mbi rrënojat e së shkuarës”.
Pavarësisht faktit se motivi “shtet i lirë, i lumtur e i begatë” është sublim, Shqipëria ka eksperiencë të hidhur në lidhje me shfarosjet dhe rrënojat e herë-pas-hershme mbi të cilat kërkon gjithnjë të ngrejë një strehë të re. Në traditën tonë politike, asgjë nuk mund të ndërtohet nëse nga njëra anë nuk rrafshohet gjithçka dhe nga ana tjetër krijohen rrënoja, të cilat në vetvete u shërbejnë forcave të reja në pushtet si dëshmi se çdo gjë e shkuar është përmbysur, se dikush ka rënë nga qielli dhe sot sundon një kolos i ri, i gjithëfuqishëm dhe i gjithëpushtetshëm si kurrë kush më parë.
Prirja jonë fataliste e dyzuar midis shfarosjes që krijon boshllëk dhe mbivendosjes së rrënojave shtresëzimi i të cilave na shembet periodikisht mbi krye, është një nga nyjet më të vështira për t`u shpleksur në botëkuptimin tonë politik e social. Kjo nyje me rrënjë të thella nuk ka munguar së ushtruari presion as gjatë këtyre 25 viteve demokraci veçanërisht gjatë krizës së `97-`98 kur shteti ynë i brishtë u shkërmoq mbi boshllëkun dhe gërmadhat ku ishte ngritur.
Përveç sa më lart, një tjetër pjesë e rëndësishme ka luajtur rol në ngërçin tonë kronik drejt zhvillimit. Kjo është pjesa e fshehur që ne mbartim në vete në mënyrë të pavetëdijshme dhe që daton nga koha e diktaturës. Megjithëse regjimi ra në 1990, ai na ka lënë pas frikën nga pushteti dhe autoriteti, mungesën e sensit të drejtësisë, të lirisë së fjalës, institucioneve të pavarura dhe të drejtave të njeriut. Këto nyje mbytëse që trashëguam nga e shkuara, në vend që të shplekseshin gjatë këtyre 25 viteve, u përzjenë me nyje të reja që lindën si pasojë e përmbysjes së diktaturës dhe zëvendësimit të saj me demokracinë. Ndërthurja e problemeve që rrjedhin nga e shkuara me ato të së tashmes, rezulton në një lëmsh të vërtetë që herë pas herë shkakton stanjacion të plotë politik, ekonomik dhe social.
Shpesh thuhet se zhvillimi i cunguar i Shqipërisë vjen dhe si pasojë e mungesës së vizionit për të ardhmen. Por, çfarë është në të vërtetë vizioni në këtë rast? Asgjë më shumë se dëshira për transformimin e vendit sipas një modeli të caktuar, që për ne është bota perëndimore. Vizioni nuk është ndonjë gjë e vështirë për t`u përcaktuar apo shpikur, por me ç`duket liderët tanë politikë qoftë dhe në mënyrë të pavetëdijshme, e ngatërrojnë ndonjëherë se nga cili yll orientohen dhe padashje nxjerrin në pah jo vetëm prirjet e tyre autoritare, por një traditë të tërë opresive që populli shqiptar mbart si lëmsh në vete nga shekujt e gjatë të nënshtrimit, dhunës, varfërisë.
Si konkluzion, Shqipëria nuk është ende vendi i lirisë në kuptimin e plotë perëndimor të fjalës. Në Shqipëri ka ende frikë: frikë nga autoriteti, pushteti, që shpie në ri-ngritjen e kultit të individit, i cili pasi e përvetëson pushtetin, ka dhe fuqinë të rrokullisë fatet e vendit si të dojë, pa i dhënë kujt llogari për veprimet që bën e vendimet që merr dhe ç`është më e keqja dhe pa i kërkuar kush llogari prej atyre qindra mijërave të prekur nga dhuna e individit kult.
Por ky është një lëmsh tjetër më vete brenda strumbullarit të lëmsheve që ia kanë zënë grykën shtetit shqiptar dhe prej të cilëve nuk mund të shpëtojmë me një të rënë të shpatës, pasi kjo do të krijonte sërish premisat për formimin e nyjeve të reja për të garantuar kontinuitet, kujtesë, kohezion kombëtar, shtetëror dhe shpirtëror. Prandaj, na duhet t`i shpleksim lëmshet me durim e këmbëngulje, për t`i dhënë fund nyjëzimit që na pengon të zhvillohemi normalisht dhe na kushtëzon në veprimet dhe zgjedhjet tona të ardhmen.