Lezha, një mare nostrum për pushimet

Nga Alfred Lela

Ka një pajtim në Tiranë, sidomos ndër ata që mund të konsiderohen shumë gliteratti e pak literatti se vetëm Jugu, e sidomos Drimades apo Jali, është vendi ku mund të pushohet në Shqipëri. Disa pika në bregdetin jonian janë megjithëmend in ndërkohë që Adriatiku nuk është më mare nostrum. Madje ka filluar të konsiderohet, me nëntekst, si njëfarë mare monstrum: mbushur me kosovarë dhe me kujtimin e dikurshëm kur Durrësi ishte për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë sic ishte Roma për perandorinë.

Veriun, as mos guxo t’ia përmendësh dikujt se do ndeshesh me grimasat që zakonisht u blatohen lebrozëve.

Për vete, hyj ndër ata që notojnë në krah të kundër dhe i ngjitem detit përpjetë. Busulla më tregon Nord. Qysh kur Durrësi ‘m’u mbyt’, Lezha u kthye në destinacionin e pushimeve. Nuk ka rëndësi kohëzgjatja: ditore, fundjavore apo dyjavore. Kur thua Lezha, sigurisht nuk ke ndërmend Shëngjinin. Aspak. Shëngjini ka pothuajse kaosin e Durrësit, por pa sofistikimin kulinar që mund ta gjesh në restorantet e Dyrrahut të vjetër (ato që janë hapur gjithë vitin, dhe jo qebaptoret ambulante të verës).

Lezha i ka thesaret në margjina: një vend që quhet Rana e Hedhun, mbledh në një gji të vogël një breg të mrekullueshëm me rërë masive dhe ujë të pastër. Ndoshta nuk do zgjasë shumë kështu, sepse përparimi i betonit dhe makinave është futur edhe brenda këtij sekreti, por plazhet e Ranës kanë ende habinë e asaj që quhet ‘e virgjër’.

Hotelet nuk janë kushedi cfarë, me përjashtim të një 9 dhomëshi serioz (Sigal Resort) i cili të ofron komoditet, shërbim dhe mundësinë e argëtimit me fusha tenisi, basketbolli e volejbolli.  Një shezlong te Rana kushton sa gjysma e sivëllait në Jug, dhe po kaq edhe një drekë apo darkë. Gastronominë e mirë megjithatë mos e kërkoni këtu. Për 10, 20 apo 30 minuta mund të udhëtoni në tre vende ku ushqimi, dhe gjithaq shërbimi, janë të pakrahasueshëm. Rapsodia në rrugën që të sjell nga Lezha në Shëngjin, Mrizi i Zanavenë fshatin Fishtë, pak minuta pasi lë Lezhën në drejtim të Shkodrës, dhe Te Diella në lagunën e Vainit, përbëjnë një trekëndësh të kulinarisë fantastike. Edhe pse ndryshojnë në karakterin e asaj që ofrojnë, secila në të drejtën e vet janë përvoja të paharrueshme.

Rapsodia ka thelb italian që takohet me kreativitetin e shefit të kuzhinës Alfred Marku, i cili e sheh cdo gatim si projekt artistik. Mrizi i mëshon prirjes slow food dhe mbështetet te prodhimet bio, shumica të nxjerra nga ferma që rrethon restorantin. Te Diella ka një kombinim të rezervave agrikulturore dhe detare të zonës. Aty thjeshtësia është sofistikimi. Diella, pronarja e sipërmarrjes, duket e zhduket si një orë e mirë, dhe te emri e silueta e saj duket sikur bashkohen, jo vetëm hijeshia dhe historia e zonës, por edhe cdomethënë sipërmarrje e lirë me punën dhe djersën tënde.

Në fakt, të tre këto restorante janë triumfi i sipërmarrjes së lirë, talentit, dhe besimit te puna. Aty nuk e gjen ngutin e restoranteve sezonale që e has në bregdetin jonian, ku fabula përkthehet në të kapim c’të kapim. Kjo sjell shërbim mjeran dhe i kthen pushimet në dëshirë për arrati prej pushimeve.

Lezha, sigurisht nuk është vetëm nën shenjën e mirë të këtyre restoranteve. Edhe ajo është e mbushur me shkeljet e saj, siçcdo cep i Shqipëisë ku vera shihet si një pritë për xhepin e tjetrit. Një gazetashitës në qendër ankohet për aksesin e pamundur në qytet, kaosin e pluhurin pas hapjes së disa rrugëve dhe mbylljes së urës që të lidh me autostradën. Ç’kohë e papërshtatshme për rikonstruksione ky sezoni i pushimeve, duket sikur thotë.

Lezha megjithatë i ka mundësitë: historike, gjeografike, kulturore e kulinare që ta bëjë Adriatikun edhe njëherë mare nostrum të pushimeve.

MAPO

SHKARKO APP