Libri, shkolla kultura fillon bashkimi kombëtar i shqiptarëve

 

Dr.Skënder Demaliaj

 

NGA LIBRI, SHKOLLA KULTURA FILLON BASHKIMI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE. (Nisma konkrete dhe të rëndësishme në Shkollën e Lartë Private Mesdhetare të Shqipërisë)

I Madhi Arbën Xhaferi na mëson: “Ne duhet të kuptojmë se pa një politikë nacionale nuk mund të krijohet kohezioni i brendshëm brenda një shoqërie … dallimi mes popujve qytetërues dhe atyre që kanë vështirësi ekziston tek konstatimi se popujt nuk mund të organizohen në momentet më vendimtare dhe për çështje vendimtare i humbin perspektivat historike”.

Përvoja botërore ka dëshmuar se kombet që i kanë afirmuar interesat e tyre kombëtare i kanë realizuar projektet e tyre shumë më shpejt.

  1. Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë para disa ditësh iu dhuroi me qindra libra shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Me moton “Një libër për vëllezërit tanë” pedagogë, studentë, por edhe qytetarë jashtë këtij institucioni u bënë pjesë dhe protagonistë të kësaj nisme.  Librat ishin të shumëllojshme: poezi, tregime, romane, nga letërsia shqipe, studime shkencore, tekste mësimore, manuale dhe metodika për përvetësimin e programit në gjuhën shqipe. Duke qenë pjesë e programit mësimor, këto libra ndihmojnë në zhvillimin e gjuhës dhe arsimit kombëtar.

Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë dha, gjithashtu edhe 3 bursa falas për studentët ekselentë të Luginës së Preshevës.

Ekzistenca e kombit shqiptar ka qenë e lidhur me gjuhën dhe arsimimin e tij në shqip. Gjuha është mjeti i parë dhe i pazëvendësueshëm i zhvillimit mendor dhe shpirtëror të një populli. Në gjuhë gjenden fuqia, fati dhe dinjiteti ynë. Sipas Sami Frashërit “… vetëm njeriu i arsimuar, para së gjithash në gjuhën amtare do të ishte në gjendje ta njihte natyrën dhe ekzistencëne vet, të përvetësonte të vërtetat shkencore me qëllim që edhe jeta e tij të ishte më e pasur, e shumëllojshme dhe sa më e bukur”.

Përsa kohë një komb ruan gjuhën, ai i ka të gjitha mundësitë të mbahet gjallë dhe t’u qëndrojë rrebesheve që mund ta kërcënojnë. Pa arsim asnjë popull nuk ka përparuar. Është rasti të nënvizojmë vargjet e poetit Gjergj Fishta: “N’komb piramidat i ngrehi shkolla/ I dha hije të gjallë mermerit”.

  1. Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë dha gjithashtu edhe 3 bursa falas për Edea Demaliaj, Gentian Deda dhe Dilan Reka, të cilët ishin në treshen fituese në konkursin X-Factor Albania (program muzikor, organizuar nga TV Klan, nën drejtimin e Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut). Në këtë konkurim morrën pjesë këngëtarë edhe nga shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë. Kënga, vallja sjellin emocione të fuqishme tek spektatori. Emocionet konkrete kombëtare – janë një nga faktorët përcaktues në komunikimet e ardhshme në hapësirat ndërshqiptare. Në maj 2015 në Gjirokastër u organizua Festivali Folklorik Mbarëkombëtar, ku morrën pjesë grupe nga të gjitha qarqet e Shqipërisë, por ishin të ftuar edhe grupe të veçanta nga shqiptarët në Mal të Zi, Kosovë, Lugina e Preshevës, Maqedonia dhe Arbëreshët e Italisë. Do të ishte shumë më mirë që pjesëmarrës në këtë festival të ishin të gjithë shqiptarët në trevat ku jetojnë, jo grupe të veçanta, nga një zonë apo krahinë. Ishte momenti që të kishte një juri të përbashkët për mbarë trevat shqiptare dhe jo një juri me specialistë vetëm të Republikës së Shqipërisë.

Pa krijuar institucione gjithëkombëtare, nuk mund të kemi politika gjithëkombëtare. Mungesa e këtyre politikave dhe e institucioneve është rrjedhojë e mungesës së nje filozofie politike kombëtare. Sipas psikologëve dhe sociologëve kombi është një ndjenjë, një ide, një harmoni shpirtërore, një kuptim shpirtëror.

Levi Straussi kulturën e përkufizon si një tërësi të formuar nga strukturat mendore, të ndikuara si nga historia, ashtu edhe nga mjedisi psikologjik e social i grupit. Jemi në kohën e duhur të tejkalohen pengesat e brendshme, si mentalitetet, ashtu edhe nga interesa të pjesëshme të një pjese të kombit ndaj pjesës tjetër dhe pengesat e jashtme që rivendosin ndarje në trupin e tyre. Funksionimi i hapësirës unike kombëtare në të gjitha planet (politik, ekonomik, arsimor, kulturor) – tejkalon ndarjet dhe përçarjet e motivuara nga historia apo nga aktualiteti politik.

Zhan Mone – vijuesi për një Europë të Bashkuar, shumë kohë më vonë është shprehur se nëse duhet të riniste vizionin për bashkim, ai do të fillonte projektin, duke i dhënë prioritet më shumë kulturës sesa  ekonomisë. Kultura bashkon popujt dhe shtetet.

Cilësia e Europës është afirmimi i idesë kombëtare dhe jo shuarja e idesë kombëtare. Ta kuptojmë – e të reflektojmë. Është koha e përgjegjësisë kombëtare. Mos të mbetemi në fazën e mbajtjes së fjalimeve të gjata, pa bereqet e që t’u pëlqejnë të huajve… por ta mbajmë fjalën dhe të sjellim ndryshim cilësor … ndryshimin e gjendjes mund ta bëjnë vetëm forcat, të cilat ndërtojnë ardhmërinë.

Epilogu

Shtrohet pyetja: kemi apo nuk kemi nevojë për një mendje kolektive kombëtare? Përgjigja: sot më shumë se kurrë.

Shqiptarët e kanë detyrë kombëtare që të mendojnë për shqiptarët nesër… Realizime mund të ketë vetëm një popull, i cili bashkon mendjet e ndritura dhe i vë në punë për kauzën kombëtare.

Gjendja është kjo që është, perspektiva do të jetë çfarë do të ndërtojmë ne vetë në të  gjithë sektorët: në ekonomi, në politikë, në arsim, kulturë… mbi të gjitha të ndërtojmë një infrastrukturë të përbashkët shpirtërore për të gjitha trevat shqiptare dhe të realizojmë bashkërenditje veprimtarish në hapësirën gjithëkombëtare. Të mos harrojmë amanetin e Faik Konicës “një popull që arrin të ketë një stil shpirtëror vetjak, bëhet komb”. Beteja kryesore për bashkimin e shqiptareve zhvillohet në zemrat e mendjet e shqiptarëve. Për asnjë çast nuk duhet t’i ikim objektivit e interesit kombëtar shqiptar. Akademik Esat Stavileci porosit: “sa më shumë do të duhej ta rrahim një tel dhe sa më shumë ta derdhim ujin në një mulli. Ky do të duhej të ishte parimi kryesor i veprimeve tona në rrafshin kombëtar”.

Kërkohet shumë punë, dije dhe vullnet për të realizuar aspiratat tona kombëtare. Nga libri, shkolla, kultura, fillon bashkimi kombëtar i shqiptarëve. Dashuria për atdheun, gjuhën, historinë dhe kulturën kombëtare është pjesë e kulturës demokratike.

1.        Shef i departamendtit të Shkencave Politike dhe Sociologjike në Shkollën e Lartë Mesdhetare të Shqipërisë.

 

 

SHKARKO APP