Salianji i përgjigjet Sali Berishës: S’ke fuqi për të nxjerrë qytetarët në protesta!
Akuzat e Sali Berishës për organizime të takimeve në Elbasan nga Suel Çela, Ervin Salianji i ka cilësuar dëshmi të mjerimit politik. Salianji thotë se nuk ka emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, “në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit”.
Pas kësaj duket se koha e Salinjit në PD po shkon drejt mbylljes së dyerve nga Berisha. Siç ka vepruar me shumë “grupe armiqësore”, Berisha.
Po ashtu Salianji vë theksin se Berisha nuk ka fuqi për të nxjerrë qytetarët në protesta.
Postimi i plotë
E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara, në betejën time kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në vend. Sepse në garë dhe me garë unë i mund! Këtë e kam treguar në Korçë, në Kavajë, në parti dhe kudo: forca ime e vetme janë, personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve.
Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare, siç ndodh rëndom me armiqtë imagjinarë të qëmotit, se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë një dëshmi e mjerimit politik. Veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta.
Por ç’rëndësi ka kjo. Në kushte të një demokracie dhe jo autokracie do shkoja në gjykatë të përballja çdo shpifës. Por në kushtet e një përballje për shkak se dua që Partia Demokratike të jetë fituese dhe disa rrogëtarë kanë frikën e humbjes së pushtetit e të pazareve po reagoj publikisht një herë, e më pas siç kam bërë çdo herë, do shkoj në vendngjarjet e krimit, korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në pazare!
Shoqëria dhe demokratët po e bërtasin me të madhe se kanë nevojë të dëgjojnë zgjidhje reale:
– për humbjet e njëpasnjëshme,
– për mosmbajtjen e fjalës,
– për degradimin e debatit në akuza të pavërteta,
– për promovimin e humbësve serialë,
– për cimentimin në karrige e pushtet pa mbështetje,
– për atrofizimin e partisë,
– për pafuqinë për të rrëzuar një qeveri të kalbur nga korrupsioni në çdo hallkë,
– për pafuqinë për të nxjerrë qytetarët në protesta
– për pamundësinë për ta bërë Partinë Demokratike fituese.
Në vend të kesaj drejtuesit që duhet të japin lllogari, kërkojnë llogari dhe përbaltin demokratët! Sa më përket mua, unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit! Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës! Kam vazhduar dhe do të vazhdoj në rrugën e duhur: takimet me demokratët, ballë për ballë, me lirinë time dhe të vërtetën, pa ndalim. Demokratët dhe populli opozitar meritojnë rotacion.
KOHA JONË SONDAZH

