Ligji për Investimet Strategjike, Jorida Tabaku: Duhej të ishte shfuqizuar prej vitesh, nuk solli asnjë zhvillim ekonomik
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë njoftoi tërheqjen nga ligji për investimet strategjike.
Tabaku e cilësoi atë si “ligjin më korruptiv që Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar në 10 vitet e fundit”, duke argumentuar se opozita e ka kundërshtuar që në momentin e parë të miratimit të tij dhe se koha u dha të drejtë.
“Beteja kundër Ligjit të Investimeve Strategjike nuk është diçka e re. Sot po shohim pasojat e një prej ligjeve më korruptive që Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar në 10 vitet e fundit. Që në momentin e parë kur ky ligj u propozua si një masë e përkohshme, ne paraqitëm amendamente lidhur me çështjen e pronës, pasi vlerësuam se ai ishte antikushtetues dhe cenonte të drejtën e pronës private. Koha na dha të drejtë.
Sot, Ligji i Investimeve Strategjike, përveçse mbart elemente korruptive dhe abuzive, si dhe ndan favore pa garë, ka krijuar edhe konflikte sociale për shkak të çështjeve të pronësisë. Gjatë 10 viteve të fundit, ky ligj është shtyrë disa herë dhe, në çdo rast, ne kemi kërkuar pezullimin e tij. Edhe në vitin 2025, kur u shty për herë të fundit, kërkuam shfuqizimin e tij.
Në fund të ditës, ky ligj nuk ka sjellë asnjë zhvillim domethënës ekonomik dhe nuk ka arritur të tërheqë investime të huaja. Përkundrazi, ai është përdorur për të dhënë leje për resorte turistike në jug të vendit, duke krijuar konflikte me pronarët e ligjshëm dhe legjitimë të pronave. Është një ligj që ka favorizuar një pakicë të privilegjuar dhe që sot është kthyer në një nga shkaqet e protestave të mijëra qytetarëve“, shprehet Tabaku.
KOHA JONË SONDAZH

