Lodrat prej vërteti
Nga Ilir Levonja/Lërini armët…, ka lodra më të bukura se ato. Këtyre lodrave prej vërteti u ka ikur koha. Ka komunikim. Kush nuk e bën dot është i paaftë. Kush nuk e përdor dot, nuk e vë në punë. I mungon aftësia bazë, ajo e njeriut me njeriun. Besimi me ndjesi njeriu. Dhe i është rritur nepsi i kafshës me kafshën.
Shteti funksionon me ligje. Armët e një shteti janë ligjet. Jo më bëj këtë favor se ta zbraza. Ta mbusha barkun me plumba.
Lërini armët se ata poshtë i marrin kaq seriozisht sa rrezik janë armatosur tashmë. Dhe nën petkun e qelbësirës, komunistit, hakmarrjes, gjakut, favorit të munguar. Heqjes apo vënies në punë. Shitjes së vajzës, nuses. Apo kësaj e asaj historie vrasjeje. Po planifikojnë. Po bëjnë planet.
Ndërsa eremitëve iu duket se pranvera po shkëlqen në varrezë.
1)Që jemi popull pa memorie, kjo është lehtësisht e vërtetueshme.
Që shitemi për armë, kjo është lehtësisht e verifikueshme. Që na pëlqejnë lodrat e kalibrave me silenciator, shutgunn, 12.7…, kallashin e kemi perëndi tani. Që na pëlqen c4-tra, telekomanda etj., nuk asnjë diskutim. Që shitëm armë, që ndamë armë, që morëm armët në 1997-të kjo bërtet. Këtë e dimë mirë të gjithë. Ndaj nxitojmë t’ia hedhim fajin njëri-tjetrit. Por e vërteta është sa një mal. Dhe faji i përbashkët. Dhe, si ai që bërtet … dhe si ai që akuzon sot, janë njësoj.
Po, ne i morëm armët.
Megjithatë gjykuam se vitet dymijë do ishin një epokë e re. Në heshtje një ndjenjë faji e pranuar. Një afrim me botën perëndimore. E cila rrokapjekjet, shëmbjet, ngritjet, luftën civile e kishte provuar përpara nesh. Dhe më hidhur se ne. Por me sa duket. Kjo nuk është udha e vënies mënd. E përsosjes së vetvetes. Ne duhet domosdoshmërisht të kalojmë nëpër këtë kalvar.
2)1997 kalvari shqiptar. Që sot interpretohet e stërinterpretohet me mendësi palësh. Jo me faktin real. A shkoni në varreza njerëz.
Ose kur të shkoni, mos shkoni vetëm për njerëzit tuaj. Hidhini një sy asaj shoqërie që i mungon mbrëmjeve, kafeneve apo birrarive tuaja. Hidhini një sy asaj shoqërie trotuaresh, teatrosh apo zyrave të pushtetit. Të atij pushteti të vogël, lokal. Se nga pushteti i madh nuk do shikoni gjësendi aty.
Unë rrjedh nga një vend, trualli i të cilit u bë shesh plumbash e gjaku. Më 97 më la edhe im atë. E përcollëm në krah. Dhe gjysmë fshehurazi. Fshehurazi më solli dhe një mik ca kafe. Gjëndje e jashtëzakonshme. Ku edhe qytetari më thjesht i bënte policit rreshtore. I bënte çfarë të donte. Mbrëmjet mbylleshin në mesditë. Në kryqëzime përmbyseshin mjete, shpoheshin gjokse. Varreza mbushej me lapidare mermeri. Me kangjella të përsosura.
Aq sa një garë e marrë na kishte bindur për një dashuri ekstazë nda vdekjes.
3)Në gjithë këtë humbje, veç protoganistët zjejnë akoma. Duke filluar nga Berisha vet. Deri tek ish Berishët. Ata që sot janë opozitarët më të mëdhenj të Berishës. Dhe kjo është paradoksija më madhe e Shqipërisë. Dhe kjo është verbëria e saj. Që i jep pushtet njërit apo tjetrit me devizën e plakur të atij vendi otoman. Se për inat të sime vjerre, po shkoj me mulllixhinë.
Sot gjithë rrjetet gëlojnë. Gëlojnë prej ishBerishëve. Unë po marr vetëm një rast. Ai që i thonë avokat Ngjela. Në 97-tën ishte me Berishën. Shumë i ashpër, shumë pro forcës, shumë pro grushtit shtypës etj. Këtë e bëri edhe me 21 janar të 2011. Kësaj radhe me Ramën.
Kemi pasur njëri-tjetrin afër. E kam parë të hypte në makina të fortish etj. Megjithatë të fortët janë në varrezë, kurse pushtetarët akoma bërtasin.
E mora Ngjelën si shembull se, ta dini…., keni me dhjetra, me qidra që po bërtasin. Me qindra bafshkëfajtorë. Që sot janë opozitarë pushtetarë. Po i gërmushen Berishës. Dhe ne të lumtur që po qeverisim. Për inat të sime vjerre.
4)Eshtë koha e një politike të re. Dhe po çirremi duke e thënë. Një sërë e tërë. Pasi shohim se sa natyrshëm dhe sa pa tifozllëk ndodhin transformimet në një shoqëri të madhe. Në një demokraci të konsoliduar për shkak të rotacionit, mungesës së protoganizmit, tifozllëkut partiak. Të Njëshit absurd. Se sa natyrshëm i jepet mundësia gjithsecilit të tregojë një planprojekt zhvillimi shoqëror. Se sa natyrshëm largohet, hap krahun. Dhe se…, se sa fije të brishta bari janë përballë ligjit dhe shtetit.
Eshtë koha për lodrat e jetës, jo të vdekjes.