LSI, zgjidhja ose sinteza e dialektikës Hegeliane në arenën politike shqiptare

Nga Prof. Asoc. Dr. Arjan Korpa

 Filozofi gjerman i fillim shekullit të 19-të, Georg Ë.F. Hegel njihet më së shumti për sistemin e kërkimit mbi natyrën e realitetit, i njohur me termin dialektikë. Ai përpunoi konceptin e integrimit të një seti kontradiktash pa eliminuar ose reduktuar asnjë prej tyre për të përftuar një sintezë. Ky koncept njihet me togfjalëshin“të menduarit dialektik” në thelb të të cilit qëndron triada “Tezë-Antitezë-Sintezë”.Një Tezë mund të shihet si një ide, e cila është jo e plotë dhe si e tillë krijon mundësinë e lindjes së një Antiteze, një ideje konfliktuale ose tensioni. Një pikëpamje e tretë, një Sintezë ngrihet mbi këtë konflikt duke e tejkaluar këtë konflikt dhe pajtuar të vërtetat e përmbajtura te teza dhe antiteza në një nivel më të lartë. Në veprën e tij “Kapitali” Karl Marx, e vendoste kapitalizmin në rolin e tezës dhe komunizmin në atë të antitezës. Kështu përplasja e të kundërtave në sistemin Hegelian çonte në përftimin e një shoqërie as kapitaliste dhe as socialiste.“Modeli nordik” shihet si një sintezë e suksesshme midis kapitalizmit dhe socializmit, midis sipërmarrjes së lirë dhe planifikimit socio-ekonomik. Shpesh modelit i referohen si modeli nordik i social-demokracisë me strukturë ekonomike të etiketuar si shteti i mirëqenies sociale të tregut të lirë. Modeli është unik dhe i ngjashëm edhe me kapitalizmin edhe me socializmin në sensin që karakteristikat e tij rrjedhin prej të dy modeleve por është shumë i dallueshëm nga të dy në tërësinë e vet. Shteti i mirëqenies sociale është një koncept qeverisës në të cilin shteti luan rol kyç në mbrojtjen dhe promovimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale të qytetarëve të vet. Koncepti bazohet në parimet e mundësive të barabarta, shpërndarjen e drejtë të pasurisë dhe përgjegjësisë publike për ata që nuk kanë mundësi të sigurojnë nevojat minimale për jetë të mirë. Në vizionin e politikës tradicionale të social-demokratëve një shoqëri e drejtë bazohet mbi rishpërndarjen. Kapitalizmi prodhon pabarazi dhe roli i social-demokracisë është të korrigjojë këto pabarazi me anë të rishpërndarjes së përfitimit te ata që nuk kanë përfituar ose te ata që janë viktimat e këtij përfitimi. Social-demokratët në veçanti besojnë se as shteti dhe as tregu nuk ekzistojnë pa arsye, por për t’iu shërbyer vlerave themelore; vendosjes së drejtësisë sociale me anë të barazisë së mundësive dhe lirisë. Barazi më e madhe nënkupton një forcë pune me nivel më të lartë edukimi dhe aftësish dhe kjo mundëson konkurrimin me sukses në tregun global për të garantuar prodhim me vlerë të lartë të shtuar dhe shërbime cilësore. Politikat e punësimit kanë qenë dhe mbeten padyshim prioritet në arenën e përpjekjeve për ndryshim dhe reforma të vendeve perëndimore dhe nordike. Në Shqipëri, LSI lokomotiva e social-demokracisë shfaqet me tipare të spikatura të social-demokracisë moderne të Europës perëndimore dhe me elemente programore të modelit socio-ekonomik nordik. LSI identifikon dhe aplikon vazhdimisht përqasje të reja për të krijuar mundësi të barabarta dhe shanse për të gjithë, me politika konkrete punësimi, përfshirje dhe kohezion më të madh social midis të gjitha shtresave, veçanërisht atyre në nevojë. Zhvillimi ekonomik është një nga sfidat më të mëdha që ka vendi ynë për momentin. LSI gjithmonë e orientuar kundrejt rritjes së mirëqenies së shqiptarëve po angazhon profesionistët më të mirë të vendit dhe nga jashtë tij, të japin kontributin e tyre për të zhvilluar një plan strategjik dhe të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik në vend. Programet e edukimit zënë një vend thelbësor në funksionimin e shtetit të mirëqenies sociale. Mbrojtësit e modelit nordik janë të bindur se edukimi më i mirë i mundshëm i gjithë fëmijëve, të ardhurat e sigurta, pjesëmarrja aktive në tregun e punës, integrimi dhe shanset e barabarta për punësim do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen çelësi për sukses i vendeve nordike. Sipas treguesve të OECD (2012), vendet nordike renditen mbi mesataren e OECD në shpenzimet publike për edukim si përqindje e PBB. Islanda karakterizohet nga një total prej 7,4% i PBB i shpenzimeve publike në edukim, Suedia 7,3%, Danimarka shpenzon 7,9% të PBB në edukim dhe Norvegjia rreth 15,7%. Platforma më e fundit arsimore e propozuar nga LSI bazohet në modelin Finlandez, një model i njohur suksesi, një sistem i integruar dhe i unifikuar nga sistemi parashkollor deri te ai universitar, ndërkohë që shpenzimet publike për edukim do të rriten në nivelin e 6% të PBB. Vendet nordike janë të famshme për diferencat e tyre të pakta gjinore. LSI duke e vlerësuar forcën emancipuese të gruas në shoqërinë shqiptare, ka qenë iniciatore e ndryshimeve ligjore për një përfaqësim të barabartë të grave edhe në jetën publike, ndërkohë që është partia e parë politike e cila ka sanksionuar në mënyrë statutore barazinë gjinore.

Një formë tjetër e dialektikës Hegeliane është skema Problem – Reaksion – Zgjidhje. Hegeli pohonte se historia dhe zhvillimi nuk duhet parë si një vijë e drejtë por më tepër si një zigzage e formësuar prej mënyrave se si ndeshemi me vështirësitë dhe zhgënjimet si dhe rikorrigjimit të drejtimit të tyre. Pothuaj të gjitha ngjarjet madhore në histori bazohen mbi dialektikën Hegeliane të Problemit – gjenerimi i një krize ose përdorimi i një krize ekzistuese për të përftuar reaksionin e dëshiruar të publikut, ndërkohë që publiku kërkon një Zgjidhje. Ekzistenca e konfliktit dhe tensionit në jetën politike, ekonomike dhe sociale në vendin tonë dhe një tranzicion 27-vjeçar që duket se s’ po i vjen fundi. Tensioni, konflikti, dhe krizat politike të prodhuara nga dy forcat më të vjetra dhe më të polarizuara politike në Shqipëri, prej nga lind edhe problemi. LSI me zgjidhjet konstruktive dhe konsensuale të konflikteve dhe krizave përbën qartazi zgjidhjen ose sintezën në triadën e dialektikës Hegeliane. LSI udhëhiqet nga parimi i qeverisjes konsensuale dhe e ka shndërruar në model atë. Një koncept i gjerë i modelit nordik përfshin aspekte të formës demokratike të qeverisjes – e njohur me termin “governance” dhe nënkupton një model specifik për zgjidhjen e konfliktit dhe vendimmarrjen politike. Modeli karakterizohet nga përfshirja aktive, shpesh e institucionalizuar e organizatave të shoqërisë civile në proceset politike. Ky sistem qeverisje njihet edhe me termin “qeverisje konsensuale”. Konsensualiteti përbën një element thelbësor të politikës së vendeve nordike, pjesërisht edhe prej faktit të thjeshtë që qeveritë e koalicionit janë normalitet në jetën e tyre politike – mbizotërojnë të ashtuquajturat “qeveri të koalicionit minoritar”.Tradita nordike e asaj që njihet me termin “e parlamentarizëm negativ” – që qeveritë nuk duhet patjetër të bazohen në shumicë parlamentare – i ka apeluar në mënyrë logjike artit të bërjes së kompromiseve politike. Vendimmarrjet e qëndrueshme politike vështirë se arrihen pa një konsultim paraprak të partive me njëra – tjetrën, duke krijuar besim të ndërsjellët dhe pa një konsultim të partive qeverisëse me partitë opozitare. Konsultimet intensive paraprake nga ana e LSI-së si me partitë brenda koalicionit ashtu edhe me ato opozitare kanë ndikuar në arritjen e reformave kyçe dhe vendimmarrjeve të qëndrueshme. Ndërkohë që, është e vetëkuptueshme për social-demokracinë të përfaqësojë një lëvizje pragamatiste për t’iu përgjigjur në mënyrë të vazhdueshme sfidave që iu bëhet vlerave dhe politikave të saj sociale. Pragmatizmi e lejon qeverisjen të jetë fleksibile, të testojë çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon dhe të bëjë ndryshimet përkatëse, të përshtatet ndaj ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike (veçanërisht e rëndësishme në një mjedis global) dhe të kombinojë tiparet më të mira të gamës së ideve politike. Pragmatizmi është veçanërisht i përshtatshëm për periudhën post-ideologjike kur kemi kuptuar që modeli social perfekt nuk ekziston. Koha ka provuar që LSI është shtylla kryesore e stabilitetit të vendit që gëzon besimin gjithmonë në rritje të njerëzve. LSI është lëvizje e të gjithë shqiptarëve që besojnë në vlerat e social-demokracisë. Filozofia e saj është integrimi i qytetarëve shqiptarë në një shoqëri me mirëqenie dhe drejtësi, përfshirje reale e të gjitha shtresave shoqërore dhe grupmoshave, e grave dhe të rinjve në vendimmarrje. Me mbështetjen në rritje të programit të saj ekonomik dhe politikat sociale dhe mjedisore, shqipëtarët po investojnë në mënyrën më të sigurt për mirëqenien dhe sigurinë e tyre. Bashkimi rreth saj është garancia më e madhe që vendi të mos përjetojë konflikte të panevojshme dhe të avancojë me ritme të shpejta drejt destinacionit të saj të natyrshëm. LSI e meriton besimin dhe suportin mbarëqytetar për të qenë lokomotiva e progresit drejt rrugës së ndërtimit të shtetit të mirëqenies në Shqipëri.

SHKARKO APP