Luan Rama: Ti çojmë në arkivat e pluralizmit ata që rotacionin e pushtetit e kanë shndërruar në rotacion krize e konflikti
Marrëveshja mes kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, duket se ka kapur në befasi LSI-në. Ende pa u zbardhur detaje nga ky pakt që me sa duket do të ndryshojë krejtësisht tablonë politike në vazhdim, përfaqësues të PS-së dhe LSI-së kanë nisur të shkëmbejnë replika të ashpra.
Në këtë situatë ka ardhur edhe një koment në Facebook i numrit dy të LSI-së Luan Rama, i cili i është përgjigjur një insinuate sipas të cilës pas marrëveshjes ai vetë ngelet jashtë parlamentit të ri. Përveç të tjerave Rama jo pa nerv ka deklaruar se është momenti i ndryshimit të epokave…
“Duke marrë shkas nga një koment sipas të cilit “me hyrjen e PD-së në zgjedhje rrezikohet hyrja ne parlament e nënkryetarit te LSI-së”, e gjej të udhës ti qetësoj të gjithë se unë që jam i pesti në renditjen e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Tiranës nuk jam në fund, por jam në mes të listës së deputetëve që do të përfaqësojnë LSI-në e qarkut te Tiranës në Kuvendin e ri të Shqipërisë.
Është momenti i ndryshimit të epokave dhe vetëm LSI jua ofron të gjithëve shansin për të t’u bërë protagonistë të këtij ndryshimi, për të dërguar në arkivin e pluralizmit politik ata që rotacionin e pushtetit e kanë shndërruar në rotacion krize e konflikti”, shkruan Luan Rama.