Luçiano Boçi në Durrës: Reforma territoriale duhet të rrisë funksionalitetin e pushtetit vendor
Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, gjatë dëgjesës publike për reformën territoriale në Durrës, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në proceset vendimmarrëse dhe nevojën për një reformë që rrit funksionalitetin e pushtetit vendor. Për të çështja e reformës territoriale lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si qytetarët konceptojnë jetën në komunitet dhe raportin me territorin ku jetojnë.
“Kjo dëgjesë trajton një nga çështjet më themelore, që ndikon drejtpërdrejt në atë se çfarë jemi ne si shoqëri, si e konceptojmë jetën dhe si e duam vendin ku jetojmë”, u shpreh Boçi. Deputeti ndaloi te roli i dëgjesave publike, të cilat i konsideroi një ndër mekanizmat më efektivë të pushtetit vendor për të përfshirë qytetarët në vendimmarrje dhe për të garantuar llogaridhënie.
“Dëgjesat publike janë një nga format më efikase me të cilat pushteti vendor afron qytetarët drejt vendimmarrjes, merr mendimin e tyre dhe ushtron llogaridhënie”, deklaroi ai. Boçi vuri në dukje mungesën e dëgjesave publike, duke argumentuar se shumë projekte të rëndësishme në Durrës do të kishin pasur zhvillim tjetër nëse do të ishte dëgjuar më herët zëri i qytetarëve. “Po të kishte pasur dëgjesa publike në Durrës, unë besoj se Porti i Durrësit do të kishte sot një perspektivë tjetër. Edhe projekti TID do të ishte konceptuar dhe realizuar ndryshe, pasi do të merrte mendimin e qytetarëve”, tha ai.
Sipas deputetit demokrat, mungesa e konsultimit publik ka krijuar distancë mes qytetarëve dhe institucioneve vendore. Duke folur për reformën territoriale, Boçi u shpreh se qëllimi kryesor i saj duhet të jetë rritja e funksionalitetit të pushtetit vendor, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohen shërbime më të shpejta dhe më efikase.
“Reforma territoriale duhet të shërbejë për të rritur funksionalitetin e pushtetit vendor, me synimin që qytetarët të marrin shërbime më cilësore, më të shpejta dhe më efikase”, tha ai. Në vijim, Boçi e cilësoi territorin si bazën mbi të cilën ndërtohet organizimi i pushtetit dhe identiteti i komuniteteve. “Territori nuk është thjesht tokë apo koordinatë gjeografike, por arkitektura e pushtetit në realitet. Kur territori ndërtohet gabim, boshatiset, largohet shërbimi dhe qytetarët nuk identifikohen më me të”, përfundoi Boçi.
KOHA JONË SONDAZH

