
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ka komentuar zhvillimet politike në Shqipëri, protestat e studentëve dhe situatën brenda Partisë Demokratike, duke e lidhur të ardhmen politike të kryeministrit Edi Rama me zhvillimet e fundit në Serbi. Sipas Boçit, dobësimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç përbën një sinjal të rëndësishëm për politikën shqiptare dhe mund të ndikojë në përshpejtimin e largimit të Ramës nga pushteti.
“Nëse Rama pretendonte se do qëndronte në pushtet deri në vitin 2029, unë mendoj se rënia e Vuçiçit ia ka përshpejtuar fundin politik”, u shpreh deputeti demokrat në ”News 24”, duke argumentuar se qëndresa qytetare dhe vazhdimësia e protestave tregojnë një rritje të pakënaqësisë ndaj qeverisë.
Boçi vlerësoi se reagimi i qytetarëve ndaj masave të policisë, veçanërisht gjatë protestave studentore, nuk ka sjellë dobësimin e lëvizjes, por, sipas tij, ka forcuar vendosmërinë e protestuesve. “Dhuna e policisë ndaj protestave studentore ka qenë e pakrahasueshme me rastet e mëparshme. […] Por ka ndodhur e kundërta: qytetarët dhe studentët janë shtuar, ndërsa qëndresa e tyre është bërë më e fortë”, deklaroi ai.
Një tjetër çështje ku u ndal deputeti ishte kërkesa e opozitës për krijimin e një qeverie teknike, të cilën e konsideron si një hap të nevojshëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Boçi akuzoi qeverinë se ka ndërtuar një mekanizëm që, sipas pretendimeve të tij, ndikon në procesin zgjedhor përmes kontrollit të administratës dhe lidhjeve të dyshimta politike e ekonomike.
“Procesi nis me krijimin e një qeverie teknike, sepse kërkesa ndaj Ramës është e ngjashme me atë që iu bë Vuçiçit: të lejohen zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Boçi. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkimit mes opozitës politike dhe qytetarëve që protestojnë, duke argumentuar se pakënaqësia shoqërore nuk kufizohet vetëm te mbështetësit e opozitës. “Kam thënë edhe më herët se në Ballkan ekzistonte një lloj tangoje politike mes Ramës dhe Vuçiçit. Rënia e njërit e ka dobësuar automatikisht tjetrin”, deklaroi ai.
Duke folur për reagimin e kryeministrit ndaj protestave, deputeti demokrat pretendoi se retorika kërcënuese dhe masat represive nuk po arrijnë më të frenojnë qytetarët. Sipas tij, pjesëmarrja e studentëve dhe pedagogëve është tregues i një problemi më të thellë politik dhe shoqëror. “Kur reagojnë studentët dhe atyre u bashkohen pedagogët, kjo tregon se pushteti po përballet me një problem serioz”, tha Boçi.
