Luçiano Boçi: Të hapur për koalicion me Topin dhe Spahiun

Intervistoi: Sidorela Lepuri

 

Në një kohë kur qarkullojnë zëra lidhur me mënyrën sesi do të procedojë Partia Demokratike sa i përket djegies së mandateve të deputetëve të saj apo jo,deputeti demokrat Luciano Boçi rrëfen se e gjitha kjo nuk është çështje mandatesh dhe minimizimi i saj në të tilla nivele, i përket cinizmit politik.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, ai flet gjithashtu edhe për festimet e 8 Dhjetorit dhe aspiratat e studentëve të atëhershëm, por edhe mbi reformat e ndërmarra në arsim prej qeverisë ‘Rama’. Teksa shton se Partia Demokratike është e hapur në ndërtimin e aleancave solide e parimore dhe se nuk paragjykon asnjë forcë politike e cila është e gatshme të angazhohet plotësisht dhe sinqerisht për ndërtimin e një vizioni të përbashkët opozitar që i shërben mirëqënies së qytetarëve dhe forcimit të shtetit ligjor e institucioneve demokratike…

 

Z. Boçi, kohët e fundit djegia e mandateve të Partisë Demokratike ka tërhequr vëmendjen maksimale, jo vetëm prej politikës, medias, por edhe shoqërisë. PD-ja do të mund të rikthehet në parlament për të mos humbur mandatet, apo për të bërë opozitën?

Kjo nuk është çështje mandatesh dhe minimizimi i saj në të tilla nivele, i përket cinizmit politik. Ajo që kemi kërkuar ne është përtej mandatit nominal e numerik. Bëhet fjalë për parime dhe shina mbi të cilat duhet të lëvizë jeta parlamentare dhe mbi të cilat duhet të ndërtohet ushtrimi i pushtetit nga një forcë mazhoritare. Kriminalizimi i parlamentit, ku “të fortët” që sipas Ramës “nuk mund t’i bëjnë më sfidë ligjit” (përveç atyre që Rama i mban si enturazh dhe që e komandojnë me telefon) në mes të Tiranës, por sipas asaj që panë të gjithë shqiptarët, mund t’i bëjnë tërësisht sfidë ligjit në mes të parlamentit, duhet të marrë fund njëherë e mirë. Paralel me këtë duhet të bëhet dhe dekriminalizimi i tërë jetës politike, brenda së cilës me vullnetin dhe dëshirën e kësaj mazhorance “të fortët” nga mesi i Tiranës janë instaluar sot në mes të administratës shtetërore. Gjithashtu, ne kemi kërkuar mosdaljen nga funksioni të parlamentit dhe kemi shprehur shqetësimin tonë për shndërrimin e tij në një aneks të ekzekutivit, sikurse kërkojmë nga ai realizimin e të gjitha detyrimeve kushtetuese për fjalën e opozitës dhe të së drejtës së saj për të ngritur komisione hetimore. Ndërsa kjo qeverisje uzurpuese e institucioneve të pavarura, duhet patjetër t’i kthehet respektimit të kushtetutës nëpërmjet dhënies fund të arrogancës e prepotencës antiligjore, si dhe të tregojë respekt dhe bindje ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. E gjitha kjo është pjesë e të bërit të një opozite konstruktive, efikase dhe parimore nga ana jonë. Opozita nuk është thjesht “pajisje me mandat” por mbi të gjitha kurajo, dëshirë, aksion, vizione për të mbrojtur ideale që u përkasin të gjithëve dhe shkojnë në interes të votuesit.

Meqënëse kanë kaluar pak ditë pas 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë. Si do t’i vlerësonit festimet e bëra në këtë ditë dhe a janë përmbushur aspiratat e studentëve të dhjetorit ’90?

Festimet për këtë ditë lëvizën në një rrafsh simbolik shumë domethënës. Epiqendra e tyre ishte vendi i shenjtë nga nisën protestat e dhjetorit për një Shqipëri demokratike dhe europiane, Qyteti Studenti. Lidhur ngushtë me zhvillimet politike, festimet patën dy rrafshe: 1. Në atë të vlerësimit maksimal të veprës së studentëve dhe intelektualëve të kohës që pasuan krijimin e pluralizmit në Shqipëri, nëpërmjet një bashkëbisedimi, të shoqëruar me shqetësimin maksimal për ravijëzimin e një revanshi politik nga pasues shpirtëror e faktikë të atyre që pësuan drejpërdrejt triumfin e lirisë së frymëzuar dhe drejtuar nga rinia. 2. Në rrafshin e sjelljes pranë studentëve të një atmosfere të gëzueshme dhe festive nëpërmjet shprehjes së një entuziazmi të natyrshëm në vendin ku rinia bën përpjekjet e saj për të realizuar sot misionin e saj shumëdimensional.Ëndrra e studentëve të dhjetorit ‘90, për një Shqipëri demokratike dhe europiane është në proces kristalizimi final, pavarësisht lëndimeve të herëpashershme që i sjellin asaj forca politike me prejardhje antidemokratike dhe mentalitete neokomuniste, që për fatin tonë të keq janë pjesë e rotacioneve të pushteteve që ua ofron atyre, lira dhe demokracia e kërkuar dhe e vendosur nga vullneti i këtyre studentëve të paharrueshëm.

Si i shihni qëndrimet e mazhorancës mbi këtë ditë, mbi të përndjekurit politikë, si dhe mbi hapjen e dosjeve, në krahasim me qëndrimet e forcës suaj politike, kur ishte tetë vjet në qeverisje?

Gjithçka e ndërmarrë prej kësaj mazhorance, i përket demogagjisë, propagandës, zhvlerësimit, njollosjes së rolit të studentëve dhe kauzës së tyre. Qëllimisht promovohen individë që dikur për inercinë e momentit u gjendën figurativisht në grupin e studentëve të dhjetorit, por që sot janë kthyer në formën e “djalit plangprishës” në strofkullën e “kushtrimit të parëve”, duke u bërë protagonistë të jetës politike dhe pjesë integrale e atyre forcave politike që nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e dhjetorit. Synimi i tyre është që t’i shesin formacionet politike të PS apo LSI, apo të ndonjë tjetre, si derivate të pikërisht  të lëvizjes studentore, kur dihet shumë mirë se ajo që lindi nga kjo lëvizje ishte vetëm ajo parti që shprehu, mbrojti dhe realizoi asparitat e studentëve: ishte Partia Demokratike. Ndërsa në lidhje me sjelljen ndaj ish-të përndjekurve politikë qëndrimin e PS-së po e perifrazoj me një sentencë të thjeshtë: Persekutori asnjeherë nuk ia zgjat dorën të persekutuarit, veçse në rastin kur kërkon të ngrihet vetë nga balta. Hapja e dosjeve nuk mund t’i besohet atyre që i themeluan dhe i aplikuan dosjet. Iniciativat e sinqerta të individëve me dëshira të mira nuk mund të përzihen dhe të bëhen pis me interesat e ndyra të një kaste politike, e cila kërkon të marrë bekime për krime që i rëndojnë në ndërgjegjien historike. Përfaqësuesit e kësaj kaste, pavarësisht të qenit në pushtet nën demokraci, nuk mund të fitojnë pagëzimin duke u larë në lumin e bekuar të gjakut të mijërave martirëve të demokracisë të vrarë brenda dhe jashtë atyre dosjeve.

Janë ndërmarrë një sërë reformash në arsim. Sipas jush, janë marrë ato në kohën e duhur dhe sa reale janë të tilla reforma?

Në arsimin shqiptar mund të flitet për ndërhyrje arbitrare, për pjesëza reformash dhe për goditje reformash, por aspak për reforma në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Dhjetori sipas të gjitha premtimeve duhet të kishte nisur me rankimin e universiteteve dhe jo me mbylljen e programeve të studimeve. Nuk besoj se mund të quhet reformë sorrollatja e studentëve nëpër korridoret e universiteteve dhe zyrat e ministrisë për të siguruar vazhdimësinë e së drejtës së tyre për t’u arsimuar. Nuk është reformë as rritja e tarifave të studimit për to, sikurse dhe kufizimi i kuotave master e doktoraturë. Reformë nuk është as goditja e altertekstit dhe as shkelja e ligjit duke realizuar testime antiligjore që poshtërojnë dhe nëpërkëmbin profesionin e mësuesit dhe cënojnë fisnikërinë e misionit të tij. Reformë nuk mund të jetë as ndërprerja e strategjisë kombëtare për arsimin parauniversitar dhe as dhënia prioritet lëndës së fizkulturës. Me këtë të fundit ne bëhemi vendi i parë unik që bëjmë “reforma” kurrikulare që u vënë shkelmin lëndëve kryesore tradicionale të matematikës apo gjuhës. Askund më parë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. E vetmja “reformë” reale që ka ndodhur në arsim është emërimi i atyre që bëjnë reklama politike, që kanë qenë shitës, që kanë qenë traktoristë e ç’nuk kanë qenë, përveçse mësues, në drejtimin e Drejtorive Arsimore në rrethe. Dhe mos harrojmë që të gjitha i kanë bërë “me konkurs”!

Cilat mendoni se janë reformat e duhura për të cilat realisht ka nevojë sistemi ynë arsimor, qoftë ai në sistemin parauniversitar apo edhe sistemi universitar?

Reformat për të cilat ka nevojë sistemi ynë, sipas përcaktimeve strategjike, kanë nisur në kohën e qeverisjes së PD dhe duhet të vazhdojnë sipas përcaktimeve të tyre. Ndërhyrjet janë të lejueshme aq sa nuk cënojnë thelbin reformues dhe nuk devijojnë drejtim e tyre. Përndryshe kaosi që krijohet siç dhe ka ndodhur, kërkon kohë të rikuperohet.

Përsa i përket testimit të mësuesve në shkolla.Ç’mund të na thoni mbi këtë vendim të qeverisë ‘Rama’. Sa gjasa ka që të rritet cilësia?

Eshtë një vendim spekulativ dhe tërësisht antiligjor. Ligji për arsimin në nenin 60 të tij, e ka të përcaktuar qartë procedurën konkuruese të emërimit të mësuesve dhe ai nuk është atribut i drejtuesit të DAR-it, por konkludim i një procesi të hapur dhe transparent i dalë nga një komision ku marrin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, të bordit të prindërve, të stafit pedagogjik të njësisë arsimore përkatëse dhe përfaqësues të DAR. Për më tepër, profesioni i mësuesit është i rregulluar dhe kjo e drejtë fitohet me marrjen e licensës pas provimit të shtetit. Pas kësaj çdo testim është i kundraligjshëm dhe tërësisht me qëllim politik, pasi synon kryerjen e një selektimi të tillë e aspak profesional. Testimi mbartte me vete dhe një dozë të madhe tallje për konkurrentët, pasi pjesa më e madhe e vendeve bosh janë uzurpuar tashmë në mënyrë arbitrare me emërime direkte siç ka ndodhur në Lushnjë dhe jo vetëm. 200 emërime ka bërë zonja në fjalë. Më shumë se kaq kishte bërë drejtoresha e Tiranës. Në këto shifra lëvizim dhe emërimet e bëra duke shkelur ligjin dhe në drejtoritë e tjera, Durrës, Vlorë, Fier. Ajo që ka mbetur është qesharake. Dy mijë konkurentët e Tiranës e zhvilluan garën e tyre për vetëm 7 vende gjithsej. Po kështu ato të Elbasanit, Shkodrës etj. Pas kësaj, të gjithë me fitues e pa fitues do jenë aty ku kanë qenë; tek listat e pritjes. Pastaj ky testimi nuk dihet se sa vlerë kohore ka. Kur do bëhet përsëri?! Ata që nuk kalojnë, kur i nënshtrohen?! Ata që fituan a do hyjnë dhe njëherë vitin tjetër?! Përgjigje nuk ka, sepse nuk ka ligj në fakt. Ndryshe thotë testimi, ndryshe thotë Rama. Ky i fundit flet për kredite që mësuesit do i blejnë me lekë, ndërsa ministria thotë që të gjithë mësuesit do kalojnë ose ngelin në një testim tjetër. Kakofoni e padëgjuar kjo, brenda së cilës është e vështirë të kërkosh cilësi dhe reforma.

Si do t’i vlerësonit reformat e tjera, të ndërmarra nga qeveria në pushtet, si ajo energjitike, e ndërtimeve pa leje dhe kërcënimet e Kryeministrit Rama për ndjekje penale ndaj kundravajtësve?

Reprezaljet burgosëse të të pamundurve ekonomikisht, eksplozionet shkatërruese të mundit dhe djersës së mijërave shqiptarëve, kërcënimet për vendosje prapa hekurave të bizneseve e qytetarëve, nuk i përkasin nocionit të reformave. Më shumë ato janë programe ekonomike dhe politike që kërkojnë të gjunjëzojnë njerëzit dhe jo të ndreqin padrejtësi. Ishte ky Kryeministër që premtoi legalizime për të gjithë, energji më çmime të ulura, punësim galopant, në një pushtet që do ishte i popullit dhe vetë ai bashkë me ministrat do ishin shërbëtorët e bindur. Ndërsa sot është po i njëjti që të gjithëve u dërgon si kartolinë të Vitit të Ri pamjen e dritares së burgut, si shenjë e “përulësisë” si “shërbëtor i devotshëm”. Por jo më si shërbëtor i votuesve, por si shërbëtor i krimit, të cilit i ka ngritur piedestal në parlament e administratë.

Po afrojnë zgjedhjet lokale. Përse PD-ja nuk e jep konsensusin për Reformën Territoriale, në një kohë kur edhe Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet tuaja?

Të gjitha pse-të ne tashmë i kemi artikuluar dhe i kemi bërë të qarta. Ajo nuk është ndarje territoriale, por ndarje për interesa politike të pastra. E realizuar pa konsensus politik dhe dukshëm arbitrare. Përsa u takon vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk ka aspak rrëzim të pretendimit tonë për këtë çështje. Shqyrtimi vazhdon dhe së shpejti do kemi një konkludim. Por mos të harrojmë që përpara kemi një referendum në disa njësi vendore të kërkuar nga pothuaj 70 mijë votues, ndërkohë që për të marrë mbështetje kjo reformë është konsultuar,  gjithmonë sipas PS-LSI, nga vetëm 16 mijë persona.

Elbasani, vendlindja dhe zona juaj elektorale, ka shfaqur shpesh pakënaqësi mbi punësimet në administratë. Cili është kriteri që ka zgjedhur kjo qeveri, për punësimin dhe cili është ndryshimi me qeverisjen e kaluar?

Kjo qeverisje ka ndjekur në fakt në këto punësime dy kritere “të forta”. I pari është ai politik dhe i dyti është ai kriminal. Pra, duhet të jesh fillimisht i PS ose i LSI. Pas kësaj, këtu preçedencë kanë ata që kanë qenë më parë të dënuar, që njihen si “të shkathët”, ose që kanë bërë disa vite burg. Por dhe kur nuk je i partisë dhe je vetëm i botës së krimit, mundësitë e punësimit nuk janë të vogla. Ky realitet dhe ai i mëparshmi i kohës së PD, kur specialistë pavarësisht bindjeve politike, vlerësoheshin dhe rekrutoheshin, tregon qartë dy panorama të ndryshme.

Opozita e sotme sa e sheh të mundshme afrimin e ndonjë partie tjetër si aleate, si ajo e Bamir Topit apo e Kreshnik Spahiut, në një të ardhme?

Partia Demokratike është e hapur në ndërtimin e aleancave solide e parimore dhe nuk paragjykon asnjë forcë politike, e cila është e gatshme të angazhohet plotësisht dhe sinqerisht për ndërtimin e një vizioni të përbashkët opozitar, që i shërben mirëqënies së qytetarëve dhe forcimit të shtetit ligjor e institucioneve demokratike.

Në mbyllje të çdo viti zakonisht bëhet një bilanc për vitin që shkoi. Ju në këndvështrimin tuaj, si do ta cilësonit këtë vit për shqiptarët duke e parë në shumë aspekte politike, ekonomike, sociale?

Politikisht, shqiptarët për shkak të prepotencës policore të shtetit të tyre janë më pak të lirë; ekonomikisht, për shkak të papërgjeshmërisë së qeverisjes së tyre janë të rrënuar plotësisht; nga ana sociale, për shkak të instalimit të së keqes, nga ata që i zgjodhën “t’i udhëheqin”, më të çorientuar se kurrë dhe njëkohësisht, më të revoltuar si asnjëherë tjetër.

SHKARKO APP