Lufta e Dytë e Lulzim Bashës

 

Nga Alfred Lela

Shefi i opozitës ka futur në kancelaritë e Europës dhe Amerikës alarmin e një rreziku për demokracinë ende të brishtë shqiptare: kriminalizimin e shtetit nëpërmjet politikës. Në fjalorin e brendshëm politik apo mediatik kjo përpjekje njihet si dekriminalizim. Koha kur z. Basha u ra kambanave të kësaj murtaje të re soc-politike e ka kaluar tashmë vitin dhe mund të thuhet se partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, jo vetëm nuk kanë bërë një vesh shurdh e një sy qorr, por e kanë futur edhe ata në axhendë dhe fjalor dekriminalizimin.

Kjo është fitorja e parë politike e sociale e Lulzim Bashës. Nuk i është përkthyer në kapital elektoral, sepse rrënjët e një peme të tillë duan kohë të zënë. Madje do të ish naivitet pritshmëria për rezultate zgjedhore të një beteje të tillë të rrafshit moral dhe jolëndor. Opinioni publik, jo populli se ai është tjetër gjini, e ka megjithatë si detyrim t’ia njohë shefit të opozitës këtë idealizmën në vend të pragmatizmit. (Pragmatizmi është bushtra e re me maskë zonje, që me maskarallëk është trafikuar në të folmen publike, ku përkthehet si zotësi dhe zgjedhje inteligjente).

Nëse nuk e pranojmë ngaqë nuk e shohim dot; nëse e shohim por s’na pëlqen ta pranojmë; nëse e pranojmë por e reduktojmë me cinizëm, kjo nuk do të thotë se ajo që nuk u flet sot syve tanë nuk do u kumbojë veshëve të atyre që do shkruajnë historinë politike të tranzicionit shqiptar.

Të mos harrojmë se në emër të dekriminalizimit dhe të një parimi politik që e ka themeluar vetë z. Basha, ai ka bërë edhe flinë e tij. Kandidati i opozitës për Këlcyrën u detyrua të tërhiqej nga zgjedhjet pas këmbënguljes për transparencë të partisë që e futi në garë. Këlcyra mund të peshojë pak, por simbolika e aktit rëndon sa malet përmbi të.

Dekriminalizimi është një reformë që Basha po i bën politikës shqiptare, dhe opozita duhet të mburret me këtë fakt. Reformat që duhet t’i bëjë shumica vijnë nën shenjën e pakicës.

E këtij rrafshi, e spastrimit dhe inkursionit civik në jetën politike duket se do të jetë edhe beteja apo lufta e dytë e Lulzim Bashës. Reforma e dytë e tij në opozitë. Megjithëse ka lidhje me dekriminalizimin, duhet konsideruar si një gjë më vete për shkak të një implikimi edhe më të thellë shoqëror e demokratik. Bëhet fjalë për standardin e zgjedhjeve. Në paqe, si europeist, me letra në dorë, pa zjarr e as zjarrmi, pa djegie gomash e as greva cinike urie me shpenzimet e të tjerëve, domethënë pa imituar opozitën e mëparshme, lideri i Opozitës së Re u është drejtuar portave të Euro-Amerikës edhe njëherë.

Gjasat janë, duke ditur edhe simpatinë që ai gëzon në komunitetin ndërkombëtar, t’ia dëgjojnë sërish fjalën. Basha nuk shpreson dhe as kërkon rezultat në tavolinë apo përmbysje. Ai është në kërkim të një standardi, të një fushëloje të pastër e demokratike. Do që, të paktën, edhe në humbtë, ai dhe partia e tij të humbin në kushte të barabarta.

Kushdoqoftë që ka kërkuar dhe kërkon rithemelimin e PD, e ka para syve këtë akt. Z. Basha me dy kryqëzatat e tij opozitare, Dekriminalizimin dhe Standardin e Zgjedhjeve, është duke rithemeluar jo vetëm Partinë Demokratike, por edhe politikën shqiptare.

Gjëra të rëndësishme shumë. Thelbësore, po ashtu. Fakti apo fati se jetojmë në një vend ku thelbësor është pushteti me çdo kusht e me çdokënd, nuk ia ul vlerën thelbësores, por jep mjerimin e gjithkujt që kujton se reformator të bën një kullë më shumë apo një shtesë më pak.

Mapo

SHKARKO APP