Lufta ndaj ISIS vështirë të shitet, besimi ende i helmatisur nga Iraku
Nga Mary Dejevsky, The Guardian
Përpara dy vjetësh, parlamenti britanik rrëzoi një plan për bombardime ajrore në Siri, një vendim i cili u pranua nga halli nga kryeministri. Përpara dy muajsh sekretari i ri i biznesit, Sajid Javid u duk se foli në emër të qeverisë kur i hodhi poshtë thirrjet për të ndërhyrë në terren në përpjekje për të ndalur përparimin e Shtetit Islamit, duke thënë se u takon njerëzve të rajonit t’i luftojnë luftërat e tyre.
Përpara dy javësh David Cameron hapi debat për pjesëmarrjen e Britanisë në bombardimet e aleatëve mbi Siri për të njëjtin qëllim, por premtoi se çdo propozim do t’ia paraqiste parlamentit në vjeshtë
Por ja që përpara një jave doli, falë një kërkese për informacion të lirë të paraqitur nga shoqata e të drejtave të njeriut Reprieve, se pilotët britanikë kanë marrë pjesë tashmë në bombardimet në Siri. Ministrat dhe zëdhënësi e tyre u strukën dhe u përpëlitën, por më pas pranuan se personeli i forcave ajrore mbretërore ka ndërmarrë sulme ajrore, por se veprimet e tyre nuk kanë shumë rëndësi, sepse: së pari, kishte shumë pak prej tyre (pilotë dhe bombardime); së dyti, vota e parlamentit përpara dy vjetësh kishte të bënte me një tjetër armik (Presidentin Assad); dhe së treti, pilotët ishin “shkartisur” me forcat amerikane dhe aleate, dhe nuk po drejtonin avionë britanikë.
Askush prej tyre nuk dukej se po ndihej rehat kur e thoshte një gjë të tillë: kishte një ndjesi fytyrash të skuqura dhe sikletosjesh. Por tani, edhe ajo që kishte mbetur nga pranimi “i detyrueshëm” nuk ekziston më. Disa ditë përpara se parlamenti të merrte pushimet verore, qeveria hapi një front të ri, i tëri që flakëron nga retorika e armëve. Në fakt, sikurse u paraqit nga Cameron në fjalimin e tij kundër radikalizmit si dhe nga sekretarja e Brendshme, Theresa May, te programi i BBC Radio 4 Today, është një front i dyfishtë.
Britania çuditërisht e gjen veten në prag të një lufte, të paktën ajrore, përreth Sirisë dhe Irakut, dhe një tjetër lufte në shtëpi kundër xhihadistëve të rikthyer dhe ekstremistëve myslimanë të çdo lloji. Ah po, dhe vini re se si ministrat britanikë tani përdorin emrin amerikan më të frikshëm ISIL, në vend të ISIS apo Shtetit Islamik (për të cilin BBC u qortua pse e përdorte).
Pra, çfarë ndryshoi saktësisht, që qeveria vendosi të hyjë në një luftë të plotë, gjë të cilën e vendosi vetëm pak përpara pushimeve? Pjesërisht kjo duket se reflekton paralajmërimin e shërbimeve të sigurisë. Ishin ata që këshilluan se Zyra e jashtme dhe Commonwealth-i duhet t’i ndalonte të gjitha udhëtimet në Tunizi, edhe pse turistët francezë dhe gjermanë vazhdojnë të shëllehen në shezlongët e tyre.
Në të kaluarën, zyrtarët britanikë kanë mbajtur një qëndrim ndryshe përballë kërcënimeve apo edhe sulmeve jashtë vendit, me merakun “për të mos iu dorëzuar terroristëve”. Por kësaj here ka një ndalim për të udhëtuar, dhe ai nuk u vendos si përgjigje e menjëhershme ndaj vrasjes së britanikëve në Sousse, por disa javë më pas me besimin se një sulm i tillë mund të përsëritet. As pesha dhe as lloji i këtij rreziku nuk u specifikuan dhe as pritet që të specifikohen. Zbulimet e para, sikurse kemi mësuar nga këshillat që u dhanë për armët e shkatërrimit në masë në Irak, mund të përhapen; por duhet të interpretohen nga ata që dinë diçka.
Për më tepër, disa anëtarë në pension të shërbimeve sekrete kanë paralajmëruar disa herë për kërcënimin që përbën ISIS për njerëzimin, sikurse e dimë. Pati një rikthim të jehonës përpara zgjedhjeve, dhe kohët e fundit thirrjet janë shtuar. Figurat e fundit të shquara që kanë kërkuar që të veprohet janë Lord Dannatt, ish-kreu i ushtrisë dhe Lord Richards, ish-shefi i stafit të mbrojtjes. Lord Richards javën e kaluar përdori çdo platformë që kishte në dispozicion për t’i rënë këmbanave të alarmit dhe bëri thirrje për një mobilizim kombëtar që ngjante me atë të Luftës së Dytë Botërore.
Nuk dihet nëse shefat e shërbimeve që janë në pension flasin në emër të tyre, apo të shefave aktualë që ua kërkojnë një gjë të tillë, por ajo që është e sigurt është se tashmë alarmi ka rënë.
Është folur gjithashtu për ISIS-in si një “kërcënim ekzistencial”, një term i huazuar nga Cameron pas sulmit në Tunizi. Ish-shefat janë ankuar gjithashtu për mungesën e një lidershipi politik që ta bindë publikun britanik për seriozitetin e kërcënimit.
Ndoshta qe në përgjigje të kësaj vërejtjeje që Cameron në maj ndërmori aktin e dyfishtë, duke cituar nevojën urgjente për të luftuar kërcënimin nga ISIS me “vlerat britanike” dhe për ta mbajtur efektivisht vendin në gjendje gatishmërie ndaj Islamit militant në mesin tonë. A mundet të ankohet ndokush për mungesë lidershipi tani?
Kështu që ka tre elementë: një paralajmërim të shërbimeve sekrete pas sulmit në Sousse; paralajmërimet në rritje nga ana e ish-krerëve të shërbimeve; dhe veprimtaritë e ekstremistëve fetarë në shtëpi, qofshin të pikasura apo jo nga shërbimet ato. Dhe secila prej tyre shihet si pjesë e kërcënimit më të madh.
Po sikur elementët të mos jenë kaq të rëndësishëm ama? Çfarë rreziku direkt i kanoset Britanisë apo edhe Europës, nga forcat paramesjetare që vërtiten përreth veriut të shpërbërë të Irakut dhe Sirisë?
Po sikur atentatori në Tunizi të mos kishte të bënte fare me ISIS-in, pavarësisht lidhjes që iu bë figurës së tij me organizatën famëkeqe? Po sikur shefat e shërbimeve të jenë duke e bërë me ndërgjegje paralajmërimin e tyre, në pritje të një analize më të detajuar të shërbimeve sekrete dhe të mbrojtjes? Dhe nëse një grup i vogël myslimanësh të lindur në Britani largohet për cilëndo arsye për t’iu bashkuar ISIS-it, si e kthen kjo automatikisht një forcë të tillë barbare në një rrezik të menjëhershëm për shtetin tonë?
E vërteta e trishtë është se nuk ka nevojë të harxhohet kohë duke u trajnuar në Siri apo Somali, nëse qëllim yt është të vrasësh disa prej vëllezërve të tu britanikë.
Kjo, jo për të mohuar se ka rreziqe të përgjithshme ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe rreziqe nga militantët e ISIS-it në mënyrë të veçantë. Por përfshirja e kaq shumë rreziqesh të përveçme brenda rrezikut të madh nuk do të japë domosdoshmërisht rezultatin e dëshiruar. Përgjigjja publike rrezikon të jetë një ndërthurje mes disfatizmit, e llojit se nuk mund të bëhet asgjë, dhe skepticizmit, se alarmi duket i tepruar përballë çdo rreziku që është parë.
Edhe pse jemi 12 vjet pas pushimit të Irakut, çdo qeveri britanike do të hasë vështirësi për t’i bindur njerëzit për nevojën e një lufte të huaj, sepse besimi vazhdon të jetë i helmatisur. Konfuzioni zyrtar dhe ekzagjerimi për ISIS-in e bën këtë detyrë edhe më të vështirë.