“Magjistratura”, PS: KLD dhe Prokuroria të vijojnë emërimet deri në ngritjen e KLGJ dhe KLP

Nga Herion Mesi

Kur largimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve si pasojë e vettingut po ndodhin çdo ditë, sytë janë drejtuar nga Shkolla e Magjistraturës për të mbushur vakumin e krijuar, ku drejtësia shqiptare duket tashmë zyrtarisht në kolaps.

Ngërçi i tërë sistemit duket se e ka nxjerrë jashtë funksionit dhe këtë shkollë, ku 15 magjistratë të rinj mbarojnë shkollën, do të qëndrojnë pa punë deri sa të ngrihet Këshilli i Lartë i Gjyqësorit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që duhet t’i emërojë.

Janë po këto dy institucione që do të bëjnë vettingun e kandidatëve për magjistratë si dhe do përcaktojnë dhe kuotat e studentëve për vitin 2018, i cili sipas të gjitha gjasave nuk do të nisë, pa një ndryshim të ligjit, duke përcaktuar kuota fikse studentësh si dy vitet e fundit.

Apeli duket se nuk ka rënë në vesh të shurdhët, ku kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja së bashku me anëtaren e PS-së në këtë komision, Klotilda Ferhatin kanë depozituar pak ditë më parë në Kuvend propozimet konkrete për ndryshimin e ligjit të “Statusit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”.

Konkretisht, socialistët propozojnë ndryshime në nenin 160 të ligjit aktual “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i cili parashikon që deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoratet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj, duke emëruar magjistratët kandidatë të diplomuar në vitin 2016, në përputhje me pjesën III, kreu II, të këtij ligji.

Ndërkaq, Manja dhe Ferhati në relacionin bashkëngjitur draftit theksojnë se tashmë këto dispozita kalimtare e kanë kryer efektin e tyre ligjor për dy vite akademike dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes për këtë vit akademik.

Dhe për të shmangur mbylljen e Magjistraturës, socialistët propozojnë që kufizimi kohor deri në vitin 2016 të hiqet si afat ligjor, duke i dhënë KLD-së dhe Prokuorit të Përgjithshëm kompetencë të plotë në emërimin e magjistratëve të rinj në funksionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve me një ndarje të përcaktuar, ku 3/5 do jenë gjyqtarë, dhe 2/5 prokurorë. dhe Prokurorin e Përgjithshëm, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ndryshimet në ligj

“Në pikën 1, shkronjat “a” dhe “b” ndryshohen:

Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoratet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj:

  1. a) emëron magjistratët kandidatë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, në përputhje me pjesën III, kreu II, të këtij ligji, brenda një muaji nga diplomimi;
  2. b) merr vendim për caktimin në pozicion të kandidatëve magjistratë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, sipas pjesës III, kreu III, të këtij ligji, brenda dy muajve nga diplomimi

Në pikën 2, shkronjat “a” dhe “b” ndryshohen:

“a) emëron magjistratët kandidatë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, në përputhje me pjesen III, kreu II, të këtij ligji, brenda një muaji nga diplomimi;

  1. b) merr vendim për caktimin në pozicion të kandidatëve magjistratë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, sipas pjesës III, kreu III, të këtij ligji, brenda dy muajve nga diplomimi; ”- thuhet në nenin 1 të projektligjit, i cili parashikon ndryshimin e pikave 1 dhe 2 të nenit 160 të ligjit aktual “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Ndërkohë, në nenin 2 të projektligjit, Manja dhe Ferhati kërkojnë dhe një shtesë në nenin 170 të ligjit aktual, duke përcaktuar dhe kritere të qarta për organizimin e konkursit nga Shkolla e Magjistraturës.

“Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe me qëllim plotësimin e nevojave për funksionimin e sistemit të drejtësisë, ngarkohet Shkolla e Magjistraturës të organizojë, jo më vonë se muaji tetor, konkursin për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë për vitin akademik 2018-2019, dhe të dyfishit të këtij numri për vitin akademik 2019-2020. Ndarja e profilit si gjyqtar dhe prokuror për kandidatët fitues për çdo vit akademik do të jetë përkatësisht 3/5 gjyqtarë dhe 2/5 prokurorë, që përcaktohet nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, sipas renditjes përfundimtare”- thuhet në pikën 2 të projektligjit.

Relacioni shpjegues i propozuesve të draftit Ulsi Manja dhe Klotilda Ferhati

Ligji nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, parashikon fillimin e procedurës për organizimin e provimit për kandidatët për magjistratë nga Shkolla e Magjistraturës disa muaj përpara fillimit të vitit akademik, me synimin që periudha deri në muajin tetor, kohë në të cilën fillon viti akademik, të shërbejë për verifikimin e pasurisë dhe të figurës së tyre.

Për shkak të moskonstituimit të institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në veçanti të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Shkolla e Magjistraturës aktualisht ndodhet në pamundësinë e organizimit të provimit të pranimit për kandidatët për magjistratë, por edhe të mos-emërimit të kandidatëve për magjistratë, që diplomohen në muajin qershor të vitit 2018.

Për shkak të kohës që do të nevojitej për ngritjen e Këshillave, dhe me qëllimin për të mos penguar zhvillimin normal të veprimtarisë së Shkollës së Magjistraturës, Kuvendi e ka rregulluar me ligj, si organizimin e provimit, ashtu edhe numrin e kandidatëve fitues, të ndarë, sipas profilit gjyqtar e prokuror, për vitin akademik 2016-2017 dhe 2017-2018.

Konkretisht, me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 68, pika 2), si dhe me ligjin nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtesisë” (neni 285), është ngarkuar Shkolla e Magjistraturës që të organizojë konkursin “për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë, respektivisht për vitin akademik 2016-2017 dhe 2017-2018”.

Tashmë këto dispozita kalimtare e kanë kryer efektin e tyre ligjor për dy vite akademike dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes për këtë vit akademik.

Në rrethana të tilla:

– meqënëse ende nuk janë krijuar Këshillat (KLGJ-KLP), të cilat ngarkohen nga ligji për të shpallur numrin maksimal të kandidatëve për magjistratë që do të pranohen në Formimin Fillestar për vitin e ri akademik;

– përderisa ligji parashikon disa afate, të cilat fillojnë në muajin Janar dhe që detyrojnë organet përkatëse, Këshillat (KLGJ/KLP) dhe Shkollën e Magjistraturës për të ndjekur të gjithë hapat e nevojshëm, lidhur me organizimin dhe zhvillimin e provimit;

– duke qenë se ligji nuk lejon zhvillimin e provimit të pranimit, jo më vonë se muaji prill dhe shpalljen e listës së fituesve, jo më vonë se data 15 maj;

– duke marrë në konsideratë se ngritja e Këshillave nuk është herë ende e mundur dhe nuk mund të parashikohet cili mund të jetë afati i krijimit të tyre;

vlerësohet se e vetmja zgjidhje është manja e iniciativës ligjore për të bërë një shtesë në ligjin nr. 96/2016, që të ngarkojë Shkollën e Magjistraturës të organizojë jo më vonë se muaji tetor, konkursin për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë për vitin akademik 2018-2019, dhe të dyfishit të ketij numri për vitin akademik 2019-2020. Ndarja e profilit si gjyqtar dhe prokuror për kandidatët fitues për çdo vit akademik do të jetë përkatësisht 3/5 gjyqtarë dhe 2/5 prokurorë, dhe do të përcaktohet nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, sipas renditjes përfundimtare.

Gjithashtu, Shkolla e Magjistraturës do të diplomojë në muajin qershor të vitit 2018 brezin e kandidatëve magjistratë, të pranuar në Programin e Formimit Fillestar në vitin akademik 2015-2016.

Në këto kushte, kur Këshillat nuk janë krijuar ende, dhe kandidatët që do të diplomohen në vitin 2018 nuk mund të emërohen dhe as të caktohen në pozicion, vlerësohet se e vetmja zgjidhje është marrja e iniciativës legjislative për të bërë një ndryshim në një prej dispozitave ligjore të ligjit nr. 96/2016, në mënyrë që të lejojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Për sa më sipër, propozoj projektligjin bashkëlidhur për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

SHKARKO APP