Majko i përlotur: Shqipëria e Kosova të shtrëngojnë dhëmbët, Thaçin tani do e kem më shumë mik
Ish-kryeministri shqiptar gjatë luftës së Kosovës, Pandeli Majko, e ka cilësuar vendimin e sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë si një “vendim dramatik”, por që, sipas tij, nuk e ndryshon historinë e luftës së Kosovës.
Duke folur për Top Channel, Majko u ndal edhe te dimensioni personal i vendimit, duke kujtuar raportin me Hashim Thaçin gjatë periudhës së luftës. Ai tha se Thaçi, si drejtues i delegacionit të Kosovës në Rambuje, luajti një rol të rëndësishëm në procesin ndërkombëtarizues të çështjes së Kosovës.
“Ky vendim nuk e ndryshon historinë, por në çdo rast është një vendim i një gjykate ndërkombëtare, ai do të gjykojë, por sesa do të peshojë me kalimin e kohës, do t’i lihet rrethanave. Dëshiroj të them që, megjithëse dëgjoj se UÇK-ja doli e pastër, kam një ndjenjë pesimizmi. Është disa herë që përpiqen të na deformojnë historinë. Nuk mund të thuash doli nga kjo histori e pastër UÇK-ja, që doli e papërlyer. Është fakt historik që UÇK-së ose i janë vrarë, ose i janë dënuar. Kjo është dramë dhe duhet vlerësuar thellësia e saj”, u shpreh ai.
Ish-kryeministri theksoi se vendimi i gjykatës nuk duhet të shihet si një ndryshim i historisë, ndërsa shprehu shqetësim për mënyrën se si mund të interpretohet lufta e UÇK-së në të ardhmen.
“Ky vendim dramatik i Hagës na bëri të qartë se Kosova nuk ka tjetër veç Shqipërisë dhe Shqipëria nuk ka tjetër veç Kosovës. Sot kanë parë të gjithë njerëz duke qarë, fëmijë dhe ish-ushtarë të UÇK-së. Drama nga pikëpamja njerëzore është e jashtëzakonshme. Nuk ka nevojë të qajnë, por të kenë një qëndrim dinjitoz. Nuk është i fuqishëm ai që shan një vendim gjykate. Çdo inat karshi saj më duket dobësi”, tha Majko.
Sipas Majkos, beteja juridike nuk ka përfunduar, pasi vendimi mund të kundërshtohet në Apel.
“Tani është edhe Apeli dhe mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vlerësojnë këtë jo si akt personal, por si akt që na ka goditur të gjithëve. Në luftë është shumë e vështirë të ndash një akt personal nga një akt kolektiv”, u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 3754

