Makbule Çeço: Një nga ditët e lumtura të jetës sime

Flet për “Koha Jonë” Makbule Çeço: Një nga ditët e lumtura të jetës sime

Nga Zenepe Luka

Zonja Çeço, si do ta vlerëosnit titullin e dhënë nga Qarku i Vlorës?

Është një nga ditët e lumtura të jetës sime. Që mora vlerësimin nga Vlora, vendlindja e gjyshit tim Mato Robi dhe babait të shtrenjtë Xhelo Mato. I shpreh mirënjohjen e thellë kryetarit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj, që pranoi kërkesën e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, për të më nderuar dhe vlerësuar punën dhe kontributet e mia gjatë jetës. Për mua, Bolena, Vlora, janë pjesë e jetës e shpirtit tim dhe e pasardhësve të mi.

 

Kemi dëgjuar, që jeni bërë gjyshe. E konsideroni këtë fakt si një event tjetër në jetën tuaj?

Po, është e vërtetë. Im bir Artani u bë baba i tre fëmijve njëherësh dhe unë, u bëra gjyshe e trenjakëve të mrekullueshëm. Isha e dëshiruar, isha në pritje për të provuar këtë ndjenjë hyjnore, do të thosha. Kisha dëgjuar që fëmija i fëmijës është mjalti i mjaltit, por tani po e përjetoj këtë ndjenjë, që besoj se do të lumturonte cilindo që e provon.

 

Ju duhet të ndjeheni e lumtur trefish, për trinjakët. Çfarë emrash ju keni vënë fëmijëve?

Janë dy vajza dhe një djalë, të tre bashkë, janë tre ëngjëj. Djali quhet Itan, ndërsa vajzat Amaris dhe Ebi. Bebushat janë një mrekulli, që na mrekulluan të gjithëve.

 

Nuk e përfytyuroj Makbule Çeçon, gruan serioze, të sertën poltikane dhe pushtetare, që ta kenë “zbutur” trenjakët e të birit. Si është e mundur?

Kur ta provoni do ta kuptoni atë që dua të them, atë që thotë çdo gjyshe, që të qënit gjyshe është një ndjenjë e rrallë, që të lidh, që zbut edhe gurin, nëse do të ndodhte. Mrekullia dhe lumturia e vërtetë për nënën, qenkërka kur bëhesh gjyshe. Mbi ta, nuk vë askënd.

SHKARKO APP