Make up-i pranverës 2017

Më në fund erdhi koha për të parë në çantën tuaj të tualetit, ato ngjyra plot shkëlqim e jetë, të cilave ndoshta deri sot nuk keni guxuar as t’u hidhni sytë. Tonalitete të blusë dhe jeshiles janë vënë në pah në javët e modës më të famshme në botë, por nuk mbetet prapa as përdorimi i violës, rozës e së kaltrës.

Mjaft më me penelat e lapsat e zinj, të cilët na ngushtojnë e ashpërsojnë tiparet tona. Nuancat e këtij sezoni janë freski, ajër e rini.

Nëse sytë i keni të kaltër (blu), mund të vendosni pa nguruar blunë, violën, rozën, artën, portokallinë etj. Mund t’i vendosni si tone në qepallat e syrit, por një zgjidhje shumë e mirë do të ishte edhe t’i vendosni në formën e penelit. Në këtë rast, mjafton të vendosni tonin e fondatinës.

Buzëkuqe natyrale në nuancat e rozës, portokallisë së çelët etj., por edhe buzë ku mbizotërojne dy nuanca, nga tonaliteti më i errët, duke u çelur drejt qendrës së buzës, në rast se duam të kemi buzë joshëse.

Edhe këtë sezon, si gjithmonë, i rezistojnë modës SYTË E ERRËT: ngjyrë kafe e të zinj.

Jeshilja është pa dyshim ekskluzive si tendencë. Nuancat e saj mund të përdoren si tone në pjesën e qepallës së syrit, por akoma edhe më komode, mund të përdoren si penel. Jeshilja është një ngjyrë që e thekson më mirë syrin.

Gjithashtu, mund të përdorim lapsat me ngjyrë violë, portokalli, por mund të guxojmë edhe me të verdhën, sidomos kur bëhet fjalë për ato që preferojnë më shumë buzëkuqet me nuanca të portokallisë, nga më natyralja deri tek tulla e theksuar.

Tualeti Nudo

Një ndër tendencat e tjera, që në fakt nuk është gjë tjetër veçse një formë e re e vazhdimësisë në stinën që lamë pas, është edhe tualeti nudo…

Një tualet pa tone në sy dhe vetëm një penel, sa për të kornizuar më së miri syrin. Për këtë lloj tualeti, rekomandohen buzëkuqe në ngjyrë të kuqe në të kaftë, por megjithatë, mund të përdoren ngjyra të forta si vishnje, lejla në të kuqe, potokalli e errët etj.

Sfumim në maksimum

Një ndër tualetet më të pëlqyera është ai i syrit të sfumuar. Tashmë është në modë dhe mund të thuhet se do të jetë edhe më shumë në të ardhmen. Syri i errët, ku sfumimi i së zezës vjen natyrshëm, duke përfshirë në të pak të kuqe të murrme, me një laps të bardhë në brendësi të tij, duket bukur i shoqëruar nga një buzëkuq vishnje në të kuqe, por mund të përdorim shumë mirë edhe nuancat e tokës, nga ngjyra kafe e errët deri tek bezha dhe të shoqëruara me gold.

Ky sezon pranverë-verë ofron alternativa të shumta, prandaj mos lini pas dore make-up-in tuaj, për t’u dukur sa më bukur!

SHKARKO APP