Makinat, sa do paguhet nga 1 janari për taksën e regjistrimit
Përcaktohet taksa vjetore e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve të transportit. Janë në total 15 kategori, në të cilat janë përcaktuar edhe nënkategoritë e mjeteve, të cilat janë të detyruara të paguajnë taksën vjetore në bazë të llojit të mjetit të transportit rrugor. Niveli i taksës shprehet në një kuotë të caktuar, sipas llojit të mjetit, shkruan Gazeta Shqiptare. Nga taksa përjashtohen vetëm çiklomotorët, ndërsa për kategorinë ‘automjete’, ku përfshihen autoveturat 4+1 deri në 8+1, taksa është nga 2.400 deri në 4.800 lekë. Taksën më të lartë e kanë mjetet rrugore të veçanta mbi 18 tonë, e cila arrin në 8.000 lekë në vit.
Kategoritë dhe nivelet, sipas mjeteve, janë përcaktuar në ligjin për sistemin e taksave vendore Nr. 9632, datë 30.10.2006, të ndryshuar. Taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve të transportit rrugor përcaktohet mbi bazën e llojit të mjetit të transportit rrugor. Sipas këtij ligji, niveli i taksës shprehet në një kuotë të caktuar, sipas llojit të mjetit. Detyrimi për taksën i takon pronarit të mjetit dhe e ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të mjetit. Taksa derdhet për llogari të bashkisë ose komunës, ku pronari i mjetit ka vendbanim ose selinë, brenda datës 10 të muajit pasardhës.
Sipas ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Drejtoria e Qarkullimit Rrugor, në rolin e agjentit të taksave, përfitojnë përkatësisht 5 për qind dhe 1 për qind të shumës së arkëtuar. Ndërkohë që Policia e Qarkullimit Rrugor kontrollon pagimin e kësaj takse nga zotëruesit e mjeteve dhe kur vëren se nuk është paguar, zbaton gjobë të barabartë me masën e taksës.
Nëse taksa apo gjoba nuk paguhen brenda 10 ditëve, ajo bllokon mjetin deri në pagesën e tyre. Për mjetet që regjistrohen për herë të parë, taksa paguhet e plotë, pavarësisht nga data e regjistrimit, dhe është e vlefshme për 365 ditë. Në vendin tonë janë të regjistruara rreth 412 mijë automjete.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shërbimit Rrugor, rreth 165 mijë automjete ose rreth 40 për qind e numrit total nuk paguajnë taksën e regjistrimit dhe të qarkullimit. Ndërkohë, në ligjin Nr. 9632, datë 30.10.-2006, të ndryshuar, në nenin 31 të tij përcaktohet përjashtimi nga pagimi i taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve të transportit rrugor.
Përjashtohen nga pagimi i taksës së regjistrimit të përvitshëm mjetet në pronësi të Trupit Diplomatik dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë, që gëzojnë statusin diplomatik, në bazë të parimit të reciprocitetit.