Mal Berisha: Si u shpëtuan hebrejtë në Shqipëri

 

Marrëdhëniet shqiptaro-hebraike dhe kontributi i ambasadorit amerikan Herman Bernstein gjatë viteve ‘30

Diplomati dhe publicisti Mal Berisha ishte këtë të diel i ftuar nderi në Institutin e Studimeve Hebraike në Nju Jork të SHBA-ve, (YIVO- Institute for Jewish Studies). Diplomati shqiptar që mban detyrën e ambasadorit shqiptar në Londër dhe Irlandë, referoi mbi një figurë mjaft të rëndësishme që ka pasur ndikim në marrëdhëniet shqiptaro-hebraike para Luftës së Dytë Botërore. Është fjala për ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Herman Bernstein. Berstein shërbeu në Shqipëri me gradën diplomatike i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm nga 17 shkurti i vitit 1930, deri në 24 shtator 1933. Puna e diplomatit amerikan gjatë këtyre viteve ka pasur një rëndësi të veçantë, jo vetëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por kryesisht edhe për kontributin e jashtëzakonshëm që dha për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Aktiviteti diplomatik, gazetaresk, por dhe si shkrimtar i Berstein gjatë misionit në Shqipëri dhe roli i tij në shpëtimin e hebrenjve në vendin tonë, ka qenë në qendër të një hulumtimi të veçantë të diplomati Mal Berisha. Puna për përgatitjen e këtij prezantimi për zotin Berisha kishte filluar që me kohë, dhe autori kishte përgatitur përveç prezantimit me Power Point edhe një broshurë të plotë prej 50 faqesh të cilën ua shpërndau të pranishmëve. Prezantimi i diplomatit Berisha u bë përpara një audience të gjerë, ku të pranishëm ishin amerikanë, amerikanë hebrej, shqiptaro amerikanë, studiues dhe të interesuar për lidhjet e Shqiptarëve me hebraizmin. Ambasadori foli në mënyrë të detajuar dhe pasqyroi një pamje të gjerë të asaj se përse në Shqipëri gjatë kohërave më të vështira të holokaustit, por edhe në etapa të tjera nuk u  dëmtua asnjë hebre.

Duke folur për diplomatin Berstein dhe qëndrimine tij në Shqipëri, z. Berisha tha se Bersteni ishte një emër i njohur i atyre viteve në komunitetit hebraik në SHBA dhe një prej publicistëve që evokoi me punën e tij rrezikun nazist ndaj këtij komuniteti. Ardhja e tij ambasador në Shqipëri ka qenë jo vetëm një vlerësim i diplomacisë amerikane për vendin tonë, por edhe një mision që la gjurmë në marrëdhëniet shqiptaro-hebraike.

Në hulumtimin e tij, diplomati Berisha është ndalur në kontributin që ka dhënë Shqipëria për shtimin e hebrenjve, si një nga vendet e pakta europiane që arriti të kthehej në strehën më të sigurt për hebrenjtë gjatë represionit nazist. Zoti Berisha u evidenton fakte se si Shqipëria deri në fund të Luftës së Dytë Botërore e kishte trefishuar popullsinë e saj hebreje. Në qytete të ndryshme të Shqipërisë janë strehuar hebrenj nga Austria, Gjermania dhe Jugosllavia. “Unë jam një shqiptar. Një nga traditat që unë vlerësoj së tepërmi tek popullin tim është BESA. BESA është Kodi i Nderit i shqiptarëve. Ai udhëzon sjelljen tonë ndaj mysafirëve dhe kur dikush gjendet në nevojë të skajshme. Kodi ynë moral është i shprehur në këtë mënyrë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”. Kjo është arsyeja pse populli shqiptar ka strehuar dhe mbrojtur, jo vetëm hebrenjtë e vendit të vet, por edhe refugjatët hebrenj që dëboheshin gjermanët nazistë”, – u shpreh gjatë fjalës së tij diplomati Berisha. Ai ka dhënë edhe shifra konkrete të hebrenjve që janë shpëtuar në Shqipëri. “Rreth tre mijë hebrenj u shpëtuan në Shqipëri. Në fakt, gjashtëdhjetë e nëntë shqiptarët i kanë pasur emrat e tyre të  gdhendur në Yad Vashem (përkujtimorja në Jeruzalem). Myslimanët dhe të krishterët shqiptarë morën rreziqet më të larta mbi veten e tyre për të shpëtuar hebrenjtë”.

Kontributi i Herman Bernstein në marrëdhëniet shqiptaro-hebraike

Ambasadori Bernstein është një figurë shumëdimensioale, që ka lënë gjurmë në marrëdhëniet me Shqipërisë dhe SHBA-ve. Kontributi i tij për Shqipërinë nuk lidhet vetëm me punën si diplomat, por edhe si gazetar dhe publicist i njohur. Gjithashtu, ai është një nga diplomatët dhe figurat e rëndësishme që vendosi precedentë të rëndësishëm në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe hebrejve. Ai shkroi dhe u bëri jehonë vlerave të rralla të kombit shqiptar, siç janë BESA dhe mikpritja, mungesa e plotë e antisemitizmit mes shqiptarëve dhe toleranca historike fetare e etnike. Duke njohur këto cilësi të kombit shqiptar, Benstenin ndikon në vendimmarrjen e Mbretit Zog për të ndihmuar hebrejtë. Vlen të theksohet se në vitin 1935, Mbreti Zog urdhëroi të gjitha misionet konsullore shqiptare në Europë që të jepnin viza për hebrejtë që kërcënoheshin nga përndjekja gjermane. Falë këtij vendimi u bë i mundur shpëtimi i mijëra jetëve të hebrejve që kërkonin shpëtim nga vala naziste e cila përshkoi në atë kohë Europën. 

SHKARKO APP