Mallkimi dhe bekimi i çmimit të ulët të naftës

Nga Henrik Böhme

Rregullat e vjetra të lojës nuk vlejnë më. Të paktën jo për çmimin e naftës. Para pak vitesh shpërthimi i një tubacioni në Nigeri mjaftonte për ta ngritur çmimin e "arit të zi". Nëse shtoheshin edhe vatra të tjera krize parashikohej shpejt një çmim që nuk binte kurrë nën 150 dollarë për fuçi por mund të arrinte shpejt kufirin prej 200 dollarësh. Në 2008 ndodhi, atëherë për një fuçi duhej të paguheshin 100 dollarë.

Tani në vitin 2014 krizat nuk mungojnë. Në të vërtetë çmimi i naftës duhej të ngrihej në qiell për më tepër që vende prodhuese si Rusia, Libia dhe Iraku janë gjithashtu vatra të tilla krize. Por kjo nuk po ndodh, përkundrazi: që prej qershorit kurba në grafikë është në rënie. Dhe të gjithë pyesin: sa do të bjerë ende çmimi i naftës? Askush nuk e di përgjigjen.

Natyrisht vendet që duhet të blejnë naftë, si Gjermania, janë në anën e fituesve. 90 miliardë duhen paguar për të çdo vit. Por këtë vit jo. Një euro e dobët pengon kursime më të mëdha pasi nafta duhet të paguhet në dollarë. Në të njëjtën kohë kursi aktual i këmbimit ndihmon gjermanët dhe eksportuesit evropiane për të bërë biznese të mira. Së bashku këto dy efekte japin një program të bukur koniunkturor edhe sepse njerëzit mund të shpenzojnë më shumë para për të tjera gjëra, para që i kursejnë nga blerja e karburantit për automjete dhe ngrohje.

Ndryshe është situata në vendet prodhuese: në Rusi bien me forcë këmbanat e alarmit edhe pse Kremlini sillet sikur e ka nën kontroll situatën. Rënia e çmimit të naftës kombinuar me sanksionet e BE-së: një koktej i rrezikshëm për sundimtarët në Kremlin. Edhe Venezuela është një rast i tillë: atje ku benzina është thuajse falas, ku buxheti i shtetit mbështetet thuajse vetëm nga të ardhurat prej biznesit të naftës, çmimet e ulëta janë si një fitil në një fuçi baruti. Për Presidentin Maduro ajri po bëhet i rrallë.

Natyrisht edhe teoritë e komplotit nuk mungojnë, siç është rasti i Presidentit të Iranit Rouhany. Ai nuhat një komplot politik të vendeve të caktuara kundër interesave të botës islame. Të tjerë shohin një fushatë nafte të SHBA kundër Rusisë për të ndëshkuar Putinin. Ndërsa të tjerë dyshojnë për sauditët të cilët duan të shkatërrojnë sektorin konkurrues të fracking-ut në SHBA. Të gjitha marrëzi.

Sepse tregu i naftës është thjesht shumë i madh dhe me shumë aktorë për të lejuar të tilla gjëra. E gjitha është shumë më e thjeshtë: qëkurse SHBA është një aktor i ri në treg, që jo vetëm importon sasi të mëdha nafte por me fracking prodhon edhe vetë, ka shumë naftë në një treg i cili karakterizohet nga një kërkesë në rënie. Me siguri ndonjë prej aktorëve së shpejti do të dalë nga tregu pasi investimet gjigante nuk janë më rentabël kur çmimi arrin një kufi të caktuar të ulët. Kjo mund të prekë si amerikanët ashtu edhe kanadezët të cilët me projektet e tyre të shtrenjta të naftës në rërë po vuajnë humbje të mëdha. Mund të ketë trazira politike për shembull në Venezuelë, kur atje çmimi qesharak i benzinës prej 2 cent të ngrihet në 5 cent.

Më parë, kur vlenin ende rregullat e vjetra të lojës, në një situatë të tillë do të ishte mbledhur karteli i naftës Opec dhe do të kishte vendosur reduktimin e sasisë së prodhuar për të ndaluar kështu rënien e çmimit. Por SHBA dhe Rusia nuk ulen në tryezë. Dhe sasive të përcaktuara nga Opec prej kohësh nuk i përmbahet më asnjë prej vendeve anëtare. Kështu edhe takimi i fundit i Opec-ut në fund të nëntorit përfundoi në një farsë. Herën e ardhshme në qershor 2015 nuk do të jetë ndryshe nëse ky institucion i padobishëm do të jetë ende gjallë deri atëherë. Por për momentin konsumatorët e naftës duhet t'i jenë mirënjohës Opec-ut për paaftësinë e tij vepruese. Një program të tillë koniunkturor nuk do të kishte arritur ta ndërmerrte asnjë qeveri. 500 miliardë dollarë më shumë fuqi blerëse në botë – Krishtlindjet mund të vijnë!

SHKARKO APP