Manastirliu apel grave në 8 Mars: Bëni kontrollet parandaluese falas

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se po rehabilitohet qendra shëndetësore ”Qyteti i Nxënësve”, e cila ofron sot kushte të përmirësuara dhe një standard të ri shërbimi për 8900 banorët e zonës së Kombinatit, në periferi të Tiranës.

“Jam shumë e kënaqur që vijojmë me përmirësimin e kushteve në kujdesin parësor, ku vetëm në Tiranë ka përfunduar rehabilitimi i 14 qendrave shëndetësore, pjesë e programit të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin”, shprehet ministrja Mansastirliu.

Duke u ndalur te programet parandaluese, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Ministrja Manastirliu bëri një ftesë për të gjitha gratë.“Si asnjëherë më parë, programet parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të grave janë në fokus të politikave tona shëndetësore. Ndaj sot me 8 Mars, gjej rastin të ftoj për çdo grua, të gjejë pak kohë për t’u kujdesur për shëndetin e saj. Kryeni kontrollin mjekësor bazë, testin falas për depistimin e kancerit të qafës së mitrës dhe mamografinë falas”, tha Manastirliu.

Rreth 17 mijë gra në vit, të grupmoshës 40-49 vjeç përfitojnë falas kryerjen e analizës HPV, për depistimin e një prej tumoreve më të shpeshta për gratë. 16.700 gra kanë kryer mamografinë vetëm në një vit, çka tregon për një rritje të ndërgjegjësimit, por edhe për zgjerimin e mundësisë për ta kryer atë në spitalet rajonale, ku janë instaluar 5 mamografë të rinj si dhe përmes mamografëve të lëvizshëm në të gjithë vendin.

Ndërsa Kontrollin Mjekësor Bazë, në një vit e kryen 260 mijë gra.

SHKARKO APP