Manastirliu tek Njësia 5 me Ballën, Peleshin dhe Braçen: Më shumë hapësira publike për fëmijët e të moshuarit

Kandidatja e PS-së për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, së bashku me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste të Njësisë 5, Taulant Balla, Niko Peleshi dhe Erion Braçe zhvilluan këtë të hënë një takim me banorët, ku u diskutua mbi sfidat dhe prioritetet e kësaj zone të madhe urbane. Manastirliu vuri theksin te ndërtimi i një Tirane që u përket qytetarëve, ku hapësirat, shërbimet dhe zhvillimi urban të jenë në funksion të komunitetit.

“Ka rëndësi që ne të ndërtojmë një qytet që i përket komunitetit, ku secili të ndjejë pronësinë mbi “katin zero” të lagjes, mbi territorin ku ndajmë jetën e përditshme, ndaj një nga prioritetet tona do të jetë pikërisht ajo që tashmë kemi nisur: çlirimi i hapësirave të përbashkëta dhe kthimi i tyre komunitetit. Çdo lagje duhet të ketë hapësira ku fëmijët të luajnë, të moshuarit të çlodhen dhe biznesit t’i shtohet vlera.

Shumë e rëndësishme është që çdo projekt, çdo punë publike, çdo program që nisim të ketë dimensionin social, si i shërben ky projekt fëmijëve, të moshuarve dhe familjeve. Kemi nisur Rilindje 2.0, një program që i heq barrierat këtij qyteti. Kjo nuk është një betejë kundër dikujt, por për Tiranën europiane me punët e vogla dhe të mëdha të qytetit”, tha Manastirliu.

Swiss Digital Desktop Reklama

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Njësinë 5, Taulant Balla u ndal te vlerat që Ogerta Manastirliu do të sjellë në drejtimin e Tiranës. “Është një mundësi e madhe për Tiranën që më në fund pas 105 vitesh kryeqyteti i shqiptarëve i besohet një zonje të vërtetë 24 karat tironse puro. Eksperienca e Ogertës në krye të sektorëve jetikë me të cilët përballen qytetarët, siç është shëndeti publik, siç është arsimi, e bëjnë Ogertën jo vetëm kandidaten më të mirë, por kandidaten e vetme në këto zgjedhje për të investuar votën”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Peleshi tha se Manastirliu është personi i duhur për Tiranën. ‘‘Ne kemi personin e duhur, politikisht dhe me aftësi menaxheriale, që i ka treguar kudo”. Ndërsa deputeti Erion Braçe tha se ka ardhur koha për një grua në drejtimin e Tiranës. ”Ka ardhur dita që në krye të Tiranës të sjellim një grua. Gratë dhe vajzat duhet të mbështesin një grua nga fillimi deri ne fund”,-tha Braçe.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?