Manja: Gjykata Kushtetuese do të ketë një godinë dinjitoze
Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektbuxhetin për vitin 2026, duke sjellë në fokus nevojat infrastrukturore të institucionit.
Buxheti total i parashikuar është rreth 257.3 milionë lekë, i ndarë si më poshtë:205.8 milionë lekë për paga dhe sigurime, 45.5 milionë lekë për mallra dhe shpenzime operative, 1 milion lekë për transferta, 5 milionë lekë për blerje pajisjesh informatike dhe mobilim zyrash.
Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës theksuan urgjencën për ndërtimin e një godine të re për Gjykatën Kushtetuese. Deputeti Genti Strazimiri u shpreh:
“Gjykata Kushtetuese është e pastrehë, jeton në një aneks të Kuvendit. Duhet të kërkoni fonde në nivelin që i takon këtij institucioni.”
Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, konfirmoi se është planifikuar ndërtimi i një godine të re për Gjykatën Kushtetuese.
“Ajo godinë shumë shpejt do t’i kalojë Kuvendit. Në projekte afatmesme, Gjykata Kushtetuese do të ketë një godinë të veten dinjitoze,” tha Manja.
Ai shtoi se deri në realizimin e projektit, do të akomodohen kërkesat më urgjente të institucionit.
KOHA JONË SONDAZH

