Manja i lë vendin Lamallarit në Ministrinë e Drejtësisë: Kauza mbetet e njëjtë, Shqipëria 2030 në BE
Pas dorëzimit zyrtar të detyrës, Ulsi Manja ka kaluar stafetën e Ministrisë së Drejtësisë tek pasuesi i tij, Besfort Lamallari. Në një postim në Facebook, Manja e përshkroi periudhën katërvjeçare në qeveri si “një shkollë jete” në krah të kryeministrit Edi Rama, duke falënderuar për besimin dhe mbështetjen.
Ai shprehu bindjen se Lamallari do të vazhdojë dhe do ta çojë më tej punën e nisur, veçanërisht në procesin e integrimit evropian, duke e ngritur atë “në një stad të ri”.
Postimi i plotë:
Kalim stafete, por kauza mbetet e njëjtë!
Sot përfundon zyrtarisht mandati im si Ministër i Drejtësisë. Katër vite intensive në krah të Kryeministrit Edi Rama kanë qenë një shkollë jete – me sfida të mëdha dhe përvoja të vyera. Falenderoj veçanërisht Kryeministrin për besimin dhe mbështetjen, dje si Ministër dhe sot si Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend.
Stafetën e Ministrit të Drejtësisë e merr miku im Besfort Lamallari, një kontributor i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Jam i bindur se ai do ta çojë më tej punën e nisur dhe do të ngrejë në një stad të ri arritjet tona, ku “qershia mbi tortë” mbetet hapja e negociatave për grupkapitujt themelorë.
Jam thellësisht mirënjohës stafit të përkushtuar të Ministrisë së Drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë. Nga sot, kontributin tim do ta jap nga një këndvështrim tjetër – si Kryetar i Komisionit të Ligjeve – në kodifikimin dhe përputhjen e legjislacionit tonë me atë të BE-së.
Postet ndryshojnë, por kauza mbetet e njëjtë: Shqipëria 2030 në BE.

KOHA JONË SONDAZH

