Marrëveshja e (pa) dëshiruar PS -PD

Nga Sadedin Çeliku/Jemi mësuar ta shikojmë Shqipërinë në kushte krize dhe sikur na ha trupi ta shikojmë atë të qetë. Kështu jemi mësuar ta trajtojmë njëri-tjetrin, si armiq dhe jo si kundërshtar dhe kësisoj marrëveshja e arritur midis Bashës dhe Ramës shumëkujt nuk i pëlqen. Kjo vërehet në reagimet e shumta të të vegjëlve që si ombrellë kishin të mëdhenjtë dhe gjithçka e përfitonin qyl nga ata, pra nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Pikërisht kështu reaguan kundër Vasili e Meta, Blushi e Doda,  Shehi e Gjinushi, Duka e Mediu etj.  Pra, partitë e vogla duke filluar nga LSI-ja e cila e mbante veten si pjesë e zgjidhjes dhe të tjerat u dëshpëruan dhe mbeten të zhgënjyer nga marrëveshja e arritur.  Shkaku,  nuk përfitojnë më vota qyli nga koalicionet ose më saktë nga partitë që rezultonin forcë e parë dhe e dytë.

Kështu ka ndodhur realisht që përbërja e parlamentit ka rezultuar me njerëz të arsimuar e të paarsimuar, në njerëz me grada shkencore dhe në njerëz me diploma të blera brenda dhe jashtë shtetit, në njerëz me rekorde kriminale dhe në njerëz të ndershëm. Pra s’mbeti njeri pa u futur në sallën e Parlamentit sepse prezenca e mbi njëqind partive politike në Shqipëri e ka ndotur ambientin dhe ka krijuar terren të përshtatshëm për të krijuar kriza politike. Fundja ja kanë parë qarin kësaj pune se edhe kur je jashtë Parlamentit edhe kur nuk je parti parlamentare persëri me qar je sepse fundja i ke ca zyra dhe ndonjë bar kafe fitimet e së cilës i merr kryetari.

Kështu ndodh me Partinë Aleanca Demokratike që edhe pse të pa përfaqësuar ka një seli dhe bar kafe, po kështu partia Bashkimi Liberal Demokrat, partitë PDS, PSD, Fryma e Re Demokratike e ndonjë tjetër etj.  Pra je apo s’je parti parlamentare kryetarët e saj bëhen të pasur me paratë e shqiptarëve dhe me lëshimet që ju bën ligji. Krejtësisht e padrejtë dhe e pandershme. Janë pikërisht këta që bërtasin e ulërasin në emër të popullit e demokracisë, po këta që na thonë për gjithçka se është kushtetuese dhe jo kushtetuese sikur të që pronë e tyre Kushtetuta, janë po këta që dalin kundra marrëveshjes sepse duan dhe ata përfitime dhe kësisoj duan ti shikojnë dy liderët të rrihen ose ti shikojnë të gjakosur si në ngjarjet e Shkupit. Por ka dhe qejfprishës nga radhët ministrore të Partisë Socialiste sepse humbasin portofolat pse jo dhe përfitimet e mëdha që kishin deri më tash.

Ka ardhur koha e selektimit të partive sepse janë vetëm për të prishur punë, ndofta dhe të një ligji që kufizon numrin e partive në parlament.  Kjo mund të realizohet me një sistem tjetër zgjedhor, por për këtë kërkohet mirëkuptim nga të gjitha forcat politike.  Personalisht gjykoj se marrëveshja e arritur është në të mirë të shqiptarëve, krijon premisa për qetësi e rend publik, për zgjedhje të ndershme, demokratike e të gjithëpranuara e pa kontestime.  Bashkëqeverisja me teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, pra e tre forcave politike është normale në një situatë anormale.  Eksperienca të tilla kemi në Greqi ku para zgjedhjeve marrin disa portofola opozita, por kemi bashkëqeverisje si model Gjermaninë e ndonjë vend tjetër. Unë nuk shikoj asgjë të keqe dhe nuk xhelozohem me atë ç’ka merr opozita, fundja s’ka pse të vazhdojmë të qeverisim me monopole politike.  Ato që humbasin nga marrëveshja midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike janë vetëm disa njerëz të përkëdhelur, të privilegjuar nga përfitimet që ju jep karrigia dhe ata që fitojnë, janë të gjithë shqiptarët të cilët duan qetësi, punë e rend publik, duam mirëqenie dhe integrim.

SHKARKO APP