Masakra në Valbonë, 11 hidrocentrale në 25 km!
Po bëhen disa kohë që një grup banorësh të Tropojës kanë ngritur zërin nëpër media dhe rrjete sociale, për një masakër ekologjike që po përgatitet ndaj lumit të Valbonës. Arsyeja që banorët e Valbonës dhe Rrogamit të Shalës janë alarmuar është se ka nisur të zbatohet një projekt për ndërtimin e 10 hidrocentrave, (11 bashkë me një hidrocentral ekzistues), përgjatë rrjedhës së lumit të Valbonës dhe kjo jo në të gjithë rrjedhën, por vetëm në 25 kilometrat e rrjedhës së epërme, rrjedhës së rrëmbyeshme të këtij lumi, deri sa zbret në fushë.
Të ndërtohen 11 hidrocentrale në gjatesinë e 25 kilometrave, do të thotë dënim kapital për lumin e njohur në mbare viset shqiptare! Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Lumi Valbona është si një Faltore e shenjtë e natyrës sonë të bekuar të Alpeve shqiptare. Lumi bashkë me Luginën e vet ku rrjedh është një nga të paktat vende që kanë mbetur pa u dëmtuar, duke mundur të ruajnë bio-diversitetin. Vazhdimisht ka pasur kërcenime nga individë , gjuetarë të paligjshëm, tregtare të vegjël lëndësh drusore, që kanë synuar të përfitojnë në kohëra rrëmujash. Por për fat deri më sot dëmtimet kanë qenë jo të mëdha. Sot kjo pritet të ndryshojë.
Shkatërrimi i turizmit të zonës
Kësaj radhe, kërcënimi ketij Lumi dhe Luginës së tij po i vjen jo nga individë që shkelin ligjin, por nga shteti shqiptar që kërkon të zbatojë disa projekte shkatërrimtare në këtë zonë. Të ndërtohen 11 hidrocentrale në Luginën e Valbonës është masakër ekologjike më së pari; dhe së dyti, duke ditur rëndësinë që ka turizmi rajonal për ekonominë e kësaj zone, përbën një tjetër masakër me ndikim fatal. Për të bërë një parantezë, të ndërtohen hidrocentrale në Luginën e Valbonës në Shqipëri, është njësoj sikur të ngrihen amerikanët e të ndërtojnë hidrocentrale në Parkun Yellowstone! Lugina e Valbonës është Park Kombëtar. Nëse ky term ende ruan ndonjëfarë kuptimi, atëhere kjo që duan të kryejnë ndaj Valbonës është vepër kriminale që duhet ndaluar sa më parë. Vërtetë që furnizimi me energji elektrike është një problem në rritje, por rruga e zgjedhur për ta zgjidhur këtë problem në zonën e Tropojës tregon një miopi të vërtetë sepse të ardhurat nga Turizmi Rajonal janë disa herë më të larta se ato që do të sjellë ndertimi i atyre 10 hidrocentraleve. A mendojnë me logjike ekonomike specialistët e shteti shqiptar kur vjen puna te shqyrtimi i këtyre projekteve shkatërrimtare!? A mos vallë është më me interes kombëtar është ruajtja e kësaj Lugine si e ka falur Zoti dhe të mos e rrënojnë për të shuar makutërine e disa personave që fshihen mbrapa këtyre projekteve!?
Masakra në ekosistem
Të shkatërrohet Valbona me vullnet të lirë në vitin 2016, ështe e pafalshme, është një masakër ekologjike e aprovuar nga shteti shqiptar?! Kjo është e papranueshme. Banorët e Tropojës duhet të ndërgjegjësohen se kjo masakër do u kushtojë shumë shtrenjtë për ardhmërinë e tyre. Jo vetëm që do të humbin turizmin që sjell përfitime dhe ka pasur impakt të madh në ekonominë e zonës, por do të jetë edhe katastrofë ekologjike, pasi ndalimi i rrjedhës direkt do të zhdukë përgjithmone troftën e famshme të Valbonës dhe do të ndikojë në gjithë eko-sistemin e kësaj Lugine përrallore. Siç dihet nga mënyra se si zbërthehet znixhiri i eko-sistemit kur këputet një hallkë, kjo shoqërohet me pasoja.
Apeli
Apelojmë këtu edhe te të gjithë malësorët e Tropojës, kudo që janë, të ngrihen e të protestojnë në Tropojë, në Tiranë, në emigrim! Ata që jetojnë në emigrim mos të harrojnë se ajo Valbona e bukur, me atë kaltersinë poetike të saj, nuk do të jetë më, pasi një projekt po zbatohet për ta dënuar me vdekje! Nuk do të jetë më ajo Valbona e kaltër në sfondin e së cilës nxitonin të gjithë që të bënin fotografi. Apelojmë te të gjithë shqiptarët, tek të gjithë ata që kanë pasur rastin dhe janë mahnitur me mrekullinë e Luginës së Valbonës, qoftë edhe një herë edhe tek ata që kanë pasur plan ta vizitojnë, ta ndalojmë këtë masakër para se të jetë vonë! Apelojme te pushteti i sotëm, mos e kryeni këtë masakër! Apelojmë te e ashtëquajtura opozitë e sotme, e cila as është ndier e gjallë këto kohë, lidhur me masakrën në pergatitje ndaj Valbonës! Mjaft ka vuajtur Tropoja këto vite. Lëreni të qetë në punën e vet! Askush nuk ka dashur t’ia dij1ëe për atë zonë. Qeveria e Sali Berishës ishte në pushtet 13 vjet gjatë 25 viteve demokraci dhe nuk kreu asnjë investim të konsiderueshëm në vendlindjen e vet dhe tani qeveria e sotme vjen e kërkon të investojë një projekt të miratuar në vitin 2010! Kush janë ata që duan të zbatojnë këto projekte? Pse heshtet në këtë rast, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita? Për Skavicën u fol e u diskutua, kurse projekti i hidrocentraleve të Valbonës kalon në një heshtje mediatike. – Nga Ilir Seci – JavaNews