
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka kërkuar që Policia e Shtetit të tregojë më shumë moderim në reagimin ndaj protestuesve, duke akuzuar qeverinë se po përdor dialogun vetëm si retorikë, ndërsa vendimet i merr pa konsultime. “Unë jam qëruar nga sytë me spray-n e tyre. Kam ngrënë gazin e tyre pa bërë asgjë”, deklaroi deputeti demokrat, i cili kërkoi që autoritetet të ulin intensitetin e ndërhyrjeve dhe të mos frikësojnë qytetarët që duan të protestojnë.
Korreshi e cilësoi sjelljen e qeverisë si autoritare, ndërsa kritikoi edhe gjobat ndaj protestuesve dhe vendimet që prekin drejtpërdrejt qytetarët. “Këto janë grahmat e fundit të një pushteti në delir, një shteti që bën sikur pret të dialogosh”, u shpreh ai. Një tjetër akuzë e deputetit kishte të bënte me identifikimin e punonjësve të policisë gjatë aksioneve në terren. Korreshi pretendoi se disa efektivë nuk mbanin shenja identifikuese dhe i cilësoi ata me tone të ashpra. “E di që është vepër penale që një polic nuk identifikohet? S’kanë pasur stemë policie. Kanë qenë hajdutë me maska”, tha ai.
Gjatë intervistës në ”Report TV”, në ekran u shfaqën pamje të protestuesve të maskuar që hynin dhe dilnin nga selia e Partisë Demokratike. I pyetur në mënyrë të tërthortë për këto pamje, Korreshi nuk pranoi të komentonte, duke argumentuar se nuk kishte mundësi t’i shihte për shkak të lidhjes vetëm audio.
“Nuk e shoh dot se nuk ma jep. Nuk kam video. Jam vetëm në audio”, u përgjigj deputeti. Ai mbrojti selinë blu, duke theksuar se ajo ka qenë e hapur për këdo. “A thua se selia e PD qenka seli huliganësh? Nuk është e tillë. A ka qenë e hapur? Për të gjithë”, deklaroi Korreshi. Sa i përket protestës së paralajmëruar për të shtunën, deputeti konfirmoi se Partia Demokratike do të vijojë të jetë në krah të protestuesve, duke theksuar se opozita nuk synon të marrë drejtimin e lëvizjes, por të mbështesë qytetarët dhe grupet e interesit.
