Mbaroi ëndrra e barazisë gjinore në këshillat bashkiake

 

 Letër e dërguar nga Riza Hoxha

 Në startin e fushatës elektorale u duk sikur barazia meshkuj femra në këshillat e rinj bashkiakë do të ishte një realitet i prekshëm nga i gjithë komuniteti e që do të vërehej në rritjen cilësore të shërbimeve ndaj tij. Këtë e pranuan të gjithë, bile edhe vetë drejtuesit e forcave politike të vendit. Një realitet që po dukej për herë të parë në horizont që nga krijimi i shtetit shqiptar. Një start ku numri i barabartë i këshilltareve femra e këshilltarëve meshkuj do të ishte i barabartë pritej me mjaft kureshtje gjatë gjithë fushatës elektorale. Aq sa edhe femrat u vunë në skalionet e para të fushatës, edhe pse vetëm ato të dy a tre partive të mëdha. Pasi partive të tjera as nuk u ndihej zëri e jo më të kryenin ndonjë lloj fushate.

Po këto përbetime mbetën të tilla vetëm gjatë fushatës elektorale. Deri pa nisur numërimi i votave. Pasi kur u numëruan votat gjithccka ndryshoi, ndërsa ëndrra e barazisë mbaroi dhe u shfaq realiteti i vërtetë shqiptar. Me kodin e pandryshuar zgjedhor, burrat që ishin mësuar të mbeten këshilltarë të përjetshëm pa i dhënë ndonjë gjë komunitetit, ia gjetën anën për të mbetur sërish këshilltar. Në rajonin verilindor, këshilltarët e përjetshëm u rizgjodhën sërish, duke larguar nga skema gratë, që mbetën sërish prapa listës.

Në bashkinë Has, nga 21 këshilltarë, vetëm një është femër dhe kjo përfaqësuese e PD-së. Nazlie Laci. Në këtë bashki edhe pse ASHE ka 12 këshilltarë, asnjë prej tyre nuk është femër. Burrat ia kanë gjetur anën duke kandiduar me parti të ndryshme, pra 12 këshilltarë, janë përfaqësues të 12 partive të ndryshme.  Në bashkinë Tropojë me 21 këshilltarë, vetëm 4 prej tyre janë femra. Në koalicionin APPD prej 9 këshilltarësh vetëm dy janë femra përfaqësuese të PD-së Mirjeta Gjongecaj dhe Feride Rrahmanaj. Po ashtu edhe në koalicionin ASHE nga 12 këshilltarë dy janë femra, Violeta Imeraj, përfaqësuese e PS-së dhe Shpresa Mulkurti përfaqësuese e LSI-së.

 Në bashkinë e Kukësit nga 31 këshilltarë, vetëm 6 janë femra. Kështu koalicioni APPD nga 13 këshilltarë, vetëm dy janë femra Vjollca Omuri, dhe Hajrie Bulica, përfaqësuese të PD-së. ndërsa në koalicionin ASHE nga 17 këshilltarë, 6 janë femra. Tatjana Kërxhaliu, përfaqësuese e PS-së, Vjollca Omuri dhe Hajrie Bulica, përfaqësuese të PD-së, Zarie Cika, përfaqësuese e PDIU, Zarie Visha, përfaqësuese e LSI-së dhe Vera Shehu, përfaqësuese e PSHA-së. .

Pavarësisht ndonjë ndryshimi, kur më parë në këshillat komunale, apo bashkiake kishte një ose dy këshilltare, ka një tendencë rritjeje, por barazia gjinore në këshillat bashkiake ende mbetet një ëndërr për t’u realizuar në të ardhmen. Numri i madh i partive u jep mundësi disa këshilltarëve të përjetshëm, të gjejnë mundësinë për të kandiduar dhe me marifete të ndryshme edhe për të fituar.    Interesante është bashkia e Krumës. Mandatin e kaluar të 15 këshilltarët e saj ishin përfaqësues të 15 forcave politike, gjë që as nuk lejonte të bëhej fjalë për ndonjë pjesëmarrje të femrës në këtë këshill. Thuajse e njëjta gjë po ndodh edhe këtë mandat. Edhe pse numri I këshilltarëve ka shkuar në 21, sërish po ndodh i njëjti fenomen ne bashkinë e Hasit. Vetëm PD ka dy këshilltarë, prej të cilëve një femër. Ndërsa 19 këshilltarët e tjerë janë përfaqësues të 19 forcave të ndryshme politike, gjë që ka mundësuar eliminimin thuajse të plotë të pjesëmarrjes së femrave në këshillin bashkiak dhe në vendimarrje. Heshtin vetë partitë për këshilltarët që kandidojnë. Heshtin, pasi shumë prej tyre as nuk e dinë se ç’këshilltarë kandidojnë. Sepse vetë këshilltarët kandidatë zgjedhin partinë për të cilën do të kandidojnë, pasi partia as vetë nuk di ç’adresë ka. Kështu në verilindje u zgjodhën sërish këshilltarët e përjetshëm, por që dinë t’i shërbejnë vetëm xhepit të tyre dhe asnjëherë komunitetit. Cudia është heshtja ndaj fenomenit nga partitë politike. Sepse këta këshilltarë ia kërkojnë votën edhe fshatarëve të mbytur në mjerim duke I gënjyer se do t’u realizonte të gjitha kërkesat që kishin. Tashmë të gjithë e shohin këtë lukuni politike të zhytur deri në fyt në korrupsion e në mashtrime. Më keq akoma që po vë në jetë një sundim familjar, një fenomen tashmë prezent në rajonin verilindor. Ndërsa as nuk do t’ia dijë për popullin e lodhur e të varfëruar deri në palcë.  Ky lloj pushteti familjar hesht tani edhe pse krahina si Malziu, apo Gora, nuk kanë asnjë këshilltar në këshillin bashkiak. Ndërsa partitë as nuk duan t’ia dinë për banorët e këtyre krahinave tërësisht të braktisura.  

Tashmë për ta bërë efikase ëndrrën e barazisë mes meshkujve e femrave në vendimarrje nuk mjafton vetëm dëshira, por kërkohen ndryshime edhe në kodin zgjedhor. Në rradhë të parë, kërkohet shkatërrimi I pushtetit familjar që është krejt I lexueshëm në rajonin verilindor. Është ky pushtet shkaku kryesor I rritjes së fluksit të largimit në emigracion të shumicës së popullsisë. Aq sa edhe këto ditë numri I të larguarve vazhdon të rritet. Paradoksalisht për këtë më shumnë janë shqetësuar mësuesit, pasi po u ikin nxënësit, gjë që sjell uljen e ndjeshme të numrit të nxënësve dhe nuk dinë se ku do të punësohen vitin e ardhshëm shkollor. Ndërsa strukturat shtetëroreas njuk duan t’ia dinë për fenomenin që savjen e rritet. Së fundmi: Shumë zhurmë u bë për dekriminalizimin. Por u hesht tërësisht për këshilltarët që kandiduan me lloj lloj partish të panjohura nga komuniteti. Është kjo arsyeja që sot e. gjithë ditën shumë pak besojnë se do të ndryshojë diçka në të mirë të komunitetit. Me këshilltarë të përjetshëm që dinë të shohin vetëm xhepin e tyre, asgjë e mirë nuk mund t’i vijë asnjë njeriu, aq më pak Shqipërisë.

                         

SHKARKO APP