Mbi 39 mijë biznese të regjistruara për një vit
Viti 2015, mesa duket ka qenë një vit me zhvillime tepër pozitive për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Kjo, jo vetëm për shërbimet e reja që i janë ofruar biznesit, duke shtuar në këtë mënyrë mundësinë për t’i marrë ato elektronikisht.
Sipas statistikave zyrtare përgjatë 12 muajve të vitit, numri i bizneseve të reja që janë regjistruar tejakaloi shifrën prej 39,379 ose 135.4 % më shumë se totali 2014, kur kjo shifër ishte 16,731. Ritmi i lartë i regjistrimit u ndikua edhe nga fushata që qeveria nisi për formalizimin e ekonomisë, ku një theks i veçantë iu vu regjistrimit.
Ritmi i regjistrimit të bizneseve të reja në dhjetor u rrit lehtë në krahasim me muajin paraardhës. Sipas të dhënave të QKR-së gjatë muajit dhjetor u regjistruan 1,032 biznese ose 1.3 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2014-ës, kur ky numër ishte 784. Nga ana tjerër QKR raporton se për periudhën korrik – dhjetor 2015 u regjistruan 30,511 subjekte ose 5.6 herë më shumë se viti 2014. Viti i ardhshëm do të jetë një tjetër vit sfide, pasi tashmë është miratuar edhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Biznesit, që do të shërbejë si një sportel unik për regjistrimin dhe licencimit e biznesit, gjë që do të ulë kostot për sipërmarrjen. Masë që parashikohet të ndikojë edhe në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri.