Mbledhja vjetore e BERZH, Sejko: Rritja ekonomike në Shqipëri në trajektore pozitive zhvillimi
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Qipro me temë “Të synojmë një rritje të gjelbër dhe gjithëpërfshirëse – Njohje me sfidat rajonale dhe globale”.
Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë mbledhje që u zhvillua në datat 9-11 maj 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare. Ndër këto veçojmë takimin me Holger Muent, Drejtor për Vendet e Ballkanit Perëndimor, Peter Sanfey, Zëvendësdrejtor i Sektorit për Çështjet Ekonomike të Vendeve në BERZH, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të BERZH-it.
Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike, si dhe në zhvillimet e sektorit bankar. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Disa nga çështjet më të rëndësishme që u diskutuan ishin nxitja e kreditimit si dhe reduktimi i kredive me probleme. Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë, i shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në rreth 17.4%.
Duke përfituar nga rasti, Guvernatori Sejko falënderoi përfaqësuesit e BERZH-it për kontributin e rëndësishëm lidhur me angazhimin nëpërmjet projekteve të ndryshme dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë dhe i ftoi të vazhdojnë të vlerësojnë potencialet që ofron Shqipëria.
Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, përfaqësuesit e BERZH-it falënderuan Guvernatorin për bashkëpunimin e deritanishëm institucional si dhe diskutuan lidhur me projektet e ardhshme në fushën e sistemit financiar dhe më gjerë. Përfaqësuesit e BERZH-it, vlerësuan potencialet e vendit dhe shprehën angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes të veçantë për Shqipërinë si turizmi, agroindustria, etj.
Gjithashtu, gjatë takimit, përfaqësuesit e BERZH-it diskutuan së bashku me Guvernatorin Sejko, lidhur me avantazhet e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis vendeve të rajonit. Të dyja palët theksuan se një treg më i gjerë vlerësohet si një mundësi mjaft e mirë për të tërhequr investitorë dhe financime më të mëdha.
Gjatë qëndrimit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues nga institucione të njohura ndërkombëtare si Euromoney dhe Finance in Motion.