Avokatët e Erion Veliajt: Vendimi për paraburgimin krijon precedent të rrezikshëm

Çështja e paraburgimit të ish kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, rikthehet në fokus pas shtyrjes së seancës në Gjykatën e Apelit. Mbrojtja e tij e konsideron vendimin e shkallës së parë si një precedent të rrezikshëm që cenon parimin e përgjegjësisë individuale dhe lirisë personale, duke e kthyer procesin në një debat më të gjerë mbi standardet e drejtësisë.

Nga Erion Veliaj

DEKLARATË PËR MEDIA

Swiss Digital Desktop Reklama

Të nderuar përfaqësues të medias,

Swiss Digital Mobile Reklama

Në vijim të praktikës sonë për të informuar publikun mbi çdo zhvillim gjyqësor që lidhet me të mbrojturin prej meje, z. Erion Veliaj, ju bëjmë me dije sa vijon:
në Gjykatën e Apelit, u shty shqyrtimi i kërkesës sonë për shfuqizimin e vendimit të shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme, i cili ka pezulluar afatet e paraburgimit të Erion Veliaj për shkaqe që lidhen me një subjekt tjetër të procedimit penal, duke e kthyer një situatë individuale në një pasojë kolektive.

Shtyrja e seancës erdhi për një detaj formal në firmën e Drejtorit të Burgut, një çështje që gjykata, me të drejtë, e konsideroi të rëndësishme për integritetin e procesit të rregullt ligjor. Ky është një standard që ne e mbështesim plotësisht.
Por thelbi i çështjes mbetet i pandryshuar dhe thellësisht shqetësues.

Vendimi i gjykatës së shkallës së parë përbën një precedent të rrezikshëm, pasi e shndërron pezullimin e afateve të paraburgimit në një formë ndëshkimi kolektiv. Një sjellje procedurale individuale, në këtë rast e mbrojtëses së një subjekti tjetër, është përdorur për të zgjatur kufizimin e lirisë së personave të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me atë situatë, duke e kthyer një masë thelbësisht individuale në një mekanizëm ndëshkimi kolektiv. Ligji është i qartë: pasojat procedurale lidhen drejtpërdrejt me sjelljen e individit konkret. Asnjë nga të pandehurit e tjerë nuk ka asnjë përgjegjësi për mënyrën se si është konfiguruar procedimi penal, një konfigurim që është produkt i organit të akuzës. Nuk mund të ndodhë që për shkak të këtij konfigurimi, apo për shkak të mosmenaxhimit të tij, të mbajnë barrë ata që nuk kanë asnjë rol në këto vendimmarrje. Kjo krijon një situatë jo vetëm juridikisht të papranueshme, por edhe logjikisht absurde: liria e një personi bëhet e varur nga sjellja procedurale e një tjetri, pa asnjë lidhje midis tyre.

Ky është një deformim i rëndë i drejtësisë.
Paraburgimi është masa më e rëndë përpara një vendimi penal dhe si e tillë duhet të zbatohet mbi baza strikte individuale. Çdo devijim nga ky standard nuk është thjesht një gabim interpretimi, është një cenim i drejtpërdrejtë i lirisë personale dhe i parimit të shtetit të së drejtës. Asnjë problem në konfigurimin apo menaxhimin e procesit hetimor dhe gjyqësor nuk mund të kthehet në barrë shtesë për ata që janë subjekt i tij dhe që tashmë përballen me kufizimin më të rëndë: privimin nga liria.

Ne presim që Gjykata e Apelit të rikthejë balancën ligjore dhe kushtetuese në këtë çështje, duke korrigjuar një vendim që në thelb zgjat paraburgimin pa bazë individuale dhe pa mbështetje ligjore.

Ky nuk është një debat teknik. Ky është një tjetër test për drejtësinë dhe përkushtimin e saj ndaj Kushtetutës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?