Mbyllet Bursa e Tiranës?!
Drejt shkrirjes institucioni që duhej të bënte realitet ekzistencën e tregut të kapitaleve në vendin tonë. Fjala është pikërisht për Bursën e Tiranës, për të cilën sipas burimeve nga ministria e Financave tashmë ekziston një shkresë për mbylljen e saj. Kujtojmë se Bursa e Tiranës, deri tani, të paktën zyrtarisht, ka qenë i vetmi treg i organizuar i letrave me vlerë, i titujve në Shqipëri dhe si i tillë, ai duhej të funksionojë pikë së pari, për të mbrojtur interesat e investitorëve. Por gjatë viteve të ekzistencës së saj, për fat të keq nuk ka mundur që të listojë asnjë kompani brenda saj, edhe pse interesimi për këtë nuk ka munguar nga ana e kompanive. Mesa duket, megjithë qëllimin e tyre të mirë për të funksionuar në një treg aksionesh, mënyra e funksionimit të tyre në një mjedis tipik shqiptar të të bërit biznes, i ka penguar për ta realizuar një gjë të tillë. Konkretisht, funksionimi me dy bilance, shpesh pamaturia për të përmbgushur të gjitha kushtet e transparencës së veprimeve dhe bilanceve etj, i ka detyruar që t’i qëndrojnë larg në njëfarë mënyre Bursës si e tillë, e cila sinjifikon operimin përmes aksioneve në treg. “Realisht, ne nuk kemi kompani te listuara në Bursën e Tiranes, por interesimi i disa kompanive të fuqishme në Shqipëri, ekziston. Dhe kjo renditet në radhë të parë, sikundër edhe mundësia. Sepse mbi të gjitha, ata duhet të jenë transparentë me publikun. Që do të thotë se bilancet e tyre dhe gjithçka, të bëhet e tillë në sytë e publikut”, ka deklaruar për “KJ” para disa kohësh, drejtoresha e këtij institucioni Anila Fureraj. Për të vënë kështu në dukje pengesat reale që bënin të funksiononte siç duhej Bursa e Tiranës, ndryshe nga objektivi në fakt për të cilin ajo edhe ishte ngritur. “Ne institucionalisht, i qëndrojmë idesë se gjithçka është e kuadratuar në mënyrë ligjore dhe biznesi duhet të dijë se është i mbështetur prej nesh për të investuar në tregun e kapitaleve në Shqipëri, pasi ky i fundit, ofron mbrojtje të investimeve të tyre”, ka shtuar gjithashtu ajo. Duke lënë të kuptohet kësisoj se të paktën zyrtarisht ka ekzistuar gjithë kuadri i duhur ligjor që Bursa të funksiononte. Por ja që kjo gjë nuk paska mjaftuar. Duke bërë që pas 12 vitesh funksionimi të saj, autoritetet e financave shqiptare të ndërmarrin vendimin për mbylljen e saj.
KUSHTET
Si listohesh
në bursë?
Nëse një kompani kërkon të listohet, mjafton të plotësojë kushtet e përcaktuara në Rregulloren e Bursës së Tiranës. Disa nga kërkesat: kompania duhet të jetë shoqëri aksionere me ofertë publike, pasi si e tillë, ajo ka mundësinë që të ofrojë aksionet e saj për publikun. Sikundër, duhet të listojë të paktën 15% të aksioneve të saj, nëse kërkon të jetë në nivelin e parë të tregut zyrtar, ose 10% për nivelin e dytë; duhet të kenë bilancet dhe pasqyrat financiare me rezultat pozitiv, etj. Megjithatë përveç tregut zyrtar, ekziston edhe tregu paralel, i krijuar në Bursën e Tiranës prej pak vitesh, i cili lejon çdo kompani që pavarësisht se nuk i plotëson kushtet për të hyrë në tregun zyrtar të mund të regjistrohet në këtë treg dhe të përgatitet për t’u listuar më pas në tregun zyrtar, ky i fundit ka më prestigj.
SHKAQET
Pse nuk funksionoi bursa?
Ndërsa në shtetet e rajonit, zhvillimi i tregut të kapitaleve u mbështet nga shteti duke realizuar shitjen e ndërmarrjeve shtetërore përmes bursës, në Shqipëri forma e zgjedhur e privatizimit ishte përmes ankandeve, tendenave, apo bonove të privatizimit. Nga ana tjetër, biznesi vendas ishte i pamaturuar për të kaluar në një stad më të lartë, atë të sigurimit të financimit përmes ofertave publike në bursë, teksa informaliti i lartë (puna me dy bilance, që sillte mosdeklarimin real të të ardhurave) ishte një tjetër pengesë që shoqëritë t’i drejtoheshin bursës. Shpresa e vetme për kompanitë shqiptare për të siguruar financime përmes tregut të kapitaleve tashmë mbetet vetëm plani për një bursë rajonale. Bursa e Tiranës ka kryer aktivitet vetëm për një kohë të shkurtër pas vitit 2002, duke qenë agjent i qeverisë në tregun sekondar të letrave me vlerë, por edhe ky funksion i kaloi Bankës së Shqipërisë. Sakaq, përmes një studimi të kryer prej kësaj të fundit, tanimë janë pjekur kushtet për zhvillimin e sektorit financiar jobankar në Shqipëri dhe të Bursës së Tiranës. Duke saktësuar më tej se megjithë përpjekjet e vazhdueshme, Bursa e Tiranës nuk ka arritur të bëhet tërheqëse për biznesin vendas për disa arsye si: a) papjekuria dhe “frika” e biznesit për t’u listuar në BT; b) roli jombështetës i politikave të ndjekura nga Donatorët; c) mungesa e vullnetit politik për zhvillimin e BT. Studimi thekson edhe rolin e qeverisë shqiptare, e cila mund të kishte bërë më tepër në drejtim të zhvillimit të tregut të kapitaleve nëpërmjet 1) Listimit të ndërmarrjeve shtetërore në bursë, duke përfshirë BT në privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha vendet e Europës Lindore që kanë ngjashmëri me Shqipërinë; 2) Caktimit të BT si “agjent” të qeverisë për emetimin e letrave me vlerë të borxhit publik në tregun primar; dhe 3) Krijimit të incentivave nxitëse për kompanitë, që listohen në BT.
NEVOJA
Ekonomia e Shqipërisë ka nevojë imediate për zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe çdo vonesë e mëtejshme do të sillte një kosto reale. Gjithashtu, rekomandohet që të shikohet mundësia për zgjerimin e aktivitetit në rrafshin gjeopolitik në rajon, Maqedoni, Kroaci, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, sepse krijimi i Bursës së rajonit do të ishte një faktor shumë pozitiv për zhvillimin e rajonit, si dhe kompanitë shqiptare do të kishin mundësi të rrisnin fondet përmes tregtimit të aksioneve.