Mbyllet klubi, në të cilën u lëshua remiksi i ezanit
Një klub nate në Tunizi është mbyllur, pasi janë publikuar video të një DJ që kishte lëshuar remiks të ezanit, kanë njoftuar zyrtarët. Video e shpërndarë të dielën nga “Orbit Festival” ka shpërthyer në rrjetet sociale, ndërsa kryebashkiaku i Nabeulit, Mnaouar Ouertani, ka thënë se ky klub do të qëndrojë i mbyllur deri në njoftimin e radhës. Hetimet për incidentin tashmë kanë nisur, raporton BBC. DJ në këtë remiks kishte lëshuar një version ‘dance’ të ezanit. “Pasi konfirmuam faktet, kemi vendosur të mbyllim klubin”, ka thënë Ouertani. Ai po ashtu ka konfirmuar se menaxheri i klubit është ndaluar nga Policia dhe se, “nuk do të lejohen asnjëherë sulmet religjioze”. Festivali ka kërkuar falje përmes faqes në Facebook, por thotë se nuk merr përgjegjësi për muzikën ofenduese. Edhe vet Dax J ka kërkuar falje për lëshimin e kësaj kënge.