Me fat qeni rrugaç…

Nga Thoma Goga

Ka ndodhur kohë të shkuara, por problemit nuk i ka shkuar koha…Urdhri ishte i prerë dhe i qartë; të asgjësohen qentë e rrugës që po bëheshin rrezik për qytetarët. Akoma më keq kur u hap fjala se këta qenër po hapnin dhe sëmundje të rënda.

Komiteti i qytetit të vogël në bashkëpunim edhe me shoqatën e veteranëve hartoi planin e masave si dhe ngriti “skuadrën e pushkatimit”. Si gjithmonë skuadërkomandant xha Bequa që do kish në vartësi “trimat sypatrembur” Meçon dhe Karafilin. Kjo ishte dhe treshja e partizanëve që thirreshin në shkollë sa herë kishte festa ose përkujtohej ndonjë betejë. Për xha Beqon thuheshin shumë legjenda. Se kishte bërë namin, kur “kishte çarë rrethimin i vetëm dhe se e kishte shpartalluar batalionin gjerman”. Kurse për Meçon thuhej se nuk kishte vrarë asnjë gjerman, pasi kishte qenë mullixhi. Ja ku i buzëqeshi fati dhe inatin e gjermanëve do ta nxirrte tek qentë. Për Karafilin, që e mbante veten si karafil, kishte vetëm një gojëdhanë; thuhej se s’kishte qënë fare në luftë pasi, sipas datëlindjes, i bie të ketë qenë vetëm 5 vjeç. Nejse, mos të merremi me thashetheme, se edhe 5- vjeçarët atëherë të merrnin gjak në vetull…

Tashti e kemi hallin tek detyra e re që morën përsipër “trimat” me komandant xha Beqon. Natën e parë, pa u errur mirë i futën nga një teke raki që të merrnin pak guxim e fuqi. Pastaj shteg më shteg ndaj “armikut” të ri që po shqetësonte popullin tonë trim dhe paqedashës… Çiftet fillonin të “këndonin” afër mesnatës dhe qentë ulërinin menjëherë. Viktimat i kontrollonte edhe një herë komandanti. Pastaj nxirrte një biçak dhe u priste bishtat. Pse, do thoni ju? Me ato matej jo vetëm puna, por dhe trimëria e skuadrës së pushkatimit. Deri diku, ato do të ishin “dekoratat” e trimave. Afër mëngjesit, teksa qentë e qytetit (ata që shpëtonin) strukeshin kushedi se ku, trimat bënin bilancin; ja, numëronin bishtat e qenëve, duke kthyer edhe nga një teke raki.

Shumë nga qytetarët po i fshihnin qentë, ose i dërgonin tek miqtë e tyre në fshatrat rreth e rrotull. Po xha Bequa, që kishte punuar ca edhe me sigurimin e shtetit, nuk e hante sapunin për djath. Filluan kontrollet e banesave, duke treguar urdhrin që kishte nxjerr pushteti popullor. E kujt ia mbante ta kundërshtonte! Një ditë shkuan te xha Taqi që kishte një tufë me qenë. Po vetëm një i gjetën.

–           Nuk po të pyes për tufën, – tha xha Bequa,- po këtë që të gjetëm do ta ekzekutojmë.

–           Ore, ky më ruan shtëpinë, -ia priti xha Taqi.- Të mos kem këtë, hajdutët bëjnë kërdinë, dhelpra batërdinë. Po e vratë, mos të kemi fjalë, një nga ju të vijë e të bëjë punën e qenit…

E pa mbaruar fjalët e hidhura, qeni i xha Taqit, që e dinte mirë “gjuhën” e çiftes, ia mbathi. Ishte qen bir qeni…Trimave u mbetën çiftet ndër shalë, tundën kokat dhe shkuan të një shtëpi tjetër.

–           Ti ore, kulaku i poshtër, -bërtiti komandant Beqo,- nxirre qenin se ka dhënë urdhër pushteti popullor t’i pushkatojmë.

Dhe Sabriu, që e kishte një “njollë” të vjetër në biografi, nuk e zgjati. Nxori qenin. Pasi u çmall mirë e mirë, e vendosi tek një ferrë. Pas pak u dëgjua zëri i xha Beqos që vdiste për urdhra;

–           Skuadra, gati për zjarr! – Trimat aq donin. Zbrazën jo një, po nga dy fishekë, meqë ishte qen kulaku…

Afër mbrëmjes skuadra “hartonte planin e luftimit”. “Trimat” po bënin kërdinë dhe vetes po i ngrinin lart lavdinë… Edhe sikur të donin ta zmadhonin numrin e viktimave, nuk e bënin dot se duheshin bishtat… Një natë tjetër ndodhi ajo që nuk pritej. Teksa po merrnin nishan, një qen në fund të rrugicës ia mbathi me vrap. Po Karafili, si më i riu, e ndoqi nga pas, duke mërmëritur “na iku dhe një bisht…” . E fiksoi mirë shtëpinë ku u fut qeni. Bëri roje deri sa të vinin shokët e skuadrës. Vendosën të thërrasin Kasëmin, të zotin e shtëpisë.

–           Po ore, – tha ai kur pa urdhrin. – E ka vendosur pushteti…- Dhe në çast thirri Balon. Qeni dridhej e përdridhej nëpër këmbët e të zotit, sikur ta dinte se kjo ishte përshëndetja e fundit. Ishte qen bir qeni i edukuar… Edhe Kasua u mallëngjye. Mori Balon në krahë për herë të fundit dhe e puthi. Po, po e puthi. Pastaj e vendosi atje ku donte skuadra e pushkatimit, afër një ledhi. U dëgjua urdhri i komandant Beqos për zjarr. Po këtu ndodhi hataja; skuadra e pushkatimit i kishte mbaruar fishekët. Në siklet më shumë u vu xha Bequa që kërkonte zbatimin e urdhrit.

–           Në këto kushte vendosim që këtë qen ta varim…

Po sa dëgjoj këto fjalë Kasëmi, i zoti i qenit, gati e kapi prej fyti komandant Beqon;

–           Ti të varësh qenin tim?! Pse çfarë krimi ka bërë më shumë se të tjerët? Me pushkatim ata, me pushkatim edhe këtë timin…

–           Po s’kemi fishekë…

–           E po qeni im nuk është më kriminel, – u nxeh Kasëmi dhe iu drejtua qenit; – mbathja Balo!- … Dhe Balua iku në drejtim të paditur…

Se si më erdhi në mend kjo ngjarje, ca e stisur e ca reale, kur po lexoja “Kodin Penal”. Nuk e di, e dinë apo s’e dinë këta që do bëjnë reformën në drejtësi…

 

SHKARKO APP