Me kë e ka Albin Kurti?

Nga Zef Shtjefni

Jabllanoviçi pati guximin idiot që t’i fyej nënat kosovare, duke i quajtur, egërsira. Ironia e fatit ua solli atyre, që pikërisht përfaqësuesi i bishave të egra pushtuese, që u kanë vrarë djemtë e lirisë, t’u kthehen prapë në krye të Qeverisë së tyre. Një mekanizëm absurd, i diktuar ndoshta nga miqtë e mëdhenj perëndimorë, por që pak kush arrin ta kuptojë e ta kapërdijë ende këtë në Kosovë. Formula e diktuar e përfaqësimit të serbëve në rolet më të larta qeverisëse, jo vetëm nuk po jep rezultate pozitive dhe nuk po i bën serbët njerëzor, por përkundrazi deri tani veç po nxit urrejtje e destabilitet. Edhe Kryeministri serb Vuçiç mezi ç’priti t’i hidhte benzinë zjarrit, gjatë vizitës së tij në veri të Kosovës, në vend që të sillte mesazhe paqeje. Zv. Kryeministri i Kosovës sot, Jabllanoviç, është një djalë i ri serb, afro të 30-tave. Në kohën e gjenocidit të Millosheviçit kundër popullsive autoktone shqiptare, i bie të ketë qenë diku afër të 15-tavë. Pra një adoleshent, i cili si gjithë bashkëmoshatarët e tij, janë bombarduar nga propaganda shtetërore serbe e kohës, që thoshte se ushtria po luftonte në Kosovë me bandat terroriste shqiptare. Ai duket se e kuptoj idiotësinë e fyerjes dhe përgjegjësinë e karriges ku ia kanë vënë prapanicat pa asnjë meritë dhe nisi shpejt të shfajësohej dhe të kërkonte falje për fyerjen e bërë ndaj nënave kosovare. Por këtë falje, jo vetëm Albin Kurti, i cli veç po përpiqet ta përdorë politikisht, por pak kush e beson dhe e fal në Kosovë. Kosovarët janë dyndur e mbase do të dyndën prapë në sheshet e Prishtinës, duke mos e mbajtur zemërimin edhe kundër vëllezërve të tyre policë, edhe kundër zyrave të Qeverisë së tyre, të ndërtuar e krijuar me aq sakrifica. Ata kanë cenuar e dëmtuar rëndë edhe prona të tjera publike e private në qendër të Prishtinës, të krijuara me shumë mund.

Albin Kurti duhet ta dijë se janë një faturë e madhe financiare e politike për te këto dëme, dhe sido që të shkojë puna as do ia harrojë e as do ia falë njeri. Ai është organizator i këtyre protestave të dhunshme, të cilat si kauzë kryesore kanë vetëm Mustafën, që i preu në besë dhe Thaçin, që e urrejnë prej shumë kohësh në krye të qeverisjes së vendit. Jabllanoviçin e Trepçën sigurisht i kanë si pretekste. Nuk besohet se është aq mendje lehtë Albin Kurti, për të mos e kuptuar se Trepça në letra zgjidhej krejt kollaj, ashtu siç edhe u zgjidh. Po kështu, edhe Jabllanoviçi do të jetë bërë gati të ikë vetë dhe të zëvendësohet me një Jabllanoviç tjetër, edhe më të keq. Albin Kurti dhe pas tij Haradinaj, hallin kryesor e kanë se si të rrëzojnë Qeverinë dhe si t’u zënë vendin Thaçit e Mustafës. Kjo nuk ka alibi sot. Por gjithë problemi qëndron në faktin se si e kanë ndarë mendjen që ta realizojnë këtë? Me dhunë e ka provuar disa herë Sali Berisha në Shqipëri dhe rezultatet dihen. E provuan pak edhe vetë këto ditë. Parullat patriotike, bashkimi me Shqipërinë, (kur familjen e ke bërë me të huaj), apo të mos uljes në tavolinë me shkijtë, nuk është se i ha njeri sot. Po ashtu dihet se edhe likujdimi i borxheve të Trepçës, shërimi e gjendjes administrative të saj dhe kthimi në rentabil nuk është se bëhet me fjalime e demagogji. Dhe më kryesorja, rikthimi i shpresës së njerëzve, që sot po braktisin vendin, nuk bëhet më dhunë. Përkundrazi, dhuna po i tmerron më shumë qytetarët kosovarë dhe po i shtynë më tepër të humbin shpresën në vendin dhe politikanët e tyre dhe të marrin arratinë. A janë të përgjegjshëm Kurti e Haradinaj, se haraçet e huqeve dhe inateve politike që ata kanë me Thaçin e Mustafën për pushtet, po i paguan rëndë Kosova!?

Një pjesë e madhe e kosovarëve e dinë mirë se Hashim Thaçi e ka mbushur kupën e duhet të shkonte në shtëpi. Po ashtu standardi që mbolli ai në qëndrimin e paligjshëm në Qeveri për 6 muaj dhe komprometimi i vendimeve të Kushtetueses në favorin e pushtetit të tij, janë veprime të ndëshkueshme e të dënueshme. Nga ana tjetër njerëzit e dinë se edhe Mustafa u tregua i pabesë si me Bllokun Opozitar, por dhe me votuesit e LDK-së së tij, që ia dhanë votën për të dërguar Thaçin në shtëpi dhe jo për tu ulur në një zyrë me të e për të marrë mbi vete gjithë konsumin e tij politik. Por nga ana tjetër kosovarët e dinë fare mirë se dhe Albin Kurti e gjithë Blloku bënë gabime elementare, duke këmbëngulur si mushka që Kryeministër të bëhej Haradinaj. As Partia e tij nuk i kishte votat e as ai nuk e ka ende staturën për një post të tillë. Ky është fodullëk e miopi politike e tyre dhe nuk kanë asnjë arsye që gabimet e tyre, t’ia shkarkojnë në shpinë qytetërëve të Kosovës. Në Europë me dhunë as nuk merret, as nuk gëzohet pushteti. Në demokraci arma më e fortë është durimi, është dialogu me kundërshtarin dhe dialogu me popullin. Ata që janë të paaftë të durojnë, të paaftë për dialog, nuk janë as demokrat e as të aftë për të qeverisur Kosovën.

 

SHKARKO APP