Më të mirët mes nesh
Lulzim Basha
Sot është 11 dhjetori.
Partia Demokratike u themelua në valën e protestave të studentëve që sollën pluralizmin në Shqipëri. Kjo është një ditë e shënuar, për ne si demokratë, por edhe për të gjithë shqiptarët. Dita e themelimit të Partisë Demokratike i ka rrënjët në protestat e studentëve dhe protestat gjithëpopullore.
Por këto orë nuk janë vetëm të kujtesës, këto minuta nuk janë vetëm të kujtesës. Tash, në këtë moment, ndërsa po flasim, janë orë të revoltës popullore, sepse studentët shqiptarë janë në rezistencë dhe sakrificë për liri dhe të drejtat, duke thirrur një Dhjetor të dytë. Gjithë respekti sonte është për ta, nderimi është për ta.
Kjo është liria, kjo është demokracia, kjo është beteja që duhet luftuar çdo orë e çdo ditë, për ta mbrojtur demokracinë dhe për ta mbrojtur lirinë. Ne jemi me ta, Partia Demokratike është me ta, opozita është me ta, qytetarët janë me ta.
Jam i vetëdijshëm, se ndërsa ju drejtohem ju dhe gjithë shqiptarëve, shpresoj që një pjesë e ekranit të vazhdojë të shfaqë Dhjetorin e dytë, që shpirti rinor ka sjellë në sheshet e qyteteve tona, këtu në Tiranë, para Ministrisë së Arsimit, më thonë tashmë edhe para Kryeministrisë, dhe në rrugët e tjera të qyteteve, nga Elbasani, Durrësi, Shkodra, Vlora, Korça e kudo.
Pra, më lejoni fare shkurt, ta themi qartë, për të gjithë ata që kanë lindur këto 20 vitet e fundit, se këtu në këtë shtëpi ndodhet një parti që mori jetë nga e njëjta përpjekje dhe nga të njëjtët njerëz që u ngritën kundër diktaturës, nga studentët, studentët e Dhjetorit, qytetarët e thjeshtë, intelektualët, që para 28 vitesh u bashkuan dhe vranë frikën, vranë frikën, siç po e vrasin sot frikën bijtë dhe bijat e shqiptarëve, 20 vjeçarët e dhjetorit 2018. E vranë për të kërkuar lirinë, demokracinë dhe një Shqipëri Europiane dhe sot, përsëri, kërkojnë një Shqipëri si e gjithë Europa, një Shqipëri të vlerave të Perëndimit, me arsim të cilësisë perëndimore dhe me një shtet që garanton të drejtat e tyre njësoj si në Perëndim.
Dua t’ju shpreh gjithësecilit mirënjohjen e thellë për dritën dhe shpresën që zgjuat në zemrën e një populli të vuajtur, 28 vite më parë. Veçantia e tyre, që me urtësi politike dhe me mençuri, në kushte shumë të vështira, u bënë themeluesit e forcës tonë, studentëve të Lëvizjes së Dhjetorit, intelektualëve që u bashkuan me ta, Azem Hajdarit të pavdekshëm, Sali Berishës, Gramoz Pashkos, të gjithë atyre që nuk janë sot këtu, por do të jenë përgjithmonë në mirënjohjen tonë.
Shqipëria e vitit 1990, Shqipëria e dhjetorit 2018 janë sigurisht larg njëra tjetrës, por kanë shumë të përbashkëta.
28 vjet më parë Shqipëria ishte në fundin e një sistemi të kalbëzuar, të dështuar që po mbyllej me ikjen e shqiptarëve nga sytë këmbët ku t’i çonte anija e verbër e fatit.
28 vite më vonë Shqipëria është përsëri në fundin e një politike të kalbëzuar dhe të një qeverisje që ka në themel interesat e një klike politike – ekonomike – kriminale në krye të pushtetit, ka korrupsionin në sistem, ka blerjen e votës, ka oligarkinë.
Ky është kalbëzimi që vështirëson dhe nxin jetën e shqiptarëve çdo ditë, iu vret shpresën dhe i ka shtyrë përsëri në arrati njësoj si 28 vite më parë.
Ortakëria e babëzitur midis pushtetarëve dhe klientëve të partisë ka shkatërruar të gjitha mundësitë për një ekonomi të lirë të tregut.
Ortakëria e babëzitur midis politikanëve në pushtet dhe midis segmenteve të kapura të medias, shoqërisë civile ka dobësuar deri në koma mekanizmat e mbikqyrjes dhe kontrollit ndaj qeverisë.
Etja për ta marrë dhe për të mbajtur me çdo kusht pushtetin si një bankë private e ka shtyrë këtë pushtet në kthetrat e krimit dhe ka sjellë kriminelët në majë të pushtetit.
Viktimat e kësaj politike janë shqiptarët e thjeshtë; janë sot të tradhtuar dhe të braktisur në varfërinë dhe në pamundësinë e tyre.
Prandaj sot sfida jonë më e madhe, sfida vendimtare e Partisë Demokratike është kthimi i besimit te njerëzve se politika do të veprojë në interesin e tyre. Sepse ky është edhe kushti për kthimin e besimit te njerëzve tek e ardhmja.
Me këtë barrë të rëndë në shpatulla jemi mbledhur sot këtu e nuk duhet ta fshehim, të rinjtë ishin frymëzimi, ishin forca që sollën ndryshimin, pluralizmin dhe demokracinë.
Qytetarët e bashkuar kanë bërë ndryshime historike dhe një ndryshim i tillë po lajmërohet këto ditë në Shqipëri. Shpirti dhe krenaria e saj, të rinjtë janë përsëri në këmbë.
Kjo lëvizje është shumë më shumë sesa thjesht dhe vetëm për tarifat universitare. Është shumë më shumë sesa thjesht dhe vetëm për të drejtat e tyre elementare për arsimin e lartë.
Është shumë më shumë sesa kjo që shohin sot. Është armatosja me guxim dhe kurajo për çdo qytetar shqiptar, për prindërit e tyre, për vëllezërit dhe motrat e tyre që të mos heshtin kurrë më; kur qeveria i mashtron, i nëpërkëmb, iu merr bukën e fëmijëve nga tavolina, kur i vjedh, iu shemb shtëpitë dhe pastaj tallet me ta.
Prej 8 ditësh kemi dëgjuar thirrjen e shpirtit të të rinjve që shohin se si prindërit e tyre futen në borxhe për t’i arsimuar, që shesin gjithçka për t’i krijuar mundësi fëmijëve që të shkojnë në universitet apo në shkollë. Kjo është ulërima e dhimbjes së dhjetëra, qindra, mijëra familjeve që e kanë të pamundur të sigurojnë shkollën e fëmijës.
Por kjo që po ndodh sot, është përgjigjja e bijve dhe bijave të tyre. Më të mirët mes nesh, rinia studentore e Shqipërisë dhe të rinjtë e gjimnazeve e shkollave shqiptare. Kjo lëvizje është garancia, mekanizmi mbrojtës i demokracisë, që të mos kemi më një qeveri të verbër e të shurdhër, është mësimi për këdo që injoron dhe nëpërkëmb zërin e qytetarëve. Dhe në fund të fundit, kjo është mrekullia e rinisë që celebrojmë çdo dhjetor.
Mrekullia e rinisë është kur qeveria bën çfarë thotë populli dhe jo populli çfarë thotë qeveria.
Asnjë forcë që të jep pushtetin, nuk është më e madhe se forca e një populli të bashkuar. Lëvizja studentore, njësoj si dje, dhe sot është bekim për Shqipërinë, është shpresa e saj e madhe, është pika e kthesës e Shqipërisë Demokratike, e Shqipërisë si gjithë Europa.
Zoti e bekoftë rininë e këtij vendi, e shtoftë guximin dhe vendosmërinë e tyre, Zoti e bekoftë Shqipërinë!
*Fjala e mbajtur sot me rastin e 11 dhjetorit përvjetorit të themelimit të Partisë Demokratike.