Më të sofistikuar e më të paditur
Nga Virgjil Muçi
Para do kohësh pata botuar një shkrim me titullin paradoksal “Teknologjia na bën injorantë”, ku i mëshoja idesë, të shtjelluar me kohë nga studiues dhe njerëz të letrave, se janë të shumtë ata të rinj që e lidhin përftimin e kulturës me Internetin dhe nënproduktet e tij. Ndërkohë që, në thelb, kemi të bëjmë me zbaticën e kulturës, zbythjen e saj para cunamit informativ që i shëmbëllen një orteku që sa vjen e rritet në përmasa katastrofike, deri sa një ditë prej ditësh vjen e të kapërthen përposhtë vetes e të asfikson.
Çështja është se njeriu sot e ka shumë më të thjeshtë e më të lehtë ta shuaj kërshërinë për gjithçka, duke klikuar në web. Interneti është zoti absolut i shoqërisë së konsumit; në të mund të gjesh e porositësh gjithfarësoj gjërash:duke nisur nga libri, muzika, dyshekët, veglat gjimnastikore e deri te seksi. Pra,Interneti, kjo Perëndi e re,ka ndryshuar e ndryshon dita-me-ditë stilin tonë të jetuarit kulturalisht dhe intelektualisht. Instrumentet e shoqërisë postmoderne të informacionit krijojnë te njeriu i thjeshtë jo vetëm iluzionin e të qenit i ditur, por edhe të të qenit protagonist, jo një figurant i rëndomtë dhe i përunjur në skenën e Big Brother-it të ekranit gjigant global.
Nuk kisha për t’iu kthyer kësaj teme dhe t’i shkruaja këto radhë sikur të mos më kishte intriguar shprehja e Umberto Eco-s, citoj: “Mediat sociale u japin të drejtën e fjalës legjioneve të imbecilëve”. (Ruajta fjalën e përdorur prej tij ngase mbart më së miri gjithë ngarkesën emocionale e semantike të fjalës dhe, nga ana tjetër, jam mendjembushur që s’ka imbecil të mos e kuptojë). Këtë anatemë Eco-ja do ta lëshonte gjatë një diskuri në universitetin e Torinos me rastin e marrjes së Honoris Causa. Ligjërata e Eco-s mbante titullin kuptimplotë “Komunikimi dhe kultura e mediave”. Sipas Eco-s web-i është një dramë e njëmendtë, duke qenë se nxjerr në pah dhe ngre në rolin e solistit “debilin e katundit”, njeriun që dikur shumë-shumë mund të kthente nga një gotë në klubin e fshatit dhe të këpuste ca të trasha, ndërkohë që sot ka të drejtën e fjalës njëlloj si një laureat i Nobelit. Po qe se shkojmë dhe i vëmë veshin asaj që thotë Eco-ja, struktura e Internetit shërben për të përhapur broçkulla, kështu që roli i gazetave, sipas tij, është i rëndësishëm, duke qenë se, përmes një ekipi ekspertësh, duhet të filtrojnë informacionin e vjelë prej Internetit, meqenëse kurrkush nuk është sot në gjendje të kuptojë se deri në çfarë shkalle është i besueshëm një sit. Për t’ia dalë mbanë gazetat duhet t’u kushtojnë rreth dy faqe analizë kritike siteve, ashtu siç profesorët duhet t’u mësojnë studentëve të tyre se, si e qysh, t’i shfrytëzojnë sitet për të shkruar një diplomë. S’do mend, semiologu dhe shkrimtari në zë kishte cimbisur e thumbuar miliona imbecilë në mbarë rruzullin tokësor, kësodore reagimi i përbotshëm qe i vetëkuptueshëm. Ma do mendja që Eco-ja nuk është aq dritëshkurtër të hedhë poshtë një prej arritjeve më të mëdha të njerëzimit, pas shpikjes së rrotës, siç është shprehur dikush me një fije ironie, por, ndërkohë, ai është i vetëdijshëm që krijimi i totemeve të këtilla në shoqërinë e sotme ndjell më fort keq sesa mirë.
Eco nuk është i vetmi në botën e sotme që ka një qasje kritike, për të mos thënë nihiliste, kundrejt botës paralele të Internetit dhe siteve e rrjeteve sociale që gjallojnë në të. Te shumëkush, sot më shumë se kurrë, është i fortë iluzioni se mjafton të çelësh një kompjuter ose të përdorësh një smartphone a tablet, t’i hedhësh një sy Google-t ose Yahoo-së për të ditur gjithçka e njohur gjithkënd. Jonathan Franzen, një shkrimtar amerikan, për fat të keq jo shumë i njohur për lexuesin shqiptar, është i mendimit se kompjuteri është vetëm një makinë dhe kur përfton diçka të bukur prej tij, fjala vjen një shkrim ose një projekt arkitekturor, merita është e njeriut dhe jo e makinës. Ndërkohë që eglendisja me mediat sociale është një humbje kohe dhe një spitullim që të shtyn të shpërqendrohesh prej objektivit kryesor të komunikimit. Kësisoj Twitter-i është një varësi si gjithë substancat e tjera, ndaj nuk do të thotë se prej tij gjeneron automatikisht një botë më e mirë. Një tjetër shkrimtar, David Mikics, njeriu që ka shpikur teknikën e slow readings, thotë, fikini celularët kur lexoni, në mënyrë që të mos nguteni e humbisni fillin, si dhe për ta asimiluar sa më mirë sillën e mendjes.Dilni nga kuvlia e robërisë që të imponon Interneti, i cili na ndjek në çdo cep të planetit, shpëtoni nga kurthi i leximit të çfarëdolloj mesazhi (që krijon iluzionin sikur diçka e rëndësishme fshihet pas çdonjërit syresh), duke qenë se për shkak të dendurisë së informacionit, ti mësohesh të receptosh vetëm fjalët më të rëndësishme dhe jo të përtypësh e bësh tëndin informacionin e nevojshëm. Lexo ngadalë dhe pa u ngutur dhe, dikur, diku, do të hasësh në një libër që do të ndryshojë jetën dhe botën rretheqark teje.
Këtë herë folëm për shkrimtarët, të cilët, ndonëse jo të gjithë, kanë një konceptim më vete për botën dhe teknologjitë postmoderne, ndërkohë që politikanët kanë një tjetër qasje, e cila, në thelb, ndryshon prej kulturës dhe filozofisë së të parëve. Të bësh pas vetes sa më shumë followers për shkrimtarët nuk do të thotë domosdoshmërisht lexues, ndërkohë që për politikanët konvertohet dorë-me-një në votues. Por kjo është një tjetër temë, ndaj lyp një shtjellim më vete.
MAPO