Mediat dhe Politika
Televizioni dhe fuqia e fotografisë
“Shpërthim i fuqishëm bombe në Siri”, “Akt terrorizmi në Kabul”, “ Dhunohet 12-vjeçarja në Pejë”, “Bombë vjehrrës në Tiranë”, “Një serb i Beogradit dhunon motrën”; këto akte të dhunës nuk janë ngjarje të zakonshme, ato janë lajme. Mediat parapëlqejnë veçanërisht ndodhitë spektakolare. Paqja dhe investimi në sistemin politik demokratik “nuk janë ngjarje” dhe për këtë arsye ato e kanë vështirë të gjejnë publicitetin dhe hapësirën e nevojshme (lexo “e domosdoshme”) mediale. Nëse shpërthen një mortajë dhe aty vdesin shtatë njerëz, atëherë ky është një material “me vlerë” për mediat. Nëse në Kosovën e masakruar dhe të dhunuar nga Serbia, ku jetojnë mbi 95% shqiptarë e vetëm 5% pakica kombëtare, ku me gjithë tolerancën dhe faljen që bën Shqiptarët e Kosovës ndaj pakicës serbe, e cila mori pjesë aktive në vrasje të shqiptarëve civil, kjo për disa media “nuk është ndonjë ngjarje e madhe”, as që ka ndonjë “vlerë” si lajm i mediave. Pse “në dreq të mallkuar” ndodh kështu?
Fotografitë dhe realiteti
Etja e mediave, në veçanti e televizionit, për fotografi, pra për “pamje spektakolare”, është shprehi dhe dukuri absolute. Ngjarja nuk ka rëndësinë e duhur, nëse kjo nuk shoqërohet nga “fotografia”. Ndodhia spektakolare qëndron në paraskenë, e vërteta zhytet turpërisht poshtë. Në lidhje me këtë njohësi i mediave, Schechter, thotë: “Gjithë çka që shohim ne, është vetëm ajo çka xhirohet nga kamerat televizive. “E vërteta” është ajo që servohet nga mediat. Shumë shtëpi të njohura mediale kanë për bazë këtë model informimi: në çdo kohë, në çdo vend nga një fotografi. Të kuptuarit e lajmit nuk është “aq me rëndësi”. Të jesh i pranishëm, të jesh aty, është alfa dhe omega e çdo gjëje. Nuk është befasi pse ndodh diçka e tillë, sepse për shumë pronarë të mediave, e për shumë gazetarë e redaktorë, opinioni publik, pra ne konsumatorët, jemi thjesht “kokëkrisur”, “kafshë në dy këmbë, dhe “të paditur”. Ndodh shpesh që redaktorët të refuzojnë informatat, të cilat nuk e paraqesin dhe nuk e pasqyrojnë “thjesht dhe pa komplikime” botën. Sipas tyre, informatat e komplikuara kuptohen me vështirësi nga opinioni. Lufta, si vazhdim i politikës me mjete të tjera, është “thjeshtëzuesi” më i madh që bëhet prej tyre.
Disa media i thjeshtëzojnë tensionet shumëngjyrëshe të shoqërisë dhe i orientojnë ato në një vijë të vetme – në vijën e konfliktit. Këto media çdo gjë e shohin me një sy, përgjithësojnë dhe ngatërrojnë viktimën me fajtorin, agresorin me mbrojtësin, heroin me tradhtarin, luftën çlirimtare me luftën pushtuese. Si flamurtare të luftës konsiderohen edhe mediat vetë. Në media, lufta personifikohet, legjitimohet dhe çlegjitimohet. Me thellimin e krizave ekonomike dhe atyre sociale thellohen edhe krizat mediale. Sa më shumë që humbet identiteti personal, aq më shumë shtohen kërkesat e opinionit publik për informim të thjeshtë dhe jo objektiv nga mediat. Gazetarët, të cilët punojnë në baza shkencore dhe profesionale, pakësohen, hapësira financiare sa vjen e ngushtohet. Në këtë shoqëri “të sëmurë ekonomikisht” vështirë se mund të gjendet ndonjë gazetar a gazetare me profesion të përhershëm raportues, të cilët do të ishin në gjendje të informonin opinionin në mënyrë profesionale dhe objektive. Mungesa e dijes thelbësore, shkencore, si dhe mungesa e faktorit kohë për ripërpunimin e materialit, orienton e çon drejt një informimi sipërfaqësor, jocilësor dhe, jo rrallë, kjo çon në falsifikimin dhe shtrembërimin e informatës, reportazhit apo lajmit.
Sa janë të besueshme mediat tona për mediat perëndimore?
Edhe pse në Prishtinë e Tiranë ekziston një numër i madh gazetash të pavarura, revista, radio dhe TV, pra një laramani mediale, këto vështirë mund të citohen për ndonjë lajm a ndodhi vendase nga ndonjë shtëpi mediale perëndimore. Rrallë, shumë rrallë, kemi ndonjë artikull apo ndonjë reportazh radioteleviziv që citohet nga mediat perëndimore sot. Diçka e tillë, edhe sikur të zinte vend vetëm për 20 sekonda në ndonjë medium masiv perëndimor (e kam fjalën për ndonjë ndodhi, koment a lajm të marrë burimisht nga mediat vendore), do të ishte një befasi e këndshme. Kështu zhduket një pjesë e realitetit, në këtë rast ndodh zhdukja e realitetit medial vendas. Sipas Chomskyt, mediat në sistemin perëndimor, në të shumtën e rasteve janë “rrogëtare të shtetit” dhe të bizneseve të fuqishme. Këto, detyrimisht, në reportazhe ndjekin më tepër klishenë e tyre sesa realitetin social e politik të një vendi. Në njëfarë mënyre, raportimi dhe analiza e tyre përkrahin privilegjet e tyre të etabluara. Këto media përkufizojnë debatet dhe shumëllojshmërinë e ideve. Përmbajtja e tyre mund të emërohet dhe si propagandë.
Mediat e huaja në reportazhet e tyre ndjekin më tepër klishetë që atyre u vijnë përshtat sesa realitetin e vendit. Sot kemi një shpërthim të shfaqjes së hapur të simpatisë mediale perëndimore kundrejt Serbisë, me qindra lajme e reportazhe, me qindra artikuj e fjalë mirëdashëse për Serbinë “demokratike”. Fotografia e bandave serbe të Ballkanit, apo “fotografia e së keqes” përgjithësisht, dëshmohet më shumë nga padija dhe paragjykimet mediale, sesa nga problemet dhe realiteti ekzistues. Shtrohet pyetja: A mos disa shtete dhe media perëndimore tentojnë të “shpëtojnë veten” dhe armatën e tyre nëpërmjet Kosovës. Detyra e mediave (aktualisht) është “ta shpëtojë veten”, duke shitur vetveten. Kështu njëra dorë pastron tjetrën. Njerëzit, për të cilët do të informohet, luajnë rol të dorës së dytë.